Bota

Zbulohet skema: Ja si u helmuan spiuni rus dhe e bija

Kontakti me agjentin nervor që helmoi ish-spiunin rus, Sergei Skripal, dhe vajzën e tij, Yulia, është bërë përmes prekjes së derës së shtëpisë së tij në Salisbury. Substanca toksike është gjetur në sasi të madhe në derën kryesore.

Lajmin e bën të ditur BBC, e cila citon burime pranë Scotland Yard-it. Kjo hedh poshtë hipotezat se lënda toksike ndodhej në valixhen që kishte me vete Yulia në udhëtimin nga Moska në Londër apo në sistemin e ventilimit të makinës me të cilën ata udhëtuan pak para helmimit.

Nuk dihet ende në çfarë gjendjeje ishte substanca toksike në derën e Skripalit, por burimet bëjnë të ditur se në terren po punojnë 250 agjentë. Ata thonë se rreziku për banorët e lagjes konsiderohet i ulët.

Sergei dhe Yulia Skripal, 66 dhe 33 vjeç, u ndien keq pak orë pasi dolën nga shtëpia për të drekuar. Ata u rrëzuan njëherësh në një park në zonën komerciale të qytetit. Të dy vijojnë të jenë në spital në gjendje kritike, por të stabilizuar.

Kjo ngjarje tronditi diplomacinë dhe politikën ndërkombëtare. Britania, SHBA-të dhe 16 vende të BE-së vendosën të dëbojnë diplomatët rusë./TemA

Leave a Reply

Back to top button