Bota

“Zoti i madhërishëm ka premtuar të marrë hak”. Pasardhësi i Soleimanit premton hakmarrje

Mijëra njerëz morën pjesë sot në funeralin e Gjeneral Major Qassim Soleimanit në Teheran, kryeqytetin iranian, ku komandanti ushtarak u brohorit si martir, pasardhësi i tij u betua për hakmarrje dhe turma shpërtheu në thirrje “Vdekje Amerikës”.

“Zoti i Plotfuqishëm ka premtuar se do të marrë hakun e tij dhe Zoti është hakmarrësi kryesor,” u zotua Esmail Ghaani, gjenerali iranian që do të marrë përsipër forcën e Quds, krahu i huaj i organizatës paramilitare elitare të Iranit, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. “Sigurisht që do të ndërmerren veprime,” shtoi ai.

Gjenerali Soleimani u vra nga Shtetet e Bashkuara të premten në Bagdad në një sulm me dron. Zyrtarët amerikanë thanë që gjenerali kishte porositur sulme ndaj amerikanëve në Irak dhe Siri dhe po planifikonte një valë sulmesh të menjëhershme.

Vrasja e tij ka rritur frikën e përshkallëzimit të veprimeve hakmarrëse nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe një konflikt më të gjerë rajonal. Pas sulmit, Irani tha se nuk do të respektonte më një marrëveshje të vitit 2015 për të pezulluar prodhimin e uraniumit.

Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, qau publikisht në varrim ndërsa ofronte lutje mbi arkivolin e gjeneralit. Ayatollah Khamenei kishte një lidhje të ngushtë me gjeneralin, i cili konsiderohej gjerësisht si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran.

Vajza e gjeneralit Soleimani, Zeinab Soleimani, tha teksa lexonte elegjinë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tani do të përballen me një “ditë të errët”.

“Ti Trump i çmendur, simbol i injorancës, skllav i Zionistëve, mos mendo se vrasja e babait tim do të përfundojë gjithçka,” tha ajo në funeral.

Në funeralin e gjeneralit morën pjesë një masë e madhe iranianësh, përfshirë reformatorë që kundërshtojnë qeverinë e Presidentit Hassan Rouhani, por që e perceptuan vrasjen si një sulm ndaj të gjithë Iranit. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button