Bota

Zgjedhjet rajonale në Katalonjë, uniteti i Spanjës në rrezik

Screen Shot 2015-09-27 at 09.59.45

Rajoni i pasur po kërkon me ngulm pavarësinë nga Madridi.

Nga Hans von der Burchard

Katalonja voton sot për ato që ishin menduar si zgjedhje rajonale rutinë, por që në fakt janë kthyer në një referendum mbi pavarësinë, çka ka zemëruar qeverinë spanjolle, dhe shkaktuar një reagim çoroditës në Bruksel. Tensionet mes kryeministrit spanjoll Mariano Rahoj dhe Katalonjës – një nga rajonet autonome më të pasura dhe më të industrializuara në vend – janë rritur qëkur Gjykata Kushtetuese anuloi elemente të statutit autonom të Katalonjës në vitin 2010.

Në 11 shtator, rreth 1.5 milionë njerëz demonstruan në Barcelonë në favor të pavarësisë dhe kreut të qeverisë autonome të Katalonjës, Artur Mas, që po nxit ndarjen nga Madridi. “Çdo hap që ata kanë marrë për të krijuar një strukturë shtetërore, është analizuar dhe kontestuar nga kjo qeveri. Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë kështu”-tha të premten zv.kryeministri i Spanjës Soraja Saenz de Santamaria.

Një fitore në votimet e sotme, do t’i jepte Mas një mandat për të negociuar pavarësinë e Katalunjës me qeverinë spanjolle, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, argumenton ai. Në referendumin për pavarësi të vitit 2014 – të cilën Gjykata Kushtetuese e cilësoi të paligjshme, duke e bërë atë jo-detyrues – rreth 80 për qind votuan në favor të shkëputjes nga Spanja.

Për të ndjekur ëndrrën e tij për pavarësi, Masit do t’i duhet një shumicë absolute prej 68 vendesh në parlamentin katalanas, nga 135 vende që ka në total. Sondazhet e fundit parashikojnë një garë të ngushtë, me partinë tjetër pro-pavarësisë “Junts pel si” (Së bashku për një Po), që ndodhet shumë pranë mazhorancës absolute me 65-67 vende, sipas sondazheve të Metroscopia dhe El Mundo.

Por Mas, që bashkoi në zgjedhjet e fundit Partinë e tij Konvergjenca Demokratike e Katalunjës me Republikanët e së Majtës Katalonjase, Demokratët e Katalonjës dhe Lëvizjen e Majtë, për të formuar “Junts pel Sí” në korrik, ka mundësi të formojë një koalicioni me partinë e majtë CUP, e cila është gjithashtu në favor të pavarësisë dhe parashikohet të fitojë ndërmjet 9-11 vendeve në parlament.

Rahoj e ka bazuar fushatën e referendumit të partisë së tij, tek nxitja e frikës për të ardhmen e rajonit pa Spanjën, duke argumentuar për shembull, se një Katalonjë e pavarur s’mund të qëndrojë në BE. “Çfarë do të ndodhë me pensionet, subjektet financiare, depozitat bankare, paratë?”-tha ai në një intervistë në radio të martën, duke paralajmëruar mbi rrezikun e destabilitetit financiar. Të enjten, ministrja e tij e Bujqësisë Isabel Garcia Tejerina, shkoi më tej duke thënë se një Katalonjë e pavarur, do të humbasë 430 milionë euro vit në subvencione të BE-së.

Shtet i qëndrueshëm

Çështje thelbësore për katalanasit, është nëse një Katalonjë e pavarur mund të mbetet në eurozonë, dhe nëse ajo mund të bëhet anëtarja e 29-të e Bashkimit Evropian. Pak ditë përpara votimit, këto pyetje shkaktuan konfuzion në Komisionin Evropian. Duke iu përgjigjur një pyetjeje me shkrim, nëse shpallja e pavarësisë do të njihet nga Brukseli, Presidenti i Komisionit Zhan Klod Junker u përgjigj me një “pa koment” në anglisht – por publikoi edhe një deklaratë në spanjisht ku u shpreh:”Përcaktimi i territorit të një shteti anëtar, mund të kryhet vetëm në bazë të ligjit kushtetues kombëtar. dhe jo nga vendimi i një parlamenti autonom”.

Më vonë, KE e përshkroi këtë mospërputhje si një “gabim njerëzor”, dhe tha se vetëm teksti në gjuhën angleze duhej marrë në konsideratë. Qeveria e Katalonjës ka kërkuar një hetim mbi atë që e quan një rast të “manipulimi të mundshëm”. “Ne kemi një ekonomi të shëndetshme, me 112 përqind të PPB-së mesatare në vendet e BE-së, dhe një kontribuese e rregullt për fondet e BE-së’- tha për “Politico” Amadeu Altafaj, përfaqësuesi i përhershëm i qeverisë katalanase në BE.

Qeveria autonome, botoi një plan vitin e kaluar, duke përshkruar një rrugë të mundshme për kalimin drejt një shteti të pavarur. “Katalonja do të jetë plotësisht e angazhuar ndaj vlerave evropiane”-tha Altafaj, dhe e angazhuar tek përgjegjësi të tilla si zhvendosja e refugjatëve. “Ne duhet të ulemi me qeverinë spanjolle dhe institucionet evropiane për të folur dhe negociuar”-deklaroi Mas në fillim të këtij muaji.

Ndërsa kryeministri Rahoj, në mënyrë të përsëritur, e quan pavarësinë diçka “të pamundur”, qeveria e Mas shpreson që të divorcohet sa më shpejt nga Madridi. Në dhjetor, Spanja mban zgjedhjet kombëtare, dhe shenjat për partitë kryesore nuk janë të mira. Në zgjedhjet rajonale dhe komunale të muajit maj, Partia Popullore e kryeministrit konservator Rahoj dhe opozita kryesore, Partia Socialiste e Punëtorëve, kanë humbur së bashku një pjesë të madhe të votave.

Dy të sapoardhurit, Podemos në krahun e majtë, dhe Ciudadanos në qendrën e djathtë, janë në rritje. Edhe pse të dyja palët duan të shmangin ndarjen e Spanjës, udhëheqësi i Podemos Pablo Iglesias ka thënë se e njeh të drejtën e Katalonjës për vetëvendosje. 

“Ne shpresojmë që qeveria e ardhshme të angazhohet në diskutime konstruktive, por ne gjithashtu presim më shumë mobilizim në nivelin evropian. Qëllimi ynë është të përfundojmë procesin e pavarësisë brenda 18 muajve të ardhshëm”- tha Altafaj.

“Politico.Eu” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button