HistoriMAIN

Zersetzung, ja si STASI kontrollonte mendjen e qytetarëve në Gjermaninë Lindore

Nga Emanuel Pietrobon

Il Giornale

Fushëbeteja në luftërat e të ardhmes është mendja e njeriut, ose më saktë kontrolli i saj. Sepse kontrolli i një individi, është i barabartë me shndërrimin e tij në një “Kandidat Mançurian”, edhe pse jo domosdoshmërisht i programuar për të vrarë, por për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të menduar në një mënyrë të caktuar, dhe për të vepruar në mënyrë të parashikueshme.

Por edhe sepse të kontrollosh një masë të tërë individësh, pra opinionin publik, do të thotë të kesh në dorë fatet e një shteti. Pra po lind një mënyre të re të luftës, e quajtur lufta konjitive. Pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë, e kanë përshpejtuar përdorimin  e saj.

Ndërkohë ishin fillimisht kërkimet e shkencëtarëve nazistë, dhe më pas të dy blloqeve kundërshtare gjatë Luftës së Ftohtë, ato që hodhën themelet e kësaj lufte. Dhe nëse kërkoni për historikun e kësaj fushe, atëherë me siguri që do të ndeshni një teknike pioniere të përdorur nga STASI, policia sekrete e Gjermanisë Lindore:Zersetzung .

Zersetzung, është një term që në gjuhën gjermane mund të ketë një mori kuptimesh, që të gjitha të ndërlidhura midis tyre, si gërryerje, destabilizim, dekompozim dhe shpërbërje. Kjo është pikërisht ajo që ndodh me mendjen e viktimës së kësaj psikoteknike, e cila hap pas hapi destabilizohet dhe degradohet.

Pra Zersetzung kishte të bënte me zbërthimin e mendjes. Është një teknikë e manipulimit konjitiv dhe destabilizimit psikologjik, lindur që në kohën e Gjermanisë naziste , në laboratorët e Kurt Plotner, dhe që pas luftës u perfeksionua nga STASI i frikshëm iGjermanisë Lindore, duke gjetur një aplikim të gjerë gjatë epokës së Erik Honeker.

Synimi ishte dëshira për të luftuar në një mënyrë me më efektive ndaj opozitës politike dhe rezistencës sociale ndaj regjimit komunist. Por edhe sepse shtypja e disidencës përmes forcës fizike mund të  rezultonte kundërproduktive. Ndaj duhej diçka e re, e cila ishte e përhapur por e padukshme, e dëmshme por e paprekshme.

Zersetzung mendohej se kishte karakteristika të tilla. Me kalimin e viteve 1960, paralelisht me përsosmërinë e metodës Zersetzung, autoritetet gjermano-lindore e reduktuan në mënyrë progresive përdorimin e mjeteve të tilla si përndjekja gjyqësore dhe dhuna fizike kundër disidentëve, kundërshtarëve dhe kritikëve.

Zersetzung, i strukturuar dhe aplikuar nga Gjermania Lindore, u zhvillua nga një grup sociologësh në Juristische Hochschule der Staatssicherheit (JHS ), i njohur gjithashtu si Shkolla e STASI-it. Duke u mbështetur në trashëgiminë naziste të propagandës dhe luftës psikologjike, e cila ishte mjaft e gjerë, studiuesit e STASI-t e përsosën Zersetzung-un, duke e bërë atë një metodë për të dëmtuar vetëvlerësimin e viktimës deri në provokimin e krizave serioze të identitetit.

Kur goditej me këtë metodë, një kundërshtar politik karizmatik dhe i ndjekur nga policia sekrete, do të niste të përjetonte kohëra veçanërisht të errëta, të shkaktuara nga braktisja shoqërore, aksidentet e çuditshme, izolimi dhe refuzimi.

Edhe pse ngjarjet dukeshin si personale, dhe në dukje të shkëputura nga aktivitetet politike të subjektit, ato ishin psikologjikisht destabilizuese dhe të afta të shkaktonin kriza identiteti dhe emocionale. Në fund, lodhja mendore çonte ndonjëherë drejt vetëvrasjes.

Çdo mjet ishte legjitim në funksion të degradimit mendor të subjektit të vënë në shënjestër. Kështu, ai mund të joshej  të kryente marrëdhënie seksuale me të mitur, të bëhej pjesë e rretheve sociale problematike, me njerëz të ndërvarur nga droga, apo për ta përfshirë në krime të vogla si vjedhjet.

Apo për t’i dhënë ryshfet kolegëve të tij që ta shpërfillin, dhe që shefat e tij në punë ta pengonin në veprimtarinë e përditshme apo ta transferonin në vende të largëta. Ta nxisnin atë të vinte në dyshim realitetin që e rrethonte, me shpresën se do ta çmendnin.

Zersetzung ishte një metodë efikase, sepse ishte gati gjithmonë e personalizuar. Ata që ishin përgjegjës për “zbërthimin mendor” të viktimës studionin tiparet e karakterit, vlerat dhe zakonet e tij, duke përpunuar sociograma dhe psikograma nga të cilat mund të zhvillohej strategjia e margjinalizimit të tij.

Jurgen Fuks, një intelektual rebel që ra viktimë e Zersetzung në vitet 1970, e përshkroi atë periudhë të pazakontë të izolimit të vazhdueshëm që zgjati me vite si një “krim psikosocial”, dhe si “një sulm ndaj shpirtit njerëzor”. Ashtu si ai, sipas disa vlerësimeve, të paktën 5-10 mijë njerëz ranë viktima të Zersetzung gjatë epokës së Honeker.

Ishte pikërisht Fuks, i dëbuar në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1977, ai që e ndërgjegjësoi publikun gjerman për Zersetzung. Ai nisi të publikonte në revistën “Der Spiegel” dëshmitë e tij së bashku me një sërë dokumentesh në lidhje me përdorimin e luftës psikologjike nga STASI.

Ato do të pasoheshin nga një mori librash, dokumentarësh dhe investigimesh gazetareske.

Edhe pse drejtësia ka mbajtur çuditërisht një qëndrim të paqartë ndaj kësaj çështjeje. Në të njëjtën kohë që STASI zbatoi me sukses Zersetzung, regjimi më i madh i mbikëqyrjes masive në planet – sipas numrit të spiunëve për frymë – u ngrit në Rumaninë e Nikolae Çausheskut.

Por në atë kohë, kurset e riedukimit ishin në rritje dhe në Shtetet e Bashkuara. Edhe në vende demokratike, programet e manipulimit mendor u zbatuan me një intensitet të krahasueshëm me atë në vendet Perdes së Hekurt, nga programi “MKULTRA” tek “Mockingbird  dhe “COINTELPRO”. Dhe sot si atëherë, asgjë nuk ka ndryshuar:qëllimi i njerëzve në krye të botës, mbetet të kontrollojnë mendjen e individëve. / Il Giornale – Bota.al

Back to top button