Your Life

15 arsyet e fshehta pse njerëzit ju kritikojnë

Të gjithë kemi qenë viktima të kritikës, por ky fakt nuk e bën atë më pak të dhimbshme. Kur ne kritikohemi mund të ndihemi në siklet, të zemëruar apo edhe të pavlerë e të paaftë. Në fakt, Uinston Çërçilli e krahasoi dikur kritikën me dhimbjen fizike dhe nuk e kishte dhe aq gabim, pasi një studim i kohëve të fundit ka vërtetuar se përvojat e refuzimit, kritikës dhe poshtërimit përpunohen në të njëjtën zonë të trurit që përpunon edhe dhimbjen.

Natyrisht, jo të gjithë kritikat gjenerojnë përvoja të tilla negative. Ekziston edhe kritika konstruktive, që ju nxit të mendoni dhe iu ndihmon të rriteni. Për ta zbuluar atë, është e rëndësishme të kuptohet se çfarë i motivon njerëzit të kritikojnë, nëse arsyet e tyre janë të vlefshme apo anasjelltas janë thjesht një strategji për të ripohuar fuqinë e tyre, duke u ankuar apo fyer. Njerëzit ju kritikojnë pasi:

1. Ndjehen të kërcënuar nga disa prej cilësive tuaja, dhe e përdorin kritikën si një armë për t’u përpjekur të balancojnë lojën. Në praktikë, këta njerëz ndjehen inferiorë, prandaj sulmojnë pikat tuaja të dobëta, duke u përpjekur t’iu ulin në nivelin e tyre.

2. Janë të bindur se kanë të drejtën e një trajtimi dhe kushteve të veçanta, dhe mendojnë se nuk janë duke i përfituar ato. Në këto raste, personi mund të besojë se i detyroheni diçka apo thjesht është tepër egoist, dhe mendon se ju duhet të vini veten në shërbim të tij, dhe nëse nuk e bëni këtë, ju kritikon për t’iu bërë të ndiheni keq.

3. Ndihen sikur janë përgjegjës për situatën në çdo moment, dhe kanë frikë se po e humbin kontrollin. Në këto raste, kritika rrikthen tek ata, të paktën pjesërisht, ndjenjën e kontrollit, pasi besojnë se në këtë mënyrë ju mposhtin dhe marrin kontrollin.

4. Duan të fitojnë diçka. Në këtë rast ka të ngjarë që t’iu kritikojnë para dikujt tjetër, për të siguruar që të duken më mirë, si në punë ashtu edhe me shokët. Në këtë rast, ata e bëjnë këtë për shkak se ju cilësojnë një rival apo konkurrent.

5. Mendojnë se janë duke iu ndihmuar, për shkak se ju ofrojnë një pjesë të njohurive apo përvojës së tyre. Në fakt, shumë kritika të dhimbshme mund të fshehin qëllime të mira, edhe nëse bëhen në mënyrë të gabuar.

6. Mendojnë se vetëm pikëpamjet e tyre janë të vlefshme, prandaj ju kritikojnë kur guxoni të sugjeroni diçka të ndryshme, çka konsiderohet shpesh si një sulm personal, pasi në brendinë e tyre këta njerëz janë tejet të pasigurtë.

7. Përpiqen të tërheqin vëmendjen tuaj, por në kushtet kur nuk kanë aftësitë sociale apo emocionale, nuk arrijnë ta bëjnë këtë, dhe kësisoj përfundojnë duke iu kritikuar juve.

8. Kërkojnë admirim dhe miratim. Në fakt, kur njerëzit mendojnë se janë ekspertë në çdo fushë, kritikojnë shpesh të tjerët për të dëshmuar se dinë dhe riafirmojnë pozitën e tyre, duke kërkuar admirim.

9. Ndjehen të frustruar, për shkak se janë përpjekur të shprehin nevojat dhe mendimet e tyre në një mënyrë më të sigurtë, por ju nuk i keni kushtuar vëmendjen e duhur, dhe për pasojë ata e shkarkojnë të gjithë këtë zemërim në formën e kritikave.

10. Ndjehen të lënduar nga fjalët apo veprimet tuaja, ndoshta të paqëllimta, por nuk guxojnë t’ua thonë këtë direkt, dhe e fshehin këtë pakënaqësi nën një kriticizëm shumë apo pak të arsyeshëm.

11. Janë duke projektuar frikërat dhe pasiguritë e tyre. Në fakt, kur njerëzit nuk pranojnë disa nga karakteristikat e tyre dhe i njohin ato tek të tjerët, gjenerojnë mbi to një refuzim të thellë, çka u hap rrugën kritikave.

12. Përpiqen të hakmerren mbi ju për një situatë jo tërësisht të asimiluar prej tyre, kësisoj ata e shndërrojnë kritikën në një mjet të poshtërimit dhe turpërimit tuaj.

13. Kanë nevojë të ndihen të fuqishëm, edhe nëse kjo do të thotë të kalojnë mbi ju. Për ta arritur këtë, ata e përdorin kritikën si një shkop me të cilën ju godasin.

14. I kuptojnë fjalët apo qëndrimet tuaja si kritika, kështu që shkojnë ballazi drejt konfliktimit me ju.

15. Ju kanë zili apo ju admirojnë, por nuk arrijnë t’i shprehin si duhet këto emocione, prandaj përfundojnë duke iu kritikuar pikërisht për këto cilësi. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button