Teksa Unioni, ka hyrë në një proces reflektimi mbi të ardhmen e tij, Presidenti i Komisionit Evropian publikoi sot Librin e Bardhë. Një dokument me 32 faqe, ku figurojnë 5 skenarë të mundshëm, mbi avancimin e mëtejshëm të projektit evropian. Pistat e përmendura pritet të nxisin refleksionin në BE-27, dhe e veçanta e tyre lidhet me faktin se, pasqyrojnë edhe disavantazhet konkrete, që sipas Junker, lidhen me atë që politikat e ndryshme kombëtare, nuk ua thonë qytetarëve të tyre. Procesi që pritet të vijojë në muajt e ardhshëm, synon jo vetëm reflektimin tek drejtuesit e BE-27, por edhe tek opinioni publik evropian. Por, çfarë përfshijnë 5 skenarët e Librit të Bardhë ?
Skenari 1
Të vazhdohet në të njëjtën rrugë, pra në situatën që ndodhet aktualisht BE-27
Ky skenar parashikon që të ndiqet rruga e funksionimit aktual të BE-së, pra të vazhdohet me ekzekutimin e mëtejshëm të programit të punës, i lançuar me ardhjen e Komisionit Junker më 2014, dhe më pas i rikonceptuar gjatë samitit të parë pas Brexit. Të 27 vendet, ishin fokusuar atëherë mbi tre akset e mëdha të prioriteteve: rritja dhe punësimi, siguria e jashtme dhe migrimi. Por, ky skenar nuk është shumë entuziast, pasi situata aktuale në BE, vlerësohet nga elitat politike si, edhe nga opinioni publik e pakënaqshme Pra, do të kemi të njëjtin funksionim, të njëjtat përplasje dhe bllokime sistematike, që tashmë janë të njohura për opinion publik.
Skenari 2
Asgjë veç Tregut të Përbashkët
Sipas këtij vizioni, BE do të rifokusohet gradualisht mbi Tregun e Përbashkët. Logjika pas këtij skenari është se: “Meqenëse nuk ka më vendosmëri reciproke për të bashkëpunuar në fusha si migrimi, siguria apo mbrojtja….Tregu i Përbashkët shndërrohet në arsyen kryesore të ekzistencës së BE-27.” Si rrjedhojë e së cilës, ruhen dallimet ose rriten ato, në fusha si e drejta e konsumatorëve, normat sociale dhe mjedisore etj. Por, kjo krijon “riskun e nivelimit nga poshtë”…dhe “qarkullimi i lirë i punëtorëve dhe i shërbimeve nuk garantohet më.”
Interesi i vetëm i këtij skenari, sipas hartueseve të Librit të Bardhë, është se marrja e vendimit është më e thjeshtë për tu kuptuar (nga qytetarët) por kapaciteti për të vepruar kolektivisht do të gjendej i reduktuar. Në vitin 2025, situata mund të jetë e tillë që kontrollet e rregullta do të komplikojnë kalimin e kufijve, për t’u zhvendosur për arsye pune, apo turizmi. Bëhet më e vështirë gjendja e një punë jashtë shtetit dhe transferimi i të drejtave të pensionit, drejt një vendi tjetër, nuk është më i garantuar. Ndërkohë, shpenzimet mjekësore në rast të një sëmundje jashtë shtetit do të jenë më të larta. Dhe qytetarët evropianë do të hezitojnë të përdorin veturat elektronike për arsye të mungesës së rregullave dhe të normave teknike në shkallë evropiane.
Skenari 3
Ata që dëshirojnë më shumë, bëjnë më shumë
Ky është edhe skenari që përkon me Evropën e disa shpejtësive. Në realitet, Evropa e disa shpejtësive ekziston si e tillë prej kohësh, pasi kemi një nivel integrimi të diferencuar nga një sërë vendesh. Por, ideja në këtë skenar lidhet më shumë me faktin se, ato vende që dëshirojnë të zgjerojnë dhe të thellojnë integrimin mes tyre në një sërë fushash kyçe, ta kryejnë këtë pa pritur të tjerët, por as duke i përjashtuar ata. Kjo mund të mbulojë politika si mbrojtja, siguria e brendshme, fiskaliteti, apo fusha sociale. Skenari parashikon ruajtjen e unitetit të 27-ve, por të drejtat e qytetarëve do të fillojnë të ndryshojnë, sipas faktit nëse janë rezidentë, apo jo të vendeve, që kanë zgjedhur të bashkëpunojnë më thellë së bashku. Ndërkohë, boshllëku mes pritshmërisë të qytetarëve dhe rezultateve të politikave evropiane, do të fillojë të zvogëlohet në vendet, që do të kenë zgjedhur që të integrohen më shumë së bashku.
Skenari 4
Të bëhet më pak, por në mënyrë më efikase.
Sipas këtij modeli, BE do të fokusohet mbi përpjekjen për të bërë më shumë dhe më shpejt në një sërë fushash të zgjedhura, si edhe duke bërë më pak, në sektorët e tjerë. Avantazhi lidhet me faktin se, BE-27 do të jetë e aftë të veprojë më shpejt dhe në mënyrë më të vendosur, dhe mjetet e vënies në jetë të vendimeve do të jenë të përforcuara, siç operohet aktualisht në lidhje me politikën e konkurrencës, apo mbikëqyrjen bankare. Dhe në fushat e tjera BE do të reshtë së vepruari, ose do të bëjë më pak. Në vitin 2025, një agjenci e re evropiane e luftës kundër terrorizmit do të kontribuojë për parandalimin e atentateve të rënda nëpërmjet identifikimit dhe sinjalizimit automatik të të dyshuarve.
Skenari 5
Të bëjmë më shumë së bashku
Ky model i përafrohet modelit të Verhofshtad, pra një versioni më federalist. Në këtë skenar, BE flet dhe vepron si një entitet unik në fushën e tregtisë, dhe përfaqësohet nga një karrige e vetme në skenën ndërkombëtare. Parlamenti Evropian, ka zë përcaktues në marrëveshjet tregtare, mbrojtja dhe siguria janë në krye të prioriteteve, dhe në marrëveshje me NATO-n krijohet edhe Evropa e mbrojtjes.
Avantazhi lidhet me faktin se, vendimmarrja është më e madhe dhe më e shpejtë në nivel evropian. Të drejtat e qytetarëve, që rrjedhin nga ligjet evropiane janë më të mëdha. Ndërsa disavantazhi lidhet me riskun e thellimit të opinionit, në pjesë të rëndësishme të shoqërisë, që mendojnë se BE ka mungesë legjitimiteti, apo se ka marrë shumë pushtet nga autoritetet kombëtare. Pra, kritikat klasike që frenojnë progresin në qasjen federaliste të Unionit.
Pesë skenarët e prezantuar ditën e sotme në Parlamentin Evropian nga Presidenti i Komisionit Evropian Junker, vijnë në kuadrin e një procesi reflektimi mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, të nisur që në momentin e rezultatit, pas Brexit. Proces, që pritet të vijojë me një debat të gjerë, me faza të ndryshme reflektimi, nga ku do të zgjidhet edhe modeli më i përshtatshëm për të avancuar së bashku në projektin evropian. Konkretizimi i tij përfundimtar do të shtrihet përgjatë vitit 2017, deri në afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare evropiane të qershorit 2019.
Por, më 25 mars, në përvjetorin e 60-të të Traktateve të Romës, pritet të dilet me një deklaratë të përbashkët, ku mund të pasqyrohet diçka më konkrete në lidhje me fazën paraprake të reflektimeve. Vlen të theksohet se, i njëjti proces ka ndodhur edhe në vitin 2007, me Deklaratën e Berlinit, me rastin e 50-vjetorit të Traktateve të Romës. Bëhet fjalë për një etapë, ku BE gjendej në një valë refuzimesh të Traktatit Kushtetues, nga referendumet që u zhvilluan në Francë dhe në Holandë në vitin 2005. Dhe Deklarata e Berlinit shërbeu si konfirmim i rëndësisë së BE-së, si një “komunitet vlerash” duke fiksuar gjithashtu rëndësinë e “rinovimit të formës politike të BE-së”, mbi baza të reja institucionale, çka u konkretizua më pas me miratimin e Traktatit të Lisbonës. / DITA