Analiza

Xheb Bush gati për garën. Dueli i përjetshëm me Klintonët

Vëllai i vogël i ish-presidentit mund të sfidojë në 2016 ish-zonjën e parë

Key Speakers At The Securities Industry & Financial Markets Association (SIFMA) Annual Meeting

Shenja e parë që Kris Kristi, guvernatori karizmatik i Nju Xhersit, ka ndërmend që t’i hyjë garës së egër për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë, u konstatua tek vendosmëria e tij për t’iu nënshtruar një diete të rreptë ushqimore. Më pas shpërtheu skandali i bllokimit të Urës së Uashingtonit që shkaktoi një kaos të qëllimshëm në trafik dhe që për pasojë groposi (ose thuajse modifikoi) ambicjet e tij presidenciale. Edhe në rastin e Xheb Bush-it, 8 kilogramët e humbur falë aktivitetit të shtuar fizik si dhe notit në pishinë, nën drejtimin e një “trajneri personal”, shenjojnë dëshirën fillestare për t’u rikthyer në skenën e politikës së madhe, duke tentuar as më shumë e as më pak, por emërimin si kandidati i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Dhe sigurisht nuk është i vetmi. Ish-guvernatori i Floridës, biri dhe vëllai i dy ish-presidentëve, është shprehur se do të marrë një vendim përfundimtar brenda këtij viti, megjithatë vështirë se do tërhiqet pas. Lista e sinjaleve për këtë është jo e vogël: Xheb, që në një intervistë televizive transmetuar të djelën e shkuar në Florida, praktikisht ka deklaruar se shpreson që të jetë një kandidaturë e mirë, po yshtet të publikojë edhe një libër mbi eksperiencën e tij si guvernator por dhe vizionin e tij mbi SHBA-të: lëvizje kjo tipike e çdo aspiranti për garën presidenciale.
Duke qenë përfaqësues i njërës prej dy “dinastive mbretërore” të politikës amerikane (tjetra është ajo e Klintonëve) dhe i ndërgjegjshëm se historia e tij personale do të kalojë në vrimën e gjilpërës, Xheb kryen një gjest të paprecedentë: do të publikojë tekstet e mbi 250 mijë email-eve të shkëmbyera vitet e fundit nga ai dhe stafi me botën e politikës dhe biznesit. Një zgjedhje kjo jo pak e guximshme, një tranparencë e jashtëzakonshme, por që nga ana tjetër mbart edhe rreziqe. Xheb ka zgjedhur t’u përgjigjet në këtë mënyrë, sulmeve të para që kanë mbëritur në adresë të tij. Më i fundit ka qenë ai i revistës javore “Bloomberg Business” që analizoi në detaje aktivitetin e tij financiar, duke mbërritur në përfundimin se në vitet e fundit, djali i George H. W. Bushit ka ndërtuar një rrjet të gjerë interesash, madje shumë më komplekse se ajo që katër vite më parë i shkaktoi jo pak andralla Mit Romnit.
Në thelb asgjë e paligjshme, por disa biznese të tij edhe në Kinë, sikundër edhe puna si konsulent financiar tek banka “Lehman Brothers” që më vonë falimentoi, por edhe asistenca ndaj miliarderit kontrovers meksikan Karlos Slim, mund ta vënë jo pak në siklet në momentin kur do të hyjë zytarisht në garë. Një aktivitet financiar që përputhet keq me trajektoren që një lider që aspiron Shtëpinë e Bardhë, duhet të kishte ndjekur. Ndoshta Xheb në vitet e shkuara nuk e kishte patur presidencën si synim, kjo edhe për shkak të kundërshtimit të familjarëve të tij. Ideja për të tentuar kandidimin ka marrë jetë vetëm kohët e fundit, e nxitur edhe nga presioni i të atit dhe konstatimi se në kampin republikan për fat të keq mungon një “luftëtar i vijës së parë”, që të mund të shërbejë si një kundërpeshë ndaj “peshës së rëndë” të demokratëve, Hilari Klinton. Pengesat u rrëzuan njëra pas tjetrës: fillimisht bashkëshortja dhe më pas fëmijët pranuan trazimet e pashmangshme në jetën e tyre familjare dhe rreziqet që vijnë nga dhunimi i privatësisë, që sjell medoemos një kandidim për në garën presidenciale.
Pastaj edhe vetë e ëma, Barbara, e cila prej kohësh ka qenë kundër një zbarkimi në Shtëpinë e Bardhë të një Bushi të tretë, tanimë ka bërë të ditur se ndonëse nuk ka ndryshuar mendim, do të evitojë që të flasë në publik për rezervat e saj. Përtej problemeve që shpesh bart linja politike, në të cilën më i riu i familjes Bush, konservator mbi regjimin e taksave dhe abortin, mbi emigracionin klandesin dhe reformën arsimore, Xheb ka edhe qëndrime që u pëlqejnë më shumë demokratëve sesa republikanëve. Madje që tani po fillon të artikulohet lista e investitorëve të mundshëm të fushatës së tij, si dhe mbështetja e hapur publike e senatorëve të partisë, si ish-sekretari i shtetit Xhejms Bejker, të cilët e ftojnë që të shkojnë përpara me idetë e tij. Kjo edhe me koston e përballimit të disa vështirësive në fazën e parë të fushatës kur pozicionet “e forta dhe të pastra” të kandidatëve radikalë, mund të lënë më tepër përshtypje tek votuesit shumë të ideologjizuar, sesa ata që do të shkojnë tek kutitë e votimit në nëntor të vitit 2016. Xheb është gati që të marrë në sy të gjitha rreziqet. /corriere.it/
Pergatiti: A. Goce / www.bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close