Kur shtetet primitive bëhen pjesë e sistemit ndërkombëtar, ata janë subjekt i kufizimeve. Mbani parasysh rastin e Bashkimit Sovjetik
Nga Vadim Nikitim
The Independent
Javën e kaluar, pashë publikimin e disa memorandumeve të brendshëm, që kishin rrjedhur nga burime zyrtare të ISIS-it, duke përfshirë një dokument “24-faqësh mbi planin e qeverisjes”. Dokumentet tregojnë se Shteti Islamik, na pëlqen ose jo, e ka krijuar tashmë fizionominë e tij. Megjithatë, politikat perëndimore vazhdojnë ta mohojnë këtë realitet.
Ngjashëm me luftën kundër drogës, beteja kundër ISIS-it mbetet peng i konceptit, se pranimi nënkupton legjitimitet. Me SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore, që më në fund po gjejnë gjuhën e përbashkët për politika më realiste kundër narkotrafikut, ka ardhur koha për të përqafuar të njëjtat parime të reduktimit të dëmit, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vetëm duke e njohur dhe trajtuar ISIS-in si një shtet në mirëbesim, mund të shpresojmë të kuptojmë si funksionon ai, çfarë e motivon dhe në fund të fundit si mund të frenohet përparimi i e tij vrastar mbi të gjithë rajonin. Historia na tregon se njohja diplomatike e qeverive ekstremiste, mund të bëjë që këto të fundit më shumë gjasa të moderojnë sjelljen e tyre.
Ndërsa shtetet primitive janë në gjendje të sillen pa u ndëshkuar, kur futen në sistemin ndërkombëtar, bëhen subjekt i kufizimeve. Shembulli më i spikatur i kësaj ishte Bashkimi Sovjetik. Për tre vjet pas revolucionit të 1917-ës, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca besonin se mund të parandalonin përhapjen me forcë të komunizmit në Rusi. Mijëra trupa u vendosën për të luftuar kundër Ushtrisë së Kuqe, në një luftë civile brutale dhe konfuze, veprim që në fund rezultoi i padobishëm.
Kur Vladimir Lenini, shpalli më në fund krijimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1922, fuqitë perëndimore refuzuan të pranojnë atë. Të shmangur nga komuniteti ndërkombëtar, bolshevikët vepruan në të njëjtën mënyrë si ISIS-it sot. Mijëra kisha dhe objekte të çmuara historike u shkatërruan, në emër të një ideologjie ekstremiste.
Skuadrat e pushkatimit u turrën nëpër fshatra, duke ekzekutuar në mënyrë brutale armiqtë e regjimit. Ngjashëm me Shtetin Islamik, sunduesit e rinj të Rusisë nuk njohën as legjitimitetin e qeverive fqinje, dhe as shenjtërinë e kufijve të tyre. Për shembull, Internacionalja Komuniste kërkoi mënyrë të hapur të eksportojë revolucionin botëror, përmes kryengritjeve të armatosura në Gjermani, Hungari dhe Estoni.
Britania vendosi më në fund marrëdhënie diplomatike në vitin 1924; ndërsa kaloi gati një dekadë para se SHBA dhe shumica e pjesës tjetër të botës, të ndiqte këtë shembull. Njohja e gjerë diplomatike e Bashkimit Sovjetik, bëri pak për të shuar ekseset e brendshme të regjimit. Por kjo përkon me një ndryshim në politikën e jashtme sovjetike, nga zelli i tepruar ideologjik në një pragmatizëm më të madh, dhe arritjen e kompromiseve me fqinjët e tij.
Teksa qëllimi për revolucionin botëror, u zëvendësua me doktrinën shumë më modeste të “socializmit në një vend”, Moska ndaloi së komplotuari për rrëzimin e qeverive perëndimore. Edhe pse Bashkimi Sovjetik do të mbetej një armik i Perëndimit për 50 vitet që pasuan, ai u bë një kundërshtar i parashikueshëm dhe racional, që njihte rregullat e lojës dhe mund të llogaritej se do t’i respektonte ato.
Në fakt, përveç ankthit dhe terrorit të saj, Lufta e Ftohtë prodhi gjithashtu periudhën më të gjatë të paqes dhe stabilitetit ndërmjet fuqive të mëdha. Historiani Xhon Ljuis Gedis, e përshkroi atë si “paqe të gjatë”. ISIS-i ekziston, dhe thjesht dëshirat tona nuk mund ta zhdukin.
Ashtu si me luftën kundër drogës, e cila ka dështuar veçanërisht në frenimin e përdorimit apo trafikimit të saj, fushata ndërkombëtare e bombardimeve ka bërë pak për të ndaluar të vetëquajturin Kalifat, nga arritja e parimeve bazë të një shteti. ISIS-i kontrollon tashmë një territor të konsiderueshëm, qeveris një popullsi prej afro 10 milionë banorësh, vepron përmes një burokracie gjithnjë e më të sofistikuar të shërbimit civil, dhe ka krijuar monopolin mbi dhunën.
Vetëm duke e pranuar realitetin dhe zgjeruar njohjen diplomatike për ISIS-in, Perëndimi mund të shpresojë të fitojë një mekanizëm të besueshëm për të moderuar dhe kufizuar përparimin e mëtejshëm të Shtetit Islamik. Skenari sovjetik, tani është opsioni më pak i keq:është koha për të krijuar një paqe të gjatë me islamin militant./ “The Indipendent”
Bota.al