Kinema & TV

100 vjetori i Ingmar Bergman, regjisorit gjenial suedez

Ka artistë që për arsye të ndryshme gjenialiteti u njihet fillimisht në kultura të tjera të largëta se sa në atë të tyre. Ky është rasti i regjisorit suedez, Ingmar Bergman që në vitin 1952 me 10 filma fitoi çmimin e parë ndërkombëtar për “Rini, thesar i mrekullueshëm” në festivalin e“Festival de Punta del Este”, Uruguaji dhe 7 vite më vonë triunfoi në “Festival de Mar del Plata”, Argjentinë. Bergman mori vlerësimin e intelektualizmit europian kur “Buzëqeshje të një nate vere”, 1955 dhe “Vula e shtatë” 1957 fitoi çmimet e para të Festivalit të Kanës. Bëhen 100 vjet në Upsala, një qytet 100 km nga Stokolmi kur lindi Bergman, djali i një pastori luterian, i cili qysh në fillimet e jetës u brumos me mësime morale dhe edukim fetar, të cilët do të luanin një rol kyç në ndërtimin e realitetit të tij dhe do të kishte jehonë në moshën e rritur, jo tek sjellja, por tek vepra e tij kinematografike. Në “Feneri magjik”, libri i tij i kujtimeve shkroi: “I gjithë edukimi ynë u bazua në koncepte të tilla si mëkati, rrëfimi, dënimi, falja dhe mëshira, faktorë konkretë në marrëdhëniet mes etërve dhe bijve dhe me Zotin”. Besimi, faji, dashuria, hakmarrja dhe vdekja janë disa nga temat e autorit që propozonte dialogje të brendshëm të natyrës ekzistenciale dhe duke u nisur nga një objektiv i ngadaltë, i qëllimshëm me pauza të qëllimshme, kërkonte të nxiste dyshime tek spektatori dhe që përvoja të mos ishte vetëm rrëfimtare, por edhe introspektive. Ky stil ashtu si edhe ai i rusit, Andrei Tarkovski kishte avantazh vendosjen e temës, syrin tek interpretimi me imazhe që kërkonin të trasmetonin pastërti, ekuilibër edhe pse në çmenduri dhe nga ku mesazhi ishte thelbësor. Për 100 vjetorin e tij do të shfaqet “Trespassing Bergman”, një serial dokumentar që tregon në zërat e regjisorëve të famshëm siMartin Scorsese, John Landis, Takeshi Kitano, Wes Craven, Woody Allen, Zhang Yimou, Ridley Scott, Francis Coppola dhe Wes Anderson, se cili ishte ndikimi i suedezit në kinemanë ndërkombëtare. Për të gjithë ata që ende nuk janë familjarizuar me veprën e tij po bëjmë një përzgjedhje të filmave të tij kryesorë.

“Summer with Monica”. Edhe pse kishte 10 vite karrierë si skenarist dhe regjisor ky film përfaqëson një prezantim në shoqëri, larg errësirës, larg nga temat e mëdha, që qetëson shpirtin, është një himn për dritën, për energjinë e rinisë para presionit, për çmagjepsjen e botës së të rriturve, për dashurinë dhe mbi të gjitha për lirinë. Një çift i ri gjendet në kushte pune jo të pëlqyeshme dhe vendosin të arratisen me një varkë deri në një ishull për të kaluar disa javë bashkë. Në fillim gjithçka duket idilike, por realiteti fillon të ngrejë krye me kalimin e kohës. Filmi u duartrokit nga kritika franceze dhe ndikoi në ato që më vonë do të quheshin “nouvelle vague” si dhe të llojit “road movie”, është një nga filmat më origjinalë. Sensualiteti dhe seksi luajnë një rol të rëndësishëm sidomos në ato skena që u quajtën skandaloze për kohën.

“The seventh seal”. Janë të paktë filmat në historinë e kinematografisë që vlerësohen vetëm me një imazh. Antonius Block është një kalorës suedez që kthehet në vendin e tij pas një kryqëzate për t’u ndeshur me faktin se murtaja dhe injoranca kanë shkatërruar jetën. Aty shfaqet Vdekja, mbretëresha e tokës që pranon të luajë me të një lojë shahu. Vepra është e frymëzuar nga piktori mesjetar gjerman, Albertus Pictor dhe është një përfaqësim i shkëlqyer i Bergmanit, i karakterizuar nga një qetësi që mund ta kenë vetëm ngjarjet më trashendentale, sesa vetë ekzistenca. Jeta nuk është më shumë se një lojë, një ndeshje kundër fatkeqësisë, kundër vdekjes edhe pse është në dorën e vetë njeriut për të fituar kohë nga kjo zbritje, që gjatë rrugës të mund t’u përgjigjet pyetjeve, shqetësimeve, pendimeve që e përbëjnë atë si kuptimi i luftës, urisë ose padrejtësitë mes shumë temave të tjera.

Wild strawberries. Iluzioni, reflektimi, onirikja dhe realja bashkohen në një nga filmat më të vlerësuar. Një profesor i vjetër në moshë merr një udhëtim me makinë deri në Stokolm ku do të nderohet së bashku me nusen e tij. Në skenën e hapjes frika nga vdekja lind si lajmotiv për këtë vepër introspektive që do ta çojë tek fëmijëria pas vizitës së nënës dhe më pas do të përshkruajë rininë, dashurinë e parë, kujtimet që e pushtojnë tregojnë anën më egoiste, më të ftohtë dhe false të së kaluarës së tij. Ky film është themeluesi i atij që do të quhej “surrealizmi i dytë”, hodhi bazat e kinemasë për vitet 60, në të cilin imagjinata dhe ëndërrimet hyjnë në kufij gjithnjë e më të përhapur. Në këtë film lëvizet në plane të ndryshme me një natyrshmëri të bollshme si në kohë, në hapsirë, në ëndrra dhe në realitete. Impulsi që lëviz këtë film është një përpjekje e dëshpëruar, e justifikuar e drejtuar tek ata prindër indiferentë dhe të ekzagjeruar, një përpjekje e destinuar për shkatërrim. “Prindërit e mi u shndrruan në persona me përmasa normale shumë vite më vonë,” – shkruante në librin e tij, “Imazhe”  Bergmani. Përpos këtyre ai ka edhe një seri të tërë filmash me mbi 60 tituj të tillë si “Fanny and Alexander”, “The virgin spring”, “Through a Glass Darkly”, “Persona”, “Cries and Whispers”, “Saraband” për të përjetuar një përvojë të Bergmanit shumë më të plotë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button