Histori

Dhjetë fakte të jashtëzakonshme, rreth Spartës së Lashtë

Screen Shot 2016-08-08 at 07.52.44

Sparta e Lashtë ishte e vendosur në një rajon të njohur si Lakonia në pjesën juglindore të Peloponezit. Edhe sot, joshja ndaj qytet-shtetit të shquar grek tërheq ende vëmendjen dhe imagjinatën tonë. Thjeshtësia e mënyrës së jetës, stabiliteti politik, sistemi i rreptë edukativ, si dhe “prodhimi” i luftëtarëve më të mirë grekë, qenë disa nga arsyet pse Sparta e Lashtë admirohej nga shumë qytete të tjera greke.

10. Lakonikë dhe të drejtpërdrejtë

Përveç reputacionit të tyre si luftëtarë të shkëlqyer, spartanët qenë të njohur edhe për lakonizmin dhe të qënit të drejtpërdrejtë në fjalët e tyre. Pak para se Filipi i Maqedonisë (babai i Aleksandrit të Madh) të pushtonte Lakoninë, ai u shkroi një letër spartanëve duke u thënë:”Nëse arrij të pushtoj Lakoninë, do t’iu dëboj prej andej”.

Spartanët i kthyen përgjigje me vetëm një fjalë:”Nëse”. (Plutarku, Mbi bisedën:511A). Filipi hyri në Lakoni, dhe i dërgoi një tjetër letër spartanëve, duke i pyetur nëse do të prisnin si mik apo armik. Spartanët iu përgjigjën:”Asnjëra”. (Plutarku, “Thëniet e spartanëve”: 233e).

Plutarku shkroi se spartanët nuk flisnin shumë, porse ajo që thoshin tërhiqte vëmendjen e dëgjuesit, në një kohë që hynin direkt në thelbin e çështjes (“Jeta e Likurgut”:19). Një komedi e humbur greke (ne dimë disa fragmente të saj për shkak të citateve), ka pasur një frazë që thoshte:”Më e shkurtër se një letër e dërguar nga Sparta”.

9. Shtypja e korrupsionit dhe lakmisë

Ndjekja e pasurisë materiale dhe kryesisht çdo veprimtarie tjetër jashtë karrierës ushtarake, dekurajohej nga ligji spartan. Hekuri ishte i vetmi metal që lejohej për prodhimin e monedhave; ari dhe argjendi qenë të ndaluar. Sipas Plutarkut (“Jeta e Likurgut”:9), spartanët i kishin të gjitha monedhat e tyre prej hekuri.

Për këtë arsye, një vlerë e vogël kërkonte një peshë dhe vëllim të madh monedhash. Transportimi i një sasie të konsiderueshme vlere në monedhash kërkonte angazhimin e disa njerëzve dhe ruajtjen e tyre në një dhomë të madhe. Kjo e bënte të vështirë ryshfetin dhe vjedhjen në Spartë. Pasuria nuk ishte e lehtë për t’u gëzuar, dhe thuajse e pamundur për t’u fshehur.

8. Shtypja e dembelizmit

Luftëtarët spartanë duhej të ishin i fortë dhe të aftë. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë, që ishin ende në proces për t’u bërë luftëtarë. Aeliani (Histori të ndryshme:14.7) thotë se se ligji Spartan kërkonte nga të rinjtë të qëndronin të zhveshur në publik, në mënyrë që trupat e tyre të mund të inspektoheshin. Ky qe një kontroll rutinë, i cili kryhej çdo 10 ditë, dhe ata duhet të tregonin një fizik të shëndetshëm dhe të fortë. Ata që kishin gjymtyrët të dobët, dhjamë të tepërt trupor, rriheshin dhe kritikoheshin.

7. Burracakëria

Ksenofoni (Kushtetuta e Spartes:9.4) jep një listë të detajuar të pasojave shkatërrimtare me të cilat mund të përballej një ushtar Spartan, nëse ai perceptohej si një burracak. Sipas kësaj liste, cilido do të kishte turp të ndante qofte edhe një vakt bukë me një frikacak, dhe të luftonte me të gjatë stërvitjeve në gjimnaz.

Ai nuk do të përzgjidhej nga shokët për lojërat me top, dhe duhej tu hapte rrugën të tjerëve kur kalonin në rrugë, ai duhej t’i lironte vendin e tij më të rinjve, nuk do të qe në gjendje të gjente një grua për t’u martuar, dhe mund të rrihej në rast se sillej në një mënyrë që do t’i çonte të tjerët të besonin se ai nuk ishte një frikacak.

Gjatë betejës së famshme kundër persëve në Termopile, një ushtar spartan i quajtur Aristodemus vuante nga një sëmundje në sy, dhe qe tepër i sëmurë për të luftuar . Pas kthimit në Spartë, ai cilësua si “frikacaku Aristodemus”. Një vit më vonë, Aristodemusi luftoi dhe vdiq trimërisht në betejën e Plataeas dhe e rifitoi nderin e tij. Plutarku shton një tjetër formë të dënimit për burracakërinë. Ai shkroi se frikacakët duhej të shëtisnin (“Jeta e Agesilausit”:30) “të parregulluar, të veshur me rroba me arna dhe të pista, dhe me njërën anë të mjekrës së tyre të rruar”.

6. Martesa

Edhe pse ligji spartan nuk lejonte askënd të martohej mbi moshën 20-vjeç, meshkujt kishin detyrimin për të jetuar në repartet e ushtrisë deri në moshën 30-vjeç. Për rrjedhojë, çiftet e reja të martuara qenë të detyruar të konsumonin martesën e tyre si një lloj çështje të paligjshme dhe të fshehtë. Shumë çifte do të kishin edhe fëmijë disa vite para se të jetonin në një shtëpi.

Madje edhe gjatë natës së tyre të dasmës, një çift spartan i sapomartuar duhej të sillej sikur qe duke bërë diçka të gabuar.

Një nuse spartane vishej si burrë dhe shtrihej në një shtrat në një dhomë gjumi të errët. Burri i saj duhej të hynte vjedhurazi në dhomë, duke u siguruar paraprakisht që askush të mos e vinte re praninë e tij. “Kjo do të vazhdonte për një kohë të gjatë, dhe disa Spartanë u bënë madje baballarë para se të shihnin gratë e tyre ditën për diell”.(Plutarku, “Jeta e Likurgut”:15).

5. Ilotët

Spartanët kishin skllevër, të njohur si “ilotë”, të cilët ishin të punësuar si fermerë, shërbëtorë shtëpie, si dhe në shumicën e aktiviteteve që mund të pengonin Spartanët nga detyrat e tyre ushtarake. Ilotët ishin kulturalisht grekë, të shndërruar në robër nga spartanët dhe me pushtimet e reja, numri i tyre u rrit ndjeshëm.

Gjatë fundit të shekullit VIII dhe pas një lufte të gjatë, spartanët aneksuan Mesenian (në jugperëndim të Peloponezit), dhe banorët e tij u kthyen në skllevër dhe u quajtën ilotë. Platoni (Kritia, fragment 37) thotë se Spartanët kishte drynë të veçantë në dyert e shtëpive të tyre për shkak nuk kishin shumë besim tek ilotët.

Është gjithashtu një fakti i njohur se spartanët kanë patur një polici sekrete, Kripteia, e cila qe përgjegjëse për mbajtjen nën kontroll të ilotëve. Sipas Plutarkut (“Jeta e Likurgut”:28), Kripteia do të vriste çdo skllav që endej rrugëve të qytetit gjatë natës, apo edhe çdo skllav që shfaqej i fortë dhe i aftë gjatë ditës.

4. Mbretërit Spartanë

Sparta kishte dy mbretër që u përkisnin dinastive të ndryshme mbretërore. Edhe pse fuqia e tyre ishte i kufizuar, njëri nga ata do të kishte për detyrë të komandonte ushtrinë në kohë lufte. Mbretërit Spartanë ishin pasardhës të Perëdisë Herakli. Të paktën, kjo është ajo që pretendon gjenealogjia zyrtare e mbretërve Spartanë.

Qënia e dy familjeve mbretërore në pushtet ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me idenë e një origjinë të përbashkët, çka çoi në një shpjegim imagjinar:Gjatë brezit të pestë pas Herakliut, bijtë binjakë, Egisi dhe Euriponi, lindën për t’u bërë mbretër. Kjo ishte origjina mitike e emrave të familjeve qeverisëse, Egiadët dhe Euripontidët. Herodoti ofron një listë të plotë gjenealogjike mbi prejardhjen e Leonidhës dhe Leotikidës, dy mbretërve spartanë rreth kohës së Luftërave Persiane. (Historitë:7.204.480 për Leonidhën dhe 8.131.2 për Leotikidën).

3. Eforët

Eforët qenë një degë e qeverisë spartane, me asnjë ngjashmëri me pjesën tjetër të botës greke. Ata përzgjidheshin çdo vit nga grupi i qytetarëve meshkuj. Roli i tyre ishte të balanconin dhe plotësonin rolin e mbretit. Eforët ishin gjykata e lartë civile, dhe kishin juridiksion penal mbi mbretërit. Këta të fundit betoheshin mbi kushtetutën spartane, ndërsa eforët betoheshin të mbështesnin mbretin për sa kohë ai e mbante betimin e tij. Kur mbreti shkonte në luftë, dy nga eforët do t’i bashkoheshin për të mbikëqyrur veprimet e tij. Gjatë mungesës së mbretit, disa nga përgjegjësitë e tij do t’u delegoheshin eforëve.

2. Gratë Spartane

Roli i grave në Spartë ishte i ndryshëm në krahasim me pjesën tjetër të Greqisë. Në përgjithësi, ato kishin shumë më tepër liri. Nuk qenë të izoluara si në shumë qytete të tjera greke, dhe vajzat duhej t’i nënshtroheshin të njëjtit trajnim fizik si edhe djemtë. Ato gjithashtu bënin gjimnastikë krah për krah me djemtë, të gjithë të zhveshur.

Femrat trajnoheshin në hedhjen e shtizës, vrapim, mundje, dhe hedhjen e gjyles, në mesin e aftësive të tjera. E gjitha kjo supozohej t’i bënte gratë më të forta, më fleksibël, dhe më të stërvitura për të duruar vështirësitë e të rriturit fëmijë. Gratë spartane kishin reputacionin në mesin e grekeve të tjera të të qenit të dëlira.

Ky admirim, bashkëjetonte me faktin se nëse një grua e martuar ishte pa fëmijë, shteti mund ta urdhëronte të shihte nëse një burrë tjetër mund të bënte një punë më të mirë për sjelljen ne jetë të një fëmije. Zakonisht, femrat do ta pranonin këtë iniciativë. Ligji spartan ishte i rreptë në lidhje me inkurajimin e lindjes së fëmijëve të tjerë, dhe kishte pak ose aspak hapësirë për të manovruar në këtë kuadër.

1. Ushtria Spartane

Qytetarët spartanë priteshin të bëheshin ushtarë profesionistë, një proces që fillonte me largimin e fëmijëve nga shtëpitë e tyre që në moshën 7-vjeçare. Të rinjtë spartanë ndaheshin sipas grupmoshëave dhe jetonin në kapanone ushtarake. Nga mosha 7-vjeç, spartanët duhej t’i nënshtroheshin një trajnimi të rëndë atletik dhe ushtarak.

Plutarku (“Zakone Spartane”:239d) thotë se djemtë spartanë rriheshin me kamxhik një ditë të tërë në altarin e Artemisës dhe ata duhej të toleronin këtë sjellje, duke konkurruar me njëri-tjetrin për të parë se kush qe në gjendje t’i rezistonte numrit më të madh të goditjeve.

Trajnimi i tyre bëhej edhe më intensiv në moshën 20-vjeçare. Në këtë kohë, ata u bashkoheshin të rriturve. Aftësitë e tyre në fushën e betejës, u lejonin të përballeshin me çdo ushtri tjetër greke. Nuk ishte rastësi që Sparta nuk pati nevojë për fortifikime, gjatë pjesës më të madhe të historisë së saj. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button