Njerëzit toksikë janë kudo, dhe shumica prej nesh njohim të paktën një të tillë. Ne mund të jetojmë me ta, të punojmë me ta, apo t’i njohim në shoqëri. Dhe nëse keni kaluar kohë me njerëz toksikë, ju e dini tashmë se sa shkatërrues dhe lodhës mund të jenë.
Ashtu si me gjithë llojet e toksinave, ju duhet të kufizoni ekspozimin dhe të mbani veten të mbrojtur. Por një hap i parë shumë i rëndësishëm është të dalloni se kur një njeri është toksik. Fatkeqësisht, njerëzit toksikë nuk janë me “etiketë”. Por ja gjërat që duhet të shihni:
- Arrogancë toksike
Ka një dallim të madh mes vetëbesimit dhe arrogancës. Vetëbesimi frymëzon: arroganca tremb. Njerëzve arrogantë gjithmonë u duket se dinë më shumë dhe ndihen superiorë ndaj të tjerëve. Ata nuk e lejojnë kurrë vetëbesimin tuaj, sepse bie ndesh me arrogancën e tyre.
2. Viktimizëm toksik
Një prej llojeve më të rrezikshëm të njerëzv që mund të keni rretherrotull është viktima e përjetshme. Këta shohin problemet dhe gabimet e tyre dhe gjithmonë gjejnë të tjerë për të fajësuar, që nga shefi i paarsyeshëm, deri tek prindërit që “nuk i duan”. Ata nuk e marrin kurrë përgjegjësinë për jetën e tyre.
3. Kontrolli toksik
Njerëzit kontrollues dinë gjithçka si dhe mënyrën më të mirë për të bërë gjithçka. Thellë-thellë, ata janë zakonisht shumë të pasigurtë, por sa kohë që ata janë përreth, ju nuk do e keni asnjëherë shansin të shprehni një ide apo të bëni diçka vetë.
4. Zilia toksike
Ata që u ka pllakosur xhelozia nuk janë kurrë të lumtur me atë që kanë, dhe nuk janë në gjendje të jenë të lumtur kur juve ju ndodhin gjëra të mira. Ata nuk e vlerësojnë kur të tjerët arrijnë diçka apo ecin përpara; ata ndiejnë që, nëse një gjë e mirë do të ndodhë, ajo duhet t’u ndodhë vetëm atyre.
5. Gënjeshtra toksike
Sa kohë që ka njerëz, do të ketë edhe gënjeshtarë. Por gënjeshtarët kronikë janë të dëmshëm sepse ju nuk e dini kurrë se çfarë të besoni, kështu që nuk mbështeteni dot tek premtimet apo fjala e tyre. Ata ju gënjejnë për të tjerët, dhe ju gënjejnë edhe për veten tuaj.
6. Negativiteti toksik
Ndoshta e njihni dikë që është gjithë kohës i zemëruar dhe i pakënaqur, dyshues ndaj gjithçkaje. Negativiteti i shkatërron marrëdhëniet, dhe të kalosh kohë me njerëz negativë, ndihesh sikur po thithin jetën prej teje.
7. Babëzia toksike
Kaq shumë gjëra në kulturën tonë na thonë të kërkojmë më shumë, të fitojmë më shumë. Dhe deri në një farë mase, kjo lloj dëshire dhe ambicie mund të jetë e mirë. Por ajo bëhet toksike kur njerëzit i duan të gjitha – ato që janë të tyret dhe ato që nuk janë – dhe kur të paturit – jo të bërit apo të qënit – shndërrohet në fokusin e jetës së tyre.
8. Gjykimi toksik
Ka një dallim të madh mes të bërit të një gjykimi dhe të jesh gjykues. Gjykimet janë objektivë dhe bazohen në atë që shihet, ndërkohë që të jesh gjykues apo paragjykues, do të thotë të jesh gjithë kohës kritik. Njerëzit e tillë gjithmonë kërcejnë në konkluzione me shpejtësi. Ata janë dëgjues dhe komunikues të këqinj.
9. Thashetheme toksike
Thashethemexhinjtë e shohin veten sikur po bëjnë një bisedë të thellë për dikë, një shkëmbim informacioni. Ata e bëjnë që të ngrejnë vetveten mbi pasiguritë e tyre, dhe nuk ka dallim mes spekulimit dhe faktit. Pak gjëra janë më shkatërrimtare, se sa thashethemet.
10. Mungesë karakteri toksike
Kur dikujt i mungon integriteti dhe ndershmëria – kur bën hile, gënjen, manipulon, bën thashetheme dhe babëzia është pjesë e jetës – ka shumë pak gjëra që këta njerëz nuk i bëjnë, për t’iu dalë e tyrja. Nëse vendosin që ju jeni pengesë për ta, ata do t’ju vërsulen me gjithçka që kanë.
Nëse ndonjë prej të mësipërmeve ju tingëllon e njohur, mund të jeni duke vuajtur nga ekspozimi ndaj një personi toksik. Mos prisni të nesërmen për t’u pastruar. Dhe nëse nuk mundeni, qëndroni sa më larg dhe i ruajtur, siç do të bënit edhe me një kemikat të rrezikshëm. /bota.al