Bota

Winnie Mandela, ish bashkëshortja e Nelson Mandelës dhe simbol i Apartedit

Winnie Mandela, ish bashkëshortja e ish presidentit jugafrikan, Nelson Mandela vdiq në moshën 81 vjeçare në një spital të Joanesburgut si pasojë e një sëmundje të gjatë. Ishte hospitalizuar disa herë gjatë këtij viti. Karizmatikja Winnie Madikizela bashkë me të shoqin ishte një figurë emblematike e luftës kundër apartedit në Afrikën e Jugut, por jeta e saj është shënjuar nga polemikat. Jeta e Nomzamo Winifred Zanyiwe Madikizela e njohur si Winnie është lidhur me atë të presidentit të parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut. Ka qenë e martuar me të prej 38 vjetësh duke përfshirë edhe 27 vitet që Nelsoni kaloi në burg. Lindi në 26 shtator 1936 në provincën e Cabo oriental, vend ku ka lindur edhe Nelsoni. Mori një diplomë universitare si punonjëse sociale, një përjashtim ky për një grua me ngjyrë të epokës së saj. U martua në qershor 1958 në moshën 21 vjeçare dhe ai ishte pothuaj 40, i divorcuar dhe shumë i dhënë pas jetës politike. “Në realitet nuk kemi patur kurrë jetë familjare. Nuk mund ta nxirrje Nelsonin nga vendi i tij. Lufta kundër apartedit, kombi vinin të parët,” – shkruante ajo në kujtimet e saj. Pas martesës, Nelson Mandela hyri në ilegalitet.

Në gusht 1962 u arrestua dhe Winnie mbeti vetëm me vajzat e saj që vazhdonte luftën kundër një regjimi të vendosur nga të bardhët. Gjatë kësaj periudhe punonjësja sociale ishte viktimë e intimidimeve dhe presioneve të vazhdueshme që e çuan në burg dhe e detyruan të largohej në një vend tjetër. Nuk i besoi autoriteteve të bardha dhe Winnie u shndrrua në një nga figurat emblematike të Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC), lëvizja kryesore kundër apartedit. Në vitin 1976 u kërkoi studentëve që të ngriheshin në Soweto, të luftonin deri në fund. Më vonë ajo u radikalizua. Kur disa nga “tradhtarët” e luftës kundër apartedit u dogjën të gjallë deklaroi se jugafrikanët duhet të çliroheshin me kuti shkrepseje. Zgjodhi një eskortë personale të quajtur Mandela United Football Club (MUFC) e njohur për metodat brutale. Në vitin 1991 u shpall fajtore në bashkëpunim për sekuestrimin e Stompie Seipei, një militant i antiapartedit. U dënua me 6 vite burg, dënim që iu kthye në gjobë. Në vitin 1998, komisioni i “Të Vërtetave dhe Pajtimit” (TRC) që studionte krimet politike të apartedit e shpalli “fajtore politikisht dhe moralisht për dhunime të rëndësishme të të drejtave të njeriut”, të kryera nga MUFC.

“Ishte një figurë e madhe e luftës, një ikonë e çlirimit,” – tha për të fituesi i çmimit Nobel, Desmond Tutu, president i TRC-së dhe mik i Nelson Mandelës. –“Por më vonë diçka shkoi keq.”

Leave a Reply

Back to top button