A do të pranonit të dhuronit një veshkë në këmbim të qasjes në një rrjet social? Duket një pyetje e çuditshme. Por sikur të ishte një klauzolë brenda kushteve të shërbimit të kësaj të fundit? Kjo është hipoteza që donin të shqyrtonin një grup studiuesish nga Universiteti i Jorkut në Toronto, Kanada.
Ata zbuluan se si njerëzit – madje edhe ata që pretendojnë se shqetësohen për privatësinë e tyre në rrjet – përgjithësisht i injorojnë kushtet që shkruhen tek kontratat e shërbimeve të ndryshme në internet lidhur me kushtet e shërbimit, duke pranuar potencialisht kushte më të ndryshmet, nga mbledhja e të dhënave kur aktivizon kamerën ose mikrofonin, ndarja e tyre me agjencitë e sigurisë kombëtare, deri në dhurimin e veshkave, krahëve, këmbëve apo “organeve të tjera të tepërta”.
Studimi, i cili u botua në revistën ndërkombëtare të komunikimit, thekson nevojën për të reflektuar mbi dizajnin e ekraneve të aksesit për shërbimet dixhitale, si dhe për të ri–menduar mënyrën se si komunikohen politikat e shërbimit, të cilat shpesh janë shumë të gjata dhe të ndërlikuara.
Shumë ekspertë besojnë se pranimi i kushteve të shërbimit, politikave të privatësisë dhe politikave të tjera për shërbimet dixhitale në internet është “gënjeshtra më e madhe në rrjet”, sepse në përgjithësi ju pranoni duke iu përgjigjur një mekanizmi të përbashkët konsensusi, pa ditur në detaje se çfarë jeni duke bërë.
Pra njerëzit priren të shpërfillin atë që shkruhet në politikat e aksesit të shërbimeve dixhitale, duke gënjyer në momentin e pranimit, mbi njohuritë dhe kuptimin e tyre ndaj pasojave që mund të vijnë, sidomos në lidhje me privatësinë.
Një mënyrë shumë e zakonshme përmes së cilës shfaqet ky konsensus i rremë, është nëpërmjet të ashtuquajturave ‘clickëraps’, kërkesa dixhitale që lejojnë përdoruesin të japë ose të refuzojë pëlqimin e tij për një politikë ose grup politikash duke klikuar mbi një buton që sugjeron “Unë bie dakord” ose “Nuk jam dakord”.
Tek shërbimet e rrjeteve sociale, kjo shfaqet shpeshherë gjatë regjistrimit fillestar ose kur ndryshojnë kushtet e shërbimit, duke përfshirë butonin “Prano” ose “Bashkohu” me një linkaty pranë për të lexuar kushtet e shërbimit dhe politikat e privatësisë. Në fakt, teksti në përgjithësi sugjeron që duke klikuar mbi butonin, njerëzit pranojnë politikat, të aksesueshmenëpërmjet lidhjeve.
Por ajo që ndodh, është se njerëzit klikojnë butonin “Jam dakord” pa parë më parë kushtet e shërbimit, duke i thënë ofruesit të shërbimit dixhital se i kanë lexuar dhe kuptuar ato, kur në fakt kjo gjë nuk ka ndodhur.
Kjo sjellje është pjesë e të ashtuquajturit paradoksi i privatësisë, ose dukuria që ka të bëjë me ndryshimet midis asaj që individët thonë mbi shqetësimet e tyre në lidhje me privatësinë, dhe veprimeve që ndërmarrin në të vërtetë për ta mbrojtur atë. Dhe kjo gjë ndodh edhe tek ata që normalisht shqetësohen më shumë.
Sipas studimeve të rriturit mbi 50 vjeç shprehen më shumë se grupmoshat e tjera të shqetësuar në lidhje me privatësinë në internet, dhe janë të gatshëm të përfshihen në sjellje specifike në bazë të tyre. Në dritën e këtij informacioni, studiuesit donin të shihnin shtrirjen e kësaj dukurie, dhe pse këta njerëz gënjejnë në pyetjet e pranimit të kushteve të shërbimit online.
Ata përfshinë në studim 500 persona mbi moshën 50-vjeçare, që plotësuan një anketë në lidhje me zakonet e pranimit të kushteve të shërbimit dhe politikave të privatësisë së shërbimeve dixhitale. Më pas pjesëmarrësve iu kërkua të identifikoheshin, nëpërmjet një klikimi, në një kompani të rreme të mediave sociale të quajtur NameDrop.
“Ne zbuluam se shumica e tyre nxituan, duke e pranuar politikën e privatësisë pa e lexuar fare atë”- thotë Xhonatan Obar, autori kryesor i studimin. Bëhet fjalë për 77.6 për qind të pjesëmarrësve. Madje edhe për ata që vendosën të lexojnë më parë politikat e propozuara nga kompania, koha mesatare ishte rreth 70 sekonda, ndërsa mesatarisht 81.4 sekonda u shpenzuan për kushtet e shërbimit.
“Politika e privatësisë mund të kishte qenë 10 ose 100.000 fjalë. Ajo mund të përmbante informacione në lidhje me mbledhjen e të dhënave personale dhe lidhjen e tyre me iniciativat e ardhshme me inteligjencën artificiale; mund të përmendte lidhjet ndërmjet përdorimit të tëdhënave, privatësisë, reputacionit dhe përshtatshmërisë për shërbime; mund të ketë raportuar informacione rreth mundësive për mospajtim.
Por për shkak të vendimit të marrë nga shumë pjesëmarrës për të pranuar pa u identifikuar ose pa lexuar politikën e privatësisë përmes klikimeve, përdoruesit e anashkaluan shpejt këtë informacion, duke hequr dorë nga përfshirja dhe mundësitë për mospajtim brenda shërbimeve online dhe privatësisë”-theksojnë autorët
Për të nxjerrë në pah pasojat e mundshme të këtyre sjelljeve, studiuesit përfshinë dy klauzola në politikën e privatësisë:njërën që e lejonte kompaninë që zotëron rrjetin social të aktivizonte kamerën dhe mikrofonin e një pajisjeje për mbledhjen e të dhënave, dhe një tjetër që lejonte ndarjen e të dhënave të mbledhura me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.
Po ashtu kushtet e shërbimit përfshinin një klauzolë që kërkonte, në këmbim të aksesit, një dhurim të një “organi të tepërt” si një veshkë, një krah ose një këmbë:padashur, 83.4 për qind e pjesëmarrësve pranuan këtë klauzolë ekstreme.
Por problem nuk është vetëm neglizhenca e përdoruesve por edhe mënyra se si janë shkruar politikat e qasjes dhe kushtet e shërbimit. Në studim, pjesëmarrësit thanë se ato ishin të gjata dhe të ndërlikuara, gjë që e pengoi dëshirën e tyre për t’u bashkuar shpejt me shërbimet online.