Në ditët dhe javët pas 11 shtatorit, një numër shkrimtarësh pyetën se cila mund të jetë e ardhmja e letërsisë pas një thyerjeje të tillë. Komentet i bënin jehonë filozofit Theodor Adorno: “Të shkruash poezi pas Aushvicit është barbare”. Sot, është e qartë që sigurisht që letërsia e ka një të ardhme. Disa shkrimtarë kanë trajtuar ngjarjet e atij shtatori “me kokë”; të tjerë e kanë përdorur episodin si një nxitës për të parë botën perëndimore të shkundur nga vetëkënaqësia e saj. Cilësia e prodhimit, në të gjithë fushat e krijimit, është e ndryshme.
Libri “The Good Life” i Jay McInerney ishte një vështrim para dhe pas ngjarjes, i një çifti që u detyrua të rishikojë marrëdhënien e vet pas ngjarjeve; “Extremely Loud and Incredibely Close” i Jonathan Safran Foer kishte një numër momentesh prekës, por ishte së fundi shumë i gjatë për të mbajtur dhe vetveten. “Falling Man” i Don Delillo ishte një lloj i çuditshëm romani, të cilit i mungonte dendësia e veprave të tjera të tij, por gjithësesi kapte disa prej momenteve më rrënqethës të ngjarjeve: “Kur shfaqet avioni i dytë”, komenton Keith teksa ai dhe Lianne shikojnë filmimet e qarkulluara pa fund të sulmeve, “ne jemi pak më të moshuar dhe pak më të mençur”.
Ka tre arsye të rëndësishme përse nuk mund të shkruash një roman të mirë për 11 shtatorin. E para është se sulmi kundër Qendrës Botërore të Tregtisë ishte një ngjarje e madhe dhe e fuqishme, e cila lë në hije dhe dominon elementët letrarë të një romani; zakonisht, shkrimtarët i largohen përzgjedhjes së një ngjarje kaq të madhe dhe të pabesueshme si sfond për historinë e tyre. Libri i McInerney është më i varfëri, sepse personazhet e tij ngjajnë shumë të zbehtë në anë të kullave që digjen dhe shpirtërave në ankth. Për këtë arsye, jo letërsia, por të tjerë kanë qenë shpesh mjetet më të mirë për të përcjellë ngjarjet e asaj dite.
Arsyeja e dytë është se e gjithë krijimtaria e çdo lloji vërtitet përreth një lloj krize, e brendshme apo e jashtme, përgjatë të cilës duhet të ecë libri. Kjo mund të marrë shumë forma. Por 11 shtatori është në një kuptim një krizë më e madhe nga sa mund të mbajnë apo rrokin shumë romane; është një situatë ku e vërteta është më e madhe dhe më e çuditshme se sa letërsia.
Kjo është ndoshta arsyeja përse shumë shkrimtarë kanë përzgjedhur 11 shtatorin si një pedanë për të parë një grup apo një tip personash që nuk e kanë menduar më parë. Martin Amis shkruajti një tregim të shkurtër në zërin e një prej rrëmbyesve të 11 shtatorit. “Terrorist” i John Updike gjurmonte botën e një aspiranti për kamikaz, për shembull. Ngjarjet në atë libër zhvilloheshin në mesoAmerikën urbane dhe shumë prej personazheve njiheshin edhe nga libra të tjerë, por personazhi kryesor, një adoleshent që radikalizohet, qëndron jo rehat në këtë kontekst – fatkeqësisht, i pavend për personazhin por edhe për romanin.
Gjëja e tretë që e bën të vështirë të shkruash një roman të suksesshëm për 11 shtatorin është thjeshtë se është shumë herët. Edhe pse jemi 13 vjet më vonë, kjo është e vërtetë. “Catch 22”, një prej romaneve më të mirë për Luftën e Dytë Botërore, u shkruajt vetëm në vitin 1961. Dhe për arsye se 11 shtatori ishte një ditë në jetën e botës, gjurmët e kujtimeve personalë janë ende shumë të fortë. Eshtë e vështirë të transmetosh një ngjarje të cilën njerëzit e mbajnë mend ende shumë mirë.
E gjithë kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk munden apo nuk duhet të shkruajnë për 11 shtatorin. Por shpjegon përse disa prej librave më të mirë për 11 shtatorin e marrin atë si element dhe nuk e vënë në qendër të historisë: ata guxojnë ta bëjnë një ditë kaq të rëndësishme thjeshtë një sfond, dhe nuk pretendojnë ta kuptojnë.
Një libër që e bën veçanërisht mirë këtë është “Netherland” i Joseph O’Neill. Kapitujt e parë të tij janë më të mirët për 11 shtatorin, sepse ata të sjellin në mendje dehjen e çuditshme e të jashtëzakonshme të atyre ditëve të para pas sulmeve, sensin e fuqizuar të ekzistencës që shoqëron praninë në një moment kur bota u transformua, sado tragjikisht. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë në roman – personazhi kryesor ishte disi jo tërheqës, ka shumë material për cricket-in (po, në Nju Jork) gjë që e bën pak lodhës. Por O’Neill e kthen në diçka reale atë tymnajë të pas 11 shtatorit: ai risjell atmosferën, jo ngjarjet.
Edhe Claire Messud e bën shumë mirë këtë tek “The Emperor’s Children”. Libri është më shumë i orientuar nga ngjarjet e atij viti, por romani i saj megithatë përcjell realizmin e jetëve që duhet të vazhdojnë të jetohen. Të tjerë e kanë trajtuar botën që doli nga 11 shtatori më saktë. “A Gate at the Stairs” i Lorrie Moore është një libër i shkruajtur shumë bukur që ngërthen maturinë, mosbesimin dhe racizmin e përditshëm që përshkoi vitet pas 11 shtatorit. Tek “Burnt Shadows” i Kamilla Shamsie, 11 shtatori shndërrohet në një ngjarje kulmore në fund dhe jo në fillim të librit.
Një prej gjërave më interesante për letërsinë pas 2001 është se ajo ngjarje ishte një plasë kaq e madhe në historinë e botës, saqë i daton librat në mënyrë të veçantë – bëhet menjëherë e qartë nëse ngjarjet zhvillohen para apo pas 11 shtatorit. Ka përmendje të tij edhe në libra të zhanreve të ndryshëm, apo ku ngjarjet e tij nuk kanë kurfarë rëndësie për fabulën e romanit: 11 shtatori përmendet shkaraz tek “One Fifth Avenue”, një roman nga Candance Bushnell që ka shkruajtur edhe “Sex and the City”. Dhe tek “Double Fault” i Lionel Shriver, një amerikane në Londër ka një krizë personale dhe kalon disa ditë e futur në botën e saj: kur del, kupton që i kanë shpëtuar të gjithë lajmet për 11 shtatorin.
11 shtatori do të vazhdojë të jetë një moment shenjues për shkrimtarët, ashtu si në sfera të tjera. Në këtë kuptim, ai luan një funksion të ngjashëm në letërsi me Luftën e Dytë Botërore – shkrimtarët e përdorin luftën si skenë për po aq romane dhe trillera sa dhe për romane historikë. Dhe në këtë lëmë futen edhe shkrimtarë debutues apo nga ata që janë shumë të rinj për të patur një kujtim personal apo prindëror të luftës: “Resistance” i Ouen Sheer, një prej debutantëve më të mirë të viteve të fundit, është një vepër letrare brilante ngjarjet e të cilës zhvillohen në Uellsin e kohës së luftës.
Disa njerëz thonë se bota kishte ndryshuar tashmë por Perëndimi nuk ishte zgjuar, deri kur ata avionë goditën Qendrën Botërore të Tregtisë dhe shënjestra të tjera amerikane në 11 shtator. Mund të jetë e vërtetë. Por ai zgjim është një proces gradual – dhe ashtu si politikanët, politikëbërësit dhe të tjerë vazhdojnë të kapen me pasojat e asaj ngjarjeje, si dhe luftën kundër terrorizmit që e pasoi atë, po kështu edhe shkrimtarët do të vazhdojnë të këqyrin me imtësi rrënojat. /NYT/
PERGATITUR NGA BOTA.AL