Hillary Clintoni është e para grua kandidate për Shtëpinë e Bardhë, në historinë e Amerikës. “Eshtë moment historik”, tha ajo pas fitores së të martës. “Mos lejoni askënd t’ju thëtë se gjërat e mëdha nuk mund të ndodhin”
Hillary Clintoni siguroi vendin e saj në histori të martën, si e para kandidate femër për Shtëpinë e Bardhë, por Bernie Sandersi po refuzon ende që të heqë dorë.
Ish Sekretarja e Shtetit shfrytëzoi menjëherë këtë fitore të parë për të sulmuar kandidatin republikan, Donald Trump si dhe bëri një përpjekje për afrim me mbështetësit e Sandersit.
Por disa orë pas fitores euforike të Clintonit, sandersi foli përpara një turme brohoritëse në Kaliforninë e tij, duke shpallur se “lufta vazhdon”. Senatori i Vermontit u betua se do të qëndrojë në garë deri në primaret e javës tjetër në Uashington, si dhe të luftojë për drejtësi sociale, ekonomike, racore dhe mjedisore në konventën e Partisë Demokratike në Filadelfia.
Presidenti Barak Obama, që priti deri në përfundim të votimit, u telefonoi të dy kandidatëve për t’i përgëzuar për “fushatat frymëzuese që u kanë dhënë energji demokratëve”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.
Por Presidenti, i cili do të takohet me Sandersin të enjten, me kërkesë të senatorit, u vendos qartazi në krah të Clintonit, duke e përgëzuar që “siguroi delegatët e nevojshëm për kandidimin”.
“Fushata e saj historike frymëzoi miliona dhe është një vazhdim i betejës së saj jetësore për familjet dhe fëmijët e klasës së mesme”, thuhej në deklaratë.
Clintoni shpalli fitoren ekzaktësisht tetë vite pasi mbylli me humbje fushatën e saj brenda demokratëve, kundër Barak Obamës. “Faleminderit, kemi arritur një moment historik”, tha ajo gjatë një fjalimi në Brooklyn. “Fitorja e sotme nuk është për një person. Ajo u përket brezave të burrave dhe grave që kanë luftuar dhe sakrifikuar dhe e kanë bërë të mundur këtë moment”.
Clintoni hipo në skenë në Brooklyn mes brohoritjeve të turmës, në atë lloj entuziasmi shpërthyes që ka shoqëruar gjithë fushatën e saj.
Në një përpjekje për t’iu afruar mbështetësve të Sandersit, Clintoni e vlerësoi senatorin e Vermontit për shërbimin e gjatë publik dhe i bëri jehonë një pjese të retorikës së tij progresiste. /bota.al