Personazhe

“MIK I KUBES” / Kur FBI spiunonte Gabriel Garsia Markezin, me urdhër të Edgar J. Hooverit

Screen Shot 2015-09-08 at 10.34.27 AM

Zgjatet kështu lista e shkrimtarëve dhe artistëve të spiunuar në të dy anët e oqeanit: Ernest Hemingueji, Xhon Stainbek, Carli Caplin, Xhorxh Oruell, Doris Lesing. Dhe tani, Gabriel Garsia Markez

Po çfarë vetmie… . Duket se Gabriel Garsia Markezi (1927 – 2014), pa e ditur fare, ka kaluar plot 25 vite “i shoqëruar”: shkrimtari kolumbian është spiunuar në mënyrë të vazhdueshme nga FBI, mes viteve 1961 dhe 1985. E përditshmja amerikane Uashington Post, që ka mundur të shohë dokumenta të deklasifikuar kohët e fundit, të agjencisë së hetimit, shkruan se dosja e Markezit ishte hapur nga Edgar J. Hooveri, drejtori legjendar i FBI-së. Dhe nuk u mbyll, as kur Markezi mori çmimin Nobel për Letërsinë. Bëhet fjalë për një dosje prej 137 faqesh, e cila në kopertinë ka emrin e shkrimtarit të famshëm, dhe autorit të “Njëqind vjet vetmi”: atëherë, detektivët nisën të rregjistrojnë lëvizjet e tij, si dhe njerëzit që frekuentonte. Një vëmendje e veçantë i kushtohej udhëtimeve të tij në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën latine.

Dosja e kushtuar Gabos, shkruan e përditshmja amerikane, është hapur nga vetë Hooveri, i cili për pesëdhjetë vite drejtoi byronë amerikane të hetimit dhe u bë i famshëm për mungesën e fleksibilitetit në metodat e tij të hetimeve. Shkrimtari konsiderohej nga Hooveri një i dyshuar, për shkak të simpative të tij kundrejt regjimit të Fidel Kastros. Që nga viti 1959, Markezi kishte filluar që të bashkëpunonte si korrespondent nga Bogotaja, i “Prensa Latina”, agjencia zyrtare e shtypit e Havanës. Kishte takuar personalisht Fidelin, me të cilin më pas do të bëheshin miq.

Screen Shot 2015-09-08 at 10.33.59 AM

Një miqësi jetëgjatë ajo mes shkrimtarit dhe lider maximo-s, e cila erdhi e u forcua me kalimin e viteve, ka kujtuar Kastro, prej “bisedave dhe diskutimeve, gjithmonë interesante dhe stimuluese”.
Megjithatë, në fundin e Luftës së Ftohtë, afërsia e Gabriel Garsia Markezit me Fidel Kastron nuk u pa si pengesë për presidentin amerikan, Bill Klinton, i cili e vlerësonte shumë shkrimtarin. Klintoni shfuqizoi ndalimin që i bëhej prej vitit 1961 dhënies së vizës për Markezin dhe e priti në Shtëpinë e Bardhë.

Mbi bazën e dokumentave të dosjes, hera e parë që Markezi ra në “rrjetën” e vëmendjes së FBI-së ishte pikërisht në vitin 1961, kur ai punonte pikërisht për “Prensa Latina”: për një muaj, ai mori me qera një dhomë në Hotel Uebster, në Nju Jork, duke paguar dyqind dollarë për kohën e qëndrimit. Me të në apartament, gjatë asaj periudhe të qëndrimit në Amerikë, ndodheshin e shoqja, Mercedes Barcha dhe djali i parë, Rodrigo Garcia Barcha.

Screen Shot 2015-09-08 at 10.34.47 AM
Jeta e Gabos mbeti nën mbikëqyrjen e agjentëve investigativë amerikanë për njëzetë e katër vite, pa ndërprerje: që nga periudha kur punonte për agjencinë kubane, deri në vitet kur shkruajti romanin e tij më të famshëm, “Njëqind vjet vetmi”, i cili doli në vitin 1967, për të mbërritur deri në periudhën kur Markezi fitoi famë ndërkombëtare dhe fitoi, në vitin 1982, Nobelin për Letërsinë. Por ka vazhduar edhe më tej, deri në 1985-ën, një vit kur doli një tjetër vepër e paharrueshme, “Dashuri në kohërat e kolerës”. Zbulimi i dosjes së FBI-së nuk e ka habitur aspak të birin, Rodrigo, sot regjisor dhe producent kinematografik, i cili ka deklaruar për Uashington Post se nuk është aspak i befasuar. Përkundrazi, ka shtuar ai, “e kundërta do të kish qenë e pazakontë, pra nëse nuk do ta kishin spiunuar”.

Screen Shot 2015-09-08 at 10.34.18 AM

Eshtë rasti i dytë, ku një fituesi të Nibelit për Letërsinë, i zbulohet këto kohë një dosje e fshehtë e shërbimeve sekretë: në fund të gushtit ishte zbuluar dosja e Doris Lesing, shkrimtares angleze, Nobeliste e 2007-ës, e cila ishte spiunuar nga MI5, shërbimi i fshehtë i Mbretërisë së Bashkuar. Shkrimtarja ishte konsideruar një “rrezik potencial” për shkak të simpative të saj komuniste, dhe ishte spiunuar për të paktën 20 vjet, edhe pas vitit 1962, kur ishte larguar nga partia.

Zgjatet kështu lista e shkrimtarëve dhe artistëve të spiunuar në të dy anët e oqeanit: Ernest Hemingueji, Xhon Stainbek, Carli Caplin, Xhorxh Oruell, Doris Lesing. Dhe tani, Gabriel Garsia Markez. /Përgatiti: bota.al

 

 

Leave a Reply

Back to top button