LEV TROTSKIJ
“NOVYJ MIR”
12 Mars 1917
Rrugët e Petrogradit filluan të flasin përsëri, të njëjtën gjuhë si në 1905. Si atëherë, në ditët e luftës Ruso-Japoneze, punëtorët duan bukë, paqe, liri. Ashtu si atëherë tramvajet janë ndalur dhe gazetat nuk dalin. Punëtorët zbrazin makinat e avullit, braktisin fabrikat dhe dalin nëpër rrugë. Qeveria mobilizon Kozakët. Dhe përsëri, ashtu si në vitin 1905, vetëm këto dy forca shihen në rrugët e kryeqytetit: punëtorët revolucionarë dhe trupat e Carit.
Lëvizja ka shpërthyer për shkak të mungesës së bukës. Ky nuk është padyshim një aksident. Në të gjitha vendet në luftë, mungesat e ushqimeve, janë shkaku më i drejtpërdrejtë dhe i prekshëm i pakënaqësisë dhe indinjatës, midis masave popullore. E gjithë çmenduria e luftës bëhet më se e qartë për ta, pikërisht nga kjo perspektivë: të mirat e nevojshme për të jetuar nuk mund të prodhohen, sepse ne duhet të krijojmë armët e vdekjes.
Sidoqoftë, përpjekjet e agjencive jo-zyrtare të shtypit anglo-rus për të shpjeguar gjithçka me mungesën e përkohshme të bukës dhe reshjet e dëborës, përbëjnë një nga zbatimet më absurde të politikës së strucit, kafsha që zhyt kokën në rërë, kur i afrohet një rrezik. Punëtorët nuk i braktisin fabrikat, tramvajet, shtypshkronjat, dhe nuk dalin në rrugë për të sfiduar Kozakët, vetëm sepse një masë e madhe dëbore vështirëson përkohësisht fluksin e nevojave themelore.
Greva dhe represion
Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër dhe ka shumë njerëz, madje edhe në qarqet tona, të cilët kanë harruar se lufta e tanishme, e ka goditur Rusinë ndërsa ishte në grahmat e një fermenti të fuqishëm revolucionar. Pas shtypjeve brutale të viteve 1908-1911, proletariati rus arriti të shërojë plagët e veta, gjatë dy ose tre viteve të rimëkëmbjes industriale, dhe masakra e punëtorëve grevistë në lumin Lena, në prill 1912, zgjoi përsëri energjinë revolucionare të masave të punëtorëve.
Pastaj filloi një valë grevash. Dhe në vitin e fundit para luftës, kjo valë e grevave, ekonomike dhe politike, arriti një kulm që ishte prekur vetëm në vitin 1905. Në verën e vitit 1914, kur Presidenti Francez, Raymond Poincaré vizitoi Petrogradin, Proletariati Rus ishte në një fazë të fermentit të jashtëzakonshëm revolucionar. Në kryeqytetin e mikut të tij Car, presidenti francez ishte në gjendje të shihte me sytë e tij, barrikadat e para të revolucionit të dytë rus.
Lufta më pas ndaloi valën revolucionare në rritje. Ajo që kishte ndodhur dhjetë vjet më parë, gjatë luftës Ruso-Japoneze, u përsërit. Pastaj, pas sulmeve të stuhishme të vitit 1903, në vitin e parë të luftës, 1904, ne ishim dëshmitarë të një ngërçi politik pothuajse absolut: u deshën dymbëdhjetë muaj që masat e punëtorëve të Petersburgut, të merrnin veten nga lufta dhe të dilnin në rrugë me pretendimet e tyre. E gjithë kjo ndodhi më 9 janar 1905 kur filloi, sii të thuash, zyrtarisht revolucioni ynë i parë.
Lufta që po ndodh sot, është shumë më masive se ajo Ruso-Japoneze. Duke mobilizuar miliona ushtarë në “mbrojtje të atdheut”, qeveria cariste ka thyer unitetin e proletariatit, por ka shtruar edhe pyetje të reja me rëndësi të jashtëzakonshme, për mendjet e saj më të përparuara. Pse luftë? A duhet të mbajë proletariati barrën e “mbrojtjes së atdheut”? Cilat duhet të jenë taktikat e klasës punëtore, gjatë kohës së luftës?
Ndërkohë, me konfliktin, Carizmi dhe aleatët e tij kapitalistë dhe aristokratë kanë zbuluar përfundimisht natyrën e tyre autentike: atë të kriminelëve mashtrues, të verbuar nga lakmia e pakufishme, por të paralizuar nga papërshtatshmëria.
Orekset për plaçkitje të klikave në pushtet janë rritur në të njëjtën masë me të cilën, është bërë e qartë në sytë e njerëzve, paaftësia e tyre e plotë për t’u marrë me çështjet me rëndësi parësore të krijuara nga lufta, të një natyre ushtarake, industriale dhe ushqimore. Në të njëjtën kohë, problemet e masave janë akumuluar dhe po bëhen më akute: ato probleme që lufta sjell domosdoshmërisht me vete, të shumëzuara nga anarkia kriminale e carizmit “Rasputinian”.
Masat revolucionare që në të kaluarën – mbase – nuk kishin dëgjuar kurrë për trazira revolucionare, pas ngjarjeve të luftës kanë akumuluar një zemërim të thellë kundër klasave në pushtet. Në të njëjtën kohë, në shtresat më të përparuara të klasës punëtore, përfundoi procesi i shtjellimit kritik të ngjarjeve të reja. Proletariati socialist i Rusisë e ka marrë veten nga goditja që pësoi nga kalimi në pozicionet nacionaliste të sektorëve me ndikim të Internacionales. Dhe e kuptoi që epoka e re na nxit të mos e zbutim, por ta përshkallëzojmë luftën revolucionare. Ngjarjet aktuale në Petrograd dhe Moskë janë rezultat i kësaj pune përgatitore brenda klasës punëtore.
Çorganizimi dhe mungesa e unitetit në krye të qeverisë, kolapsi i ushtrisë, pakënaqësia, pasiguria dhe frika e klasave të pasura, pakënaqësia e thellë përhapur në mesin e masave popullore, proletariati gjithnjë e më i madh në numër, ngjarjet e farkëtuara në zjarr: e gjithë kjo na jep të drejtën të pohojmë se jemi dëshmitarë të fillimit të revolucionit të dytë rus. Shpresa jonë është që shumë prej nesh të marrin pjesë. / Bota.al