Bota

Wikileaks: 100 000 euro për kokë për pikat e marrëveshjes BE-SHBA

Screen Shot 2015-08-13 at 14.22.46

Wikileaks: 100 000 euro për kokë për pikat e marrëveshjes BE-SHBA Qysh nga vera e vitit 2013, Shtetet e Bashkuara negociojnë me Bashkimin Europian rreth një marrëveshjeje transatlantike të tregtisë së lirë (TTIP). Mirëpo marrëveshja mes palëve aktualisht vlerësohet si njëra ndër sekretet më të mëdha të politikës ndërkombëtare. Deri më tani, pak dihet rreth përmbajtjes së saktë të saj dhe pozicioneve të palëve të interesuara për marrëveshjen.

Por kjo mund të ndryshonte shumë shpejt – pasi platforma online e zbulimeve të skandaleve shtetërore Wikileaks, ka çelur – le të themi – gjuetinë për dokumentet e TTIP-it.  Të ashtuquajturit “bilbilfryrës” do të duhet të paguhen me 100 000 euro për sjelljen apo bërjen publike të letrave a dokumenteve sekrete që lidhen me termat e kësaj marrëveshjeje. Dhe këto para do të duhet të gjenden falë thirrjes publike për mbledhje fondesh.

Kështu, sipas Huffington Post, por edhe shumë mediave të tjera britanike e amerikane, informantët e Wikileaks duhet të jenë vënë në lëvizje duke nisur publikimin e pjesshëm të dokumenteve sekrete në fjalë.

Ndër dhuruesit, edhe Varufakis

Sipas tyre, qysh nga e dita e djeshme, tashmë janë mbledhur më shumë se 41 000 dollarë nga kjo iniciativë. Ndër ata që kanë hedhur para në konton e Wikileaks gjenden edhe gazetarë të famshëm amerikanë si Glenn Greenwald dhe Daniel Ellsberg, dizenjatorja e njohur e modës, Vivienne Westwood, dhe madje edhe ish–ministri karizmatik grek i Financave, Janis Varufakis. Radhitja e tij në këtë listë ka sjellë shumë debate e interesim publik, po aq sa dhe vetë iniciativa në fjalë.

Fushata nis me një videomesazh

Wikileaks e nisi fushatën e saj me një videomesazh prej njëmbëdhjetë minutash. Në atë mesazh, themeluesi i saj, Julian Assange, flet për aksionin më të fundit të tij e bashkëpunëtorëve të tij. “Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes SHBA-së dhe Europës është më e rëndësishmja që aktualisht po ndodh në Europë (…) Nëse nënshkruhet një herë, ajo do të çimentonte një pjesë të rëndësishme të një plani, të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka hartuar me kohë: një bllok të ri global, që do të siguronte kështu dominimin e koncerneve më të mëdha amerikane”, tha Assange, aktiviteti dhe bëmat e të cilit kanë bërë që sidomos në qarqet zyrtare në SHBA, ai të jetë një “armik shtetëror” i klasit të parë.

Aktualisht duket sikur fushata për mbledhjen e fondeve ka pasur një sukses. Nëse 100 000 eurot do ta bënin çdo “bilbilfryrës” apo informant të lëvizte e të gjente vërtet dokumentet “top secret”, kjo mbetet gjithsesi akoma e paqartë.

Akses i kufizuar në dokumente

Vetë eurodeputetët posedojnë një akses shumë të kufizuar te dokumentet në fjalë, e mund t’i lexojnë ato vetëm në një dhomë apo ambient të izoluar e të mbikëqyrur në mënyrë strikte. Pjesë të dokumenteve të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Euroatlantike, të cilat nga pala amerikane vlerësohen si “tepër sekrete”, janë madje edhe më të vështira për të lejuar akses.

Nga ana tjetër, sipas Huffington Post, sigurisht se kjo nuk do të ishte goditja e parë e Wikileaks-it në këtë drejtim. Për informacionet rreth marrëveshjes së tregtisë mes vendeve të rajonit transpaqësor, mes SHBA-së e disa shteteve të këtij rajoni, platforma e shumëdiskutuar, nisi një fushatë të ngjashme për mbledhje fondesh. Tre nga thuajse tridhjetë kapitujt e projekt-marrëveshjes, mundën që të gjenin në këtë mënyrë rrugën e publikimit të parakohshëm./ Top Channel

Leave a Reply

Back to top button