Speciale

10 përfitime për të mos u injoruar: Ja pse duhet të lexosh përditë

Screen Shot 2015-06-15 at 09.30.38

Lana Winter-Hébert

Kur ke lexuar për herë të fundit një libër, ose një artikull të rëndësishëm reviste? A mos leximi yt i përditshëm përqëndrohet përreth Twitterit, përditësimeve të Facebook-ut, apo udhëzimeve në kutinë e drithërave që do të hash në vaktin e radhës? Nëse jeni një nga të shumtët që nuk e kanë shndërruar në zakon leximin e rregullt, mund të jesh duke humbur shumë. Të lexuarit ka një numër domethënës të mirash, dhe disa prej tyre po i rendisim këtu:

BKT Reklama

1. Stimulimi Nervor

Studimet kanë treguar se duke qëndruar mendërisht i stimuluar, mund të zvogëlosh progresin (ose ndoshta edhe ta ndalojë) e Alzhaimerit dhe Demencës, duke qenë se mbajtja e trurit në aktivitet, parandalon humbjen e fuqisë së tij. Ashtu si çdo muskul tjetër në trup, truri kërkon ushtrim për ta mbajtur të fuqishëm dhe të shëndetshëm, kështu që fraza “përdore, ose humbe”, është veçanërisht e përshtatshme kur bëhet fjalë për mendjen tënde. Edhe zgjidhja e gjëzave, apo shahu janë një ndihmë e madhe për stimulimin konjitiv.

2. Zvogëlimi i stresit

S’ka rëndësi se sa shumë stres keni në punë, në marrëdhëniet tuaja personale, ose çështje të tjera të panumërta me të cilat përballeni në jetën e përditshme, e gjitha rrëshqet tutje, kur zhytesh në një histori të bukur. Një roman i shkruar mirë mund të të shpjerë në sfera të tjera, ndërsa një artikull angazhues do të ta largojë vëmendjen dhe do të të mbajë në një moment të të tashmes, duke lënë tensionet të largohen dhe duke mundësuar relaksimin.

3. Dije

Çdo gjë që lexon mbush kokën tënde me copa të reja informacioni, dhe nuk mund ta dish se kur do të të duhen. Sa më shumë njohuri të kesh, aq më mirë i pajisur je për të trajtuar çdo sfidë me të cilën do të përballesh. Ja dhe dicka që nuk duhet ta harrosh: nëse e gjen veten në rrethana të tmerrshme, mbaj mend se, megjithëse mund të humbasësh çdo gjë tjetër – punën, zotërimet, paratë, madje edhe shëndetin – dijet nuk do të munden të t’i marrin kurrë.

4. Zgjerim i fjalorit

Kjo shkon me pikën e mësipërme: sa më shumë lexoni, aq më shumë fjalë përftoni, dhe ato do ta gjejnë padyshim rrugën për të hyrë në fjalorin tënd të përditshëm. Ti artikulosh mirë fjalët dhe të flasësh gjithashtu mirë, është një ndihmë e madhe në çdo profesion, dhe të dish se mund të flasësh ndaj njerëzve me pozitë, i mbushur me vetëbesim, mund të të rrisë shumë vetëvlerësimin. Kjo mund edhe të të ndihmojë në karrierë, ndërsa ata që janë të kënduar, që shkruajnë pa gabime, dhe me njohuri për më shumë terma, priren të sigurojnë  ngritje në detyrë më shpejt (dhe më shpesh), sesa ata me fjalor më të vogël, dhe të cilëve iu mungojnë njohuritë mbi letërsinë, zbulimet e mëdha shkencore, dhe ngjarjet globale. Leximi i librave është gjithashtu jetësor për të mësuar gjuhë të reja, ashtu sikurse do të përmirësonte vetë të folurin dhe rrjedhshmërinë në të shkruar.

5. Përmirësimi i kujtesës

Kur lexon një libër, të duhet të kujtosh llojin e personazheve, të kaluarën e tyre, ambiciet, historinë, dhe ngjyrimet, si edhe temat e ndryshme dhe nën-subjektet, që i gjen pothuajse në çdo histori. Eshtë goxha gjë për t’u mbajtur mend, por mendja është dicka e mrekullueshme dhe mund të kujtojë relativisht lehtë këto gjëra. Cdo kujtim i ri që krijoni, farkëton sinapse të reja dhe forcon ato ekzistuese, gjë e cila ndihmon kujtesën afat shkurtër, si edhe vendosjen e humorit. Sa fantastike është kjo?

6. Aftësi analitike të menduari më të forta

A ke lexuar ndonjëherë një roman misterioz të mrekullueshëm, dhe ta kini zgjidhur vetë misterin përpara se ta mbaroni librin? Nëse po, ti ke mundësi të vendosësh të menduarin kritik dhe mendimin analitik në punë, duke marrë shënime për të gjitha detajet e ofruara dhe duke i renditur ato për të gjetur: “Kush e ka bërë atë”? E njëjta aftësi për të analizuar detajet, hyn në punë kur vjen fjala për të kritikuar subjektin; duke përcaktuar nëse ishte një pjesë e shkruar mirë, nëse personazhet ishin të zhvilluar sa duhet, nëse linja e veprimit ecte butë, e të tjera. Sikur të kishe ndonjëherë një rast për të diskutuar librin me të tjerët, do të kishe mundësinë t’i rendisje qartë mendimet.

7. Përmirësim i përqëndrimit

Në botën tonë të çmendur pas internetit, vëmendja tërhiqet në një milionë drejtime të ndryshme përnjëherësh, ndërsa kryejmë shumë veprime gjatë ditës. Në një hapësirë kohe të vetme prej 5 minutash, një person i zakonshëm do ta ndajë kohën e tij midis punës mbi një detyrë, kontrollit të postës elektronike, bisedës me një çift njerëzish (përmes chat-it, skype, etj.), kontrollit të Twitterit, monitorimit të celularit, dhe bashkëveprimit me bashkëpunëtorët. Kjo lloj sjelljeje e ngjashme me Attention Deficit Disorder (ADD) shkakton rritjen e niveleve të stresit, si dhe ul prodhimtarinë tonë. Kur lexon një libër, e gjithë vëmendja është e fokusuar në tregimin – pjesa tjetër e botës thjesht nuk ekziston, dhe ti mund të zhytesh në çdo detaj, të cilin po e përthith. Përpiqu të lexosh për 15-20 minuta përpara pune, dhe do të çuditesh sesa shumë i përqëndruar je, sapo arrin në zyrë.

8. Aftësi më të mira shkrimi

Kjo ecën dora dorës me zgjerimin e fjalorit: ekspozimi ndaj veprave të botuara, të shkruara mirë ka një efekt në mënyrën si ti shkruan, ndërsa është vërtetuar se ritmi, rrjedhshmëria, dhe stilet e shkrimit të autorëve të tjerë do të influencojë në mënyrë të padiskutueshme vetë punën tënde. Në të njëjtën mënyrë që muzikantët influencojnë njëri-tjetrin, dhe piktorët përdorin teknika të vendosura nga mjeshtra të mëparshëm, po kështu edhe shkrimtarët mësojnë sesi ta hartojnë prozën, duke lexuar veprat e të tjerëve.

9. Qetësia

Duke shtuar shtendosjen e cila shoqëron leximin e një libri të mirë, është e mundur që tema që po lexon mund të të sjellë paqe dhe qetësi të pafundme shpirtërore. Leximi i teksteve shpirtërore mund të zvogëlojë presionin e gjakut dhe të sjellë një ndjesi të thellë zbutjeje, ndërsa leximi i librave pë rritjen e vetëvlerësimit është provuar se ndihmon njerëzit që vuajnë nga çrregullime të caktuara të humorit, apo edhe nga sëmundje të buta mendore.

10. Zbavitje pa Pagesë

Megjithëse shumë prej nesh pëlqejmë të blejmë libra, me qëllim që t’i mbushim me shënime dhe t’i palosim faqet në cepa për referime të ardhshme, ata mund të jenë goxha të kushtueshëm. Për zbavitje me buxhet të vogël, ti mund të vizitosh biblotekën e qytetit dhe të “prehesh” në lavdinë e vëllimeve të pallogaritshme, në dispozicion atje, pa pagesë. Bibliotekat kanë libra në çdo subjekt të imagjinueshëm, dhe derisa ato e qarkullojnë fondin e tyre dhe në mënyrë konstante marrin libra të rinj, asnjëherë nuk do të mbarojnë materialet për lexim.

e.xh./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button