BotaMAIN

Zgjedhjet gjermane çelin një epokë të re

Nga Pierre Haski

Sistemi politik gjerman është ndërtuar në atë mënyrë, që “natën e zgjedhjeve” të mos ketë asnjë siguri se kush do ta qeverisë vendin. Në Gjermani është e pamundur të shohësh të shfaqet në ekranet e mëdha fytyrën e kancelarit të ardhshëm, siç po ndodh në Francë në fund të raundit të dytë presidencial, sidomos me një rezultat aq të ngushtë sa këtë herë.

Socialdemokrati Olaf Sholc është në krye, por do të duhen javë, dhe ndoshta muaj, para se të arrihet një marrëveshje për koalicionin e ri qeverisës. Le ta themi hapur:parashikimet u bënë të pamundura vetëm kur Angela Merkel vendosi të mos garonte sërish pas 16 vitesh në pushtet.

Në fakt zgjedhjet e mëparshme, kishin pasur shumë më pak suspansë, pasi kancelarja në largim e dominoi skenën politike. Prandaj pavarësisht nga emri i kreut të ardhshëm të qeverisë, Gjermania po e ndryshon epokën e saj.

Megjithatë, zgjedhjet e së dielës që u ndoqën me shumë vëmendje në të gjithë botën, për shkak të peshës ndërkombëtare të Gjermanisë, na ofrojnë disa leksione. I pari ka të bëjë me stabilitetin e sistemit. Sigurisht, partitë e mëdha qeverisëse (aleanca konservatore CDU-CSU dhe SPD) nuk arrijnë më të sigurojnë përqindjet e votave që merrnin dikur.

Por sërish ato marrin së bashku mbi gjysmën e votave të elektoratit gjerman, ndërsa homologët e tyre në Francë mezi arrijnë të marrin 1 nga 5 votat që hidhen në kuti. Kjo gjëështë më së paku dëshmi e një pakënaqësie më të vogël nga politika e establishmentit në krahasim me vendet e tjera.

Surpriza ishte padyshim rikthimi në krye i Socialdemokratëve. Deri në pranverën e këtij viti, askush nuk do të vinte bast mbi SPD, ku kandidatura e zgjedhur për kancelar u konsiderua si një vetëvrasje politike. U duk sikur të Gjelbrit mund të mishëronin forcën e re të aftë për të zëvendësuar partinë e vjetër të së majtës.

Por në fund rolet u përmbysën. Arsyeja për këtë fenomen, më shumë sesa forca tërheqëse e SDP, është personalizimi gjithnjë e më i qartë i jetës politike të Gjermanisë (dhe më gjerë). Rikthimi spektakolar i SPD, me një rikuperim prej 10 për qind në pak javë, i detyrohet imazhit pozitiv të Olaf Sholc, zëvendës-kancelarit dhe ministër të Financave të Angela Merkelit, dhe fushatës së tij tërheqëse të mishëruar nga manifesti, përmes së cilës ai premtoi se do të bëhej “një kancelare e mirë” (duke përdorur enkas gjininë femërore të këtij termi).

Po ashtu Sholc përfitoi nga mungesa e dinamizmit të kandidatit konservator Armin Lashet, si dhe gafat e ambientalistes Analena Baerbok. Por ky personalizim i politikës nuk do të ketë ndikim në rezultatin e negociatave për formimin e koalicionit të ardhshëm.

Ndërkohë, ekziston padyshim një kontradiktë midis një fushate elektorale gjithnjë e më presidenciale, dhe një sistemi që mbetet parlamentar. Gjermania po ndryshon epokën, po ky është një ndryshim në stilin gjerman, domethënë pa një shkëputje radikale.

I pyetur pak ditë më parë mbi politikën e jashtme të partisë së tij, një zyrtar i SPD-së nisi të qeshë me të madhe duke vënë në dukje se pavarësisht fushatës zgjedhore nuk kishte dallime të mëdha midis dy partive kryesore.

Në varësi të kontureve të koalicionit të ardhshëm, mund të ketë nuanca të ndryshme:në përputhje me ortodoksinë financiare në Evropë, nëse në të do të përfshihen liberalët,si dhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën në rast se të Gjelbrit do të merrnin drejtimin e Ministrisë e Jashtme.

Por angazhimi evropian do të mbetet akoma në qendër të politikës gjermane, siç e treguan Lashet dhe Sholc me vizitat e tyre në Francë në mesin e fushatës elektorale. Angela Merkel është kritikuar shpesh për mosveprimin e saj, gjë që i dha asaj mundësinë të menaxhonte krizat, por jo të ndërmerrte rrugën e reformave.

A do të jetë më guximtar kancelari i ardhshëm, gjithnjë duke respektuar “kodet” e politikës gjermane? Kjo është pyetja themelore. Për përgjigjen do të na duhet të presim disa muaj. Por është një pritje që sigurisht do t’ia vlejë, pasi është diçka që na intereson të gjithëve. / “France Inter” – Bota.al

Back to top button