MagazineSport

Pinhas Zahavi: Brenda botës së një menaxheri të fuqishëm futbolli

Menaxheri i futbollistëve Pinhas Zahavi kërkoi që ta lironte Robert Lewandowski nga kontrata e tij me Bayern Munich këtë verë. Izraeliani është një prej profesionistëve më të fuqishëm në biznes. Ai solli Neymar në Paris, por është përfshirë edhe në afera jo të pastra me lojtarë nën moshë

Ishte ora 13 e 10 qershorit 2018 dhe Maik Barthel qëndronte i ulur në hollin e Hotelit Ritz-Carlton të Vjenës. Mik i hershëm dhe menaxher i sulmuesit Robert Lewandowski, Barthel ishte në pritje të njeriut që njihej nga shumica e njerëzve anembanë botës thjesht si “Pini”. Të dy duhej të bisedoni. 76 vjeçari Pinhas Zahavi është një pecogroso i botës së futbollit professional. Në një profil të rrallë në të përjavshmen britanike The Observer, Zahavi përcaktohet si “supermenaxheri i parë dhe i vetëm” i futbollit. Por për Barthel, njeriu kishte paraqitur një problem të konsiderueshëm për javë të tëra pasi klienti i tij kryesor, Lewandowski, kishte angazhuar shërbimet e Zahavi. Menaxheri izraelian dhe sulmuesi polak kishin hartuar një plan. Ai parashikonte që Zahavi, një negociator i pamëshirshëm, duhej të përdorte çdo mjet të nevojshëm për ta liruar Lewandowski brenda verës nga kontrata me Bayern Munich, e cila vazhdonte deri në qershorin 2021. Lewandowski mezi priste ta linte Mynihun, me Real Madridin si destinacionin e tij të preferuar. Dhe Zahavi duhej të ushtronte presionin e kërkuar ndaj klubit. Ai është specialist për raste të tillë. Një vit më parë, Zahavi kishte luajtur një rol të konsiderueshëm në orkestrimin e largimit të sulmuesit Brazilian Neymar nga FC Barcelona tek Paris Saint-Germain (PSG), edhe pse kontrata e tij me katalonjasit sapo ishte shtyrë deri në qershorin e 2022. Një klauzolë largimi me shumën fikse të transferimit prej 222 milion eurosh e bëri të mundur lëvizjen. PSG-ja pagoi shumën, duke e lejuar Neymar të largohej. Megjithatë, kontrata e Leëandoëski nuk e përmban një klauzolë të tillë dhe ky ishte problemi i Zahavi. Kishte nevojë për Barthel në anën e tij. në takimin e Vjenës, izraeliani fillimisht u përpoq që ta joshte. Rregulloi që një makinë ta çonte atë dhe Barthel në stadiumin “Ernst Happel” për të parë Austrinë kundër Brazili, ndeshja e fundi përgatitore e latinoamerikanëve përpara Kupës së Botës në Rusi. Neymar po bënte magjitë e tij në fushën e blertë, ndërkohë që i ati e ndiqte nga tribuna sipër. Babai i Neymar kishte fituar gjithashtu disa milion nga transferimi i të birit në Paris, pjesërisht falë stilit agresiv negociues të Zahavi. Por Barthel nuk lëvizi nga e tija. Ai tha se Bayern Munich do ta refuzonte prerazi që të shantazhohej nga cilido lojtar, qoftë ai edhe më i miri.

 

Histeria e transferimit

Pas takimit në Vjenë, Zahavi u bë i gjallë sërish, por toni i qe bërë më i ashpër. Ai i dërgoi Barthel shumë sms ku e akuzonte se kish dështuar që të negocionte një shumë fikse largimi për Lewandowski kur ky i fundit u transferua nga Dortmund në Munich verën e 2014 dhe gjatë rinovimit të fundit të kontratës së tij me FC Bayern. “Robert ka qenë dhe do të jetë sulmuesi më i mirë në botë”, i shkruante Zahavi në një sms, “por ai nuk e kupton biznesin e futbollit. Jam i sigurtë se sot mund të ishte ndryshme”. “E shoh ndryshe këtë gjë!”, i përgjigjej Barthel. Ishte e “pamundur” që FC Bayern do të ishte ndonjëherë dakord me një “buy out”. Histeria e transferimit që Zahavi kishte shkaktuar në Bundesligë, ligën kryesore të Gjermanisë, nëpërmjet deklaratave publike kishte çuar në asgjë. Fuqitë tek Bayern Munich nuk qenë të hapura për negociim. Por Zahavi nuk u dorëzua. Ai dhe Leëandoëski ranë dakord që të bunon bashkë në të ardhmen. Kush është ky njeri që harxhon javë duke irrituar drejtuesit e? gjatë 40 viteve, Zahavi ka përsosur artin e pozicionimit të futbollistëve të stërpgauar kundër kolegëve, trajinerëve apo presidentëve të klubeve. Dhe kur gjërat në fund bëhen të padurueshme me një punëdhënës të vjetër, Zahavi gjendet aty për t’i hapur rrugën lojtarit drejt një klubi të ri, një që është i lumtur të zgjidhë të gjitha problemet që ka shkaktuar me para. Kjo është strategjia që e ka bërë atë multimilioner. Zahavi di sesi t’ia përçojë mesazhin e tij publikut. Në rastin e Leëandoëski, ai ju drejtuar tabloidit sportive gjerman Sport Bild. “Robert ndjen se ka nevojë për një ndryshim, për një sfidë të re në karrierën e tij”, tha Zahavi për të fund të majit. “Drejtuesit e FC Bayern janë të vetëdijshëm për këtë”. Historia zuri kopertinën. Me këtë, zjarri qe ndezur. Zahavi ka qenë në biznes më gjatë se çdo menaxher tjetër futbollistësh në botë, duke qenë se e ka bërë marrëveshjen e parë të transferimit të një lojtari në fundin e viteve ‘70. Afërsia e tij me pronarët miliarderë të klubeve në Rusi, botën arabe dhe Europën Qendrore është po aq legjendare sa mizoria e tij kur ka një komision të majmë për të kapur. Gjithashtu, ai ka luajtur një rol në blerjet e klubeve, marrëveshjeve të investimit dhe negociatat kontraverse që përfshijnë talentet nën moshë.

 

Bashkim forcash

Rrjeti i tij është po aq i gjerë dhe kompleks sa është i padukshëm edhe vetë menaxheri i futbollistëve. Ai është një fantazëm, një njeri që refuzon thuajse çdo kërkesë për intervistë. Profili i tij i fundit për të është shfaqur 12 vite më parë. Edhe atëhere, ishte e paqartë sesa shumë para po lëvizte Zahavi apo nëpër cilat kanale po lëviznin ato. Dokumentat nga platforma bilbilfryrëse Football Leaks, që përfshin edhe sms-të e Barthel, na sigurojnë një shikim të thellë në botën e një prej ndërmjetësve më të mëdhenj të sportit. Masa e informacionit zbulon se kompanitë që Zahavi ka në pronësi apo për të cilat ai punon shpesh ndodhen në parajsa fiskale. Ato ndodhen në Gjibraltar, Maltë, Qipro dhe British Virgin Islands në Karaibe. Dikur kishte edhe një kompani në Luksemburg. Për marrëveshjet e tij, Zahavi shpesh bashkon forcat me gjigandë të tjerë të fushës si ndërmjetësi anglo – iranian Kia Joorabchian, portugezi Jorge Mendes apo Fali Ramadani nga Maqedonia, që i siguruan atij akses në tregun futbollistik e Europës juglindore. Vetë Zahavi ka shkruar se ai është kryesisht aktiv në Amerikën Jugore dhe Angli. Ai angazhon kompani ligjore në Brazil dhe Izrael që t’i sigurojnë mbështetjen e duhur ligjore. Kanë shumë punë për të bërë. Der Spiegel dhe rrjeti gazetaresk European Investigative Collaborations (EIC) raportuan 2 vite më parë lidhur me botën e errët të menaxherëve të futbollistëve. U bë e qartë që në atë kohë se shumë prej tyre po i kanalizonin komisionet e tyre nëpërmjet kanalesh të paqarta në kompani që kishin dy gjëra të përbashkëta: selitë qendrore në parajsa fiskale dhe strukturë opake pronësie. Zahavi është një çikë anomali në këtë univers. Ndërsa menaxherët e tjerë kanë stafe të mëdha mbështetës, izraeliani është i vetëm. Ai është një njeri i ujdive klasike me shtrëngim dore. Por sapo i bëhen pyetje jokomode rreth praktikave të tij biznesore, nuk ia përton që të bëjë kërcënime të forta. Milionat e eurove që Zahavi lëviz kudo kanë ngjallur interesin e autoriteve ligjore dhe tatimore në Europë. Asnjë aktivitet ilegal i tij nuk është provuar ndonjëherë. Dokumentat e Football Leaks tregojnë se ka pasur një investigues jashtëzakonisht këmbëngulës në Degën e Evazionit Fiskal dhe Offshore të zyrës së Her Majesty’s Revenue & Customs (HMRC) në Britani. Nëpunësi harxhoi vite duke rrëmuar në marrëveshjet që Zahavi kishte bërë në Premier League. Sipas dokumentave, investigimi ishte përqëndruar kryesisht në taksat personale të Zahavi prej rreth 12.5 milion stërlinash (14.3 milion euro) dhe taksave korporative prej rreth 5 milionësh. Por investigimi u mbyll në prillin e 2017, që është e jashtëzakonshme. Siç ka shkruar vetë, Zahavi jeton në Londër prej më shumë se gjysmë viti. Në Angli, përqindja e taksave për fituesit e mëdhenj është 45%. Normalisht, Zahavi duhet të paguajë taksa HMRC-së për të gjithë të ardhurat e tij anembanë botës.

 

Diskrecion

Megjithatë, falë një marrëveshjeje taksimi biletaral midis Britanisë dhe Izraelit, atij nuk i duhet të paguajë. Zahavi ka një apartament në Tel Aviv të cilën e viziton vetëm sporadikisht, por ligji e lejon një taksapagues që t’i paguajë detyrimet e tij apo të saj në vendin që përfaqëson “qendrën e interesave jetike”. Në rastin e Zahavi, ky është Izraeli; autoritetet atje e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Megjithatë, qendrat aktuale e bizneseve të tij janë larg nga Izraeli. Ato ndodhen në vende si Gjibraltari. Atje, vetëm disa blloqe nga një port i mbushur me jahte, janë zyrat e një trusti dhe kompanie shërbimesh të quajtur Finsbury. Ajo shërben si fasadë për shumë kompani. Njëra quhet Gol International, tjetra Gol Football. Të dyja janë të regjistruara në Gjibraltar. Një kompani e tretë quhet Gol Luxembourg, që ndodhet në Dukatin e Madh. Zahavi thotë se kjo kompani nuk ekziston më. Ndërmjetësi i fuqishëm nga Tel Avivi pëlqen të jetë diskret. Bile fsheh edhe rrjetin e vet të kompanive nga partnerët e tij të biznesit, siç zbuloi një klient, klubi i futbollit gjerman Werder Bremen. Në verën e 2012, klubi në fjalë negocioi një kontratë me Gol Luxembourg, sipas të cilës kompania përfitonte 300000 euro për shërbimet e Zahavi në lehtësimin e huazimit të Kevin De Bruyne nga FC Chelsea tek Werder Bremen. Por qenë vetëm dy punonjës të kompanisë së Zahavi në Luksemburg që e nënshkruan kontratën dhe faturën për dërgesën e parë. Për muaj me radhë, Werder refuzoi t’i transferonte 100000 eurot e para. Klubi donte të dinte se kush i merrte paratë. Ato u paguan vetëm pasi Finsbury Trust ndërhyri dhe i shpjegoi strukturën korporative të Gol drejtuesve të Werder, përveç sqarimit se Zahavi ishte pronari. Siç ishte e zakonshme për Zahavi, Werder Bremen e transferoi komisionin e tij në një llogari në Zvicër. Është këtu që kompanitë e tij kanë llogaritë e tyre të biznesit, tek St. Galler Kantonalbank dhe tek Hyposwiss Private Bank në Zyrih. Gol ka llogari në tri monedhat më të rëndësishme: paund, dollar dhe euro. Kështu, marrëveshja me spektakolare që Zahavi ka bërë deri më tani në jetën e tij u bë verën e vitit të kaluar. Më 23 korrik 2017, 10 ditë përpara transferimit të Neymar tek PSG-ja, bosët e klubit në Francë mësuan se Zahavi do të ulej në krah të babait të futbollistit si menaxheri i dytë i tij në tryezën e bisedimeve. Sipas kontratës së tij prej menaxheri, ai do të përfitonte 10.7 milion euro brenda fillimit të 2022. Nëqoftëse Neymar e zgjaste kontratën e tij deri më 2023, atëhere Zahavi do të përfitonte edhe 2 milion euro të tjera.

 

“Gabim i madh”

Megjithatë, kur vinte puna tek pagesa, Zahavi dhe klubi nuk takoheshin fizikisht. Siç kishte bërë me Werder Bremen, Zahavi propozonte që komisioni i tij të paguhej nëpërmjet një prej kompanive të tij me një llogari në Zvicër. Por Paris Saint-Germain kishte rezerva. Zahavi u dorëzua, duke dashur papritmas që të paguhej nëpërmjet një kompanie në Qipro, që gjithashtu i përkiste atij. Emrin i saj: Grebere Consulting Limited, e regjistruar në Limassol dhe e themeluar në vitin 2014. Zahavi u dërgoi zyrtarëve të klubit dokumenta konfidenciale të kompanisë, por këshilltarët financiarë të PSG-së qenë sërish dyshues. Ata e shikonin Qipron si parajsë fiskale dhe thonin se “thelbi i kësaj kompanie është i diskutueshëm”. Me fjalë të tjera, ata besonin se Grebere Consulting nuk ishte më shumë se një kompani guackë. Zahavi e mohoi një gjë të tillë. Në një email të zemëruar, ai kritikoi Jean-Claude Blanc, Drejtorin e Përgjithshëm të PSG-së, duke thënë se kishte bërë “gabim të madh” që i kishte dërguar klubit dokumenta konfidenciale. Këmbëngulte që t’i merrte paratë nëpërmjet Qipros, por klubi nuk lëvizi nga pozicioni i tij. Së fundmi, Zahavi e nënshkroi “Sports Agency Remuneration Agreement” si person fizik, duke e regjistruar adresën e tij në Tel Aviv. Zahavi thotë se paratë i kaluan në një llogari personale dhe u taksuan në Izrael. Ai u ndje i fyer nga trajtimi dhe ia bëri me dijë këtë drejtuesve të PSG-së. Zakonisht, Zahavi përdorte 2 dhe nganjëherë 3 celularë që i përdorte aktivisht. Përveç një karte krediti, këto janë realisht gjithçka që një menaxheri lojtarësh i duhen në punën e tij teksa fluturon anembanë botës. Megjithatë, metoda të tilla nuk bëhen gjithmonë me regjistrime të sakta. Kur inspektori britanik i tatimeve Mark H. u përpoq që të ndiqte pagesat miliona dollarëshe për Zahavi nga Premier League, kërkoi që Manchester City t’i dorëzonte dokumenta që nënvizonin transferimet e lojtarëve të ndryshëm. “Cili ishte roli i Zahavi?”, pyeste ai në një letër. Klubi pati vështirësi në gjetjen e të gjithë dokumentave. Në një moment, at apo përpiqeshin të gjenin dokumentacionin për shumat e paguara lidhur me transferimin e brazilianite Robinho. “Ne… nuk kemi akses në kopjet e të gjithë korrespondencës”, ju përgjigj shefi financiar i Man City. Marrëveshja qe bërë “ndërkohë që klubi po kalonte pronësinë tek Abu Dhabi”. Dhe vazhdonte më tej: “Ju e dini se nuk është e pazakontë brenda industrisë së futbollit që një numër i konsiderueshëm i marrëveshjeve kryhen nëpërmjet telefonit dhe nuk bëhen me dije formalisht”.

 

Influencë dhe kontakte

Avokati londinez i Zahavi dëgjoi diçka njëlloj të paqartë nga Jorge Mendes në qershorin e 2014. Shtetasi portugez përfaqëson lojtarë të tillë si Cristiano Ronaldo dhe, ashtu si Zahavi, është një pecogroso në botën e menaxherëve të futbollistëve. Të dy kanë punuar bashkë përpara për të realizuar transferime të rëndëishme, shumë prej të cilave u bënë midis FC Porto dhe FC Chelsea. Avokati i Zahavi donte të përgatiste veten në telefonatën me Mendes për informacione nga autoritetet fiskale. Ai po shpresonte për informacion rreth praktikave të fushës dhe rolit të klientit të tij. Gjatë gjithë telefonatës mbajti shënime. “Praktikisht kushdo në industrinë e futbollin e njeh zotin Zahavi dhe e di se ai e ka përdorur këtë influencë dhe këto kontakte, përfshi president klubesh dhe bile edhe krerë shtetesh, për të ndërmjetësuar marrëveshje lojtarësh”. Ashtu si shefi financiar i Man City, Mendes e përshkroi gjithashtu sesi letrat nuk qenë më po aq të rëndësishme për punën e Zahavi sa kishin qenë atëhere kur izraeliani kishte qenë gazetar. Komisionet e Zahavi “janë të negociueshme mbi një bazë “marrëveshje për marrëveshje” dhe gjithmonë nëpërmjet celularit”. Ai tha se kështu qenë bërë gjithmonë të gjitha marrëveshjet midis tij dhe Zahavi. Për vite me radhë, kishte ekzistuar një model në industrinë e futbollit në të cilën Zahavi qe mjaft i përfshirë: i ashtuquajturi Third-Party Ownership (TPO). Në thelb funksiononte kështu: Investitorë do të blinin një pjesë të të drejtave të transferimit të një profesionist të caktuar të Klubit. Nëqoftëse vlera e tregut e lojtarit rritej, atëhere investitorët do të këmbëngulnin në mënyrë të vazhdueshme tek lojtari që të shitej tek Klubi B. Praktika i çoi shumë klube që të vareshin rrezikshëm tek investitorët, që është edhe arësyeja se pse FIFA i ndaloi TPO-të në majin e 2015. Disa investitorë, që prej vitesh qenë këshilluar nga Zahavi që t’i hidhnin paratë e tyre në të drejtat e transferimit e lojtarëve të caktuar, fshihen nga një kompani e quajtur Leiston Holdings Limited. Ajo është e regjistruar në British Virgin Islands, ku tatimet mbi fitimin e gjeneruar jashtë është zero përqind, siç është edhe rasti i Gjibraltarit. Ato qenë marrëveshje ku investitorët mund të siguronin një fitim të madh brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Veç kësaj, transaksione të tillë TPO-je shpesh u shoqëruan nga komisione të mëdha që shkonin në parajsat fiskale.

 

Brenda një TPO-je

E gjithë paleta e transaksioneve të dyshimta u ilustrua nga rasti i futbollistit profesionist serb, 24 vjeçarit Lazar Markoviç, që i përket FC Liverpool dhe aktualisht është i huazuar në ekipin e ligës së parë belge RSC Anderlecht. Në prillin e 2012, vetëm javë pas Markoviç kishte mbushur të 18-at, Leiston Holdings bleu 100% të të drejtave të transferimit të lojtarit nga Partizani i Beogradit. Çmimi: 7 milion euro. Vetëm një vit më pas, në qershorin e 2013, sulmuesi u transferua tek Benfika e Lisbonës. Klubi portugez i transferoi 6.25 milion euro Leiston Holdings, pork jo shumë qe e mjaftueshme vetëm për të siguruar gjysmën e të drejtave të transferimit të Markoviç. Një vit më pas, në korrikun e 2014, Markoviç u transferua tek FC Liverpool, me ekipin e Premier League që paguan një total prej 25 milion eurosh për lojtarin. Nga kjo, 12.5 milion euro i shkuan Benfika, kurse pjesa tjetër prej 12.5 milion eurosh i shkoi Leiston Holdings. Vetëm brenda 2 vitesh, Leiston Holdings i kishin transformuar 7 milion eurosh në 18.75 milion – të depozituara në Karaibet e lira nga taksat. FIFA ka një degë të saj, të quajtur FIFA TMS, që dokumenton të gjitha transfertat ndërkombëtare, Kimberly Morris është Shefja e Integrity and Compliance Department dhe i ndoqi nga afër këto marrëveshje spekulative, megjithëse efikasiteti kontrollues i postit të saj varej në vullnetin e klubit për të bashkëpunuar dhe ky vullnet nuk ishte kushedi sesa i shfaqur. Pas transferimit të Markoviç tek Benfica, Morris u bë dyshuese. Në marsin e 2014, ajo i shkroi një email drejtuesve të klubit të Partizanit, ku i kërkonte “një përmbledhje të shkurtër të marrëdhënieve të klubit tuaj me Leiston Holdings Limited”. Gjithashtu, ajo kërkonte akses në kontratën midis kompanisë dhe klubit. Sekretari i Përgjithshëm i klubit ia dha dokumentin, por Morris nuk mbeti e kënaqur. I shkroi një email të dytë. Tani ajo kërkonte të dinte “nëse kishte ndonjë lidhje midis Leiston Holdings Ltd dhe zotit Pinhas Zahavi?”. Gjithashtu, ajo pyeste nëse Partizani “kishte pasur ndonjë marrëveshje të veçantë në lidhje me transferimit e këtij lojtari apo në përgjithësi me zotin Pinhas Zahavi?”. Megjithatë, kjo qe aq larg sa shkoi Morris me investigimin e saj. Dokumenta të Football Leaks tregojnë tani se ajo qe në rrugën e duhur, për shkak se Leiston Holdings kishte bërë du kontrata të tjera të dyshimta lidhur me marrëveshjen e TPO-së. Më 3 maj të 2012, vetëm pak ditë pas blerjes së të drejtave të transferimit të Markoviç, Leiston Holding pranoi që të bënte një pagesë prej 250000 eurosh për Sport & More, një kompani e regjistruar në Shtetin e New York. Njeriu prapa kësaj kompanie ishte menaxheri sportiv serb Nikola Damjanac. Me sa duket ai e mori këtë pagesë për ndihmën e supozuar që i kishte dhënë Leiston Holdings për blerjen e të drejtave të transferimit të Markoviç. Vetëm përpjekja për të ndjekur fluksin e parave që rrjedh nga kompanitë për të cilat Zahavi punon nganjëherë mund të jetë kokëçarëse. Megjithëse Sport & More ishte një partner kontraktual, Damjanac kërkoi më vonë që Leiston Holdings t’i paguajë 250000 euro një kompanie në Maltë të quajtur Lian Sports. Një mik i ngushtë i Zahavi, të cilit ai i referohet si “njeriu im”, punon për kompaninë në Ballkan. Por nuk është e gjitha. Damjanac nënshkroi një tjetër kontratë me Leiston Holdings lidhur me aferën Lazar Markoviç më 3 maj 2012. Kësaj radhe ishte për një kompani të quajtur Goldline, me qendër në qytetin kufitar zviceran Chiasso. Sipas kontratës, Leiston do t’i transferonte 2 milion euro Goldline. Sërish, arësyeja e supozuar e pagesës ishte mbështetja e dhënë në blerjen e të drejtave të transferimit të Markoviç.

 

“Shërbime ndërmjetësimi”

Pse Leiston Holdings, e këshilluar nga Pini Zahavi, do të transferonte më shumë se 30% të shumës prej 7 milion eurosh të investuar si “shërbime ndërmjetësimi” në dy kompani të poseduara nga i njëjti konsulent? Kishte ndonjë arësye përveçse kënaqjes së disa miqve të mirë? As Pini Zahavi, as Nikola Damjanac dhe as kompanitë Lian Sports e Leiston Holdings nuk do të komentonin për këtë dyshim. Zahavi siguroi marrëveshje të shumta TPO miliona dollarëshe për Leiston Holdings, përfshi të paktën një marrëveshje të dyshimtë që përfshinte talent nën moshë. Danilo Pantiç ishte 16 vjeç kur Leiston Holdings bleu gjysmën e të drejtave të tij të transferimit më 29 mars 2013. Ashtu si Markoviç, edhe mesfushori i ri ishte lojtar i Partizanit të Beogradit dhe kontrata e tij stërvitore shkonte deri në verën e 2015. Leiston Holdings pagoi 1.7 milion euro për pjesën e saj në të drejtat e tij të transferimit, por këto para nuk i shkuan klubit në Beograd. Ato shkuan për dy kompani me qendër në ishullin Nevis, që u përket West Indies në Karaibe. Njëra prej tyre quhet TXL Investments dhe tjetra SNR Limited. Leiston Holdings i transferuan paratë në llogaritë e dy kompanive në Bank of Valletta, një institucion financiar në Maltë. Por nuk ndalen këtu. SNR Limited i transferoi 500000 euro një kompanie të quajtur Leary Invest në British Virgin Islands dhe 170000 euro të tjera një kompanie të quajtur Guanta Gold me qendër në Belize në Amerikën Qendrore. 1.7 milion eurot e paguara nga Leiston Holdings përfunduan në 4 kompani – të gjitha me qendër në parajsa fiskale. Detaji pikant këtu është se TXL Investments dhe SNR Limited në West Indies, ku qenë drejtuar fillimisht paratë e Leiston Holdings, kontrolloheshin nga një drejtor i Lian Sports në Maltë, që ishte gjithashtu e përfshirë në marrëveshjet milionëshe në rastin Markoviç. Asnjëra prej palëve të përfshira nuk ju përgjigjën pyetjeve se pse dhe për çfarë qëllimi qenë paguar këto para.

 

Përfituesit finalë

Kishte gjasa se qenë këto marrëveshje të errëta që e ndaluan Werder Bremen të takohej me Zahavi ne pranverën e 2012. Në atë kohë, Leiston i kishte bërë një ofertë 7 milion euroshe klubit të Bremen për të drejtat e transferimit t ëish lojtarit të kombëtares gjermane Marko Marin. Fillimisht, Werder kishte qenë i përgatitur të futej në bisedime, por klubi u largua nga marrëveshja për shkak se Leiston kishte refuzuar qartazi që të jepte informacion rreth strukturës së kompanisë në British Virgin Islands dhe përfituesve finalë të saj. “Qemë të paaftë që ta zgjidhnim këtë çështje sipas kënaqësisë dhe në linjë me standardet tona të veprimit”, i tha Werder Bremen gazetarëve të EIC-së. Rrjeti raportues investigative kërkoi një deklaratë të shkruar nga Zahavi më 8 tetor lidhur me të gjitha marrëveshjet e përshkruara në këtë artikull. U deshën vetëm pak orë për Zahavi që të përgjigjej. Ai shkruante se nuk kishte pasur kurrë ndonjë pjesë tek Leiston Holdings dhe se nuk kishte qenë kurrë përfitues. “Kam qenë këshilltar futbollistik (sic) i kësaj kompanie (Leiston Holdings) gjatë periudhës që TPO-ja ishte e ligjshme”, shkruante ai. Zahavi deklaronte se të gjitha pyetjet e tjera qenë “jo të rëndësishme”. Megjithatë, vetëm një javë më pas, Zahavi pranoi që të takohej me një gazetar izraelian që përfaqësonte EIC-në. Takimi u zhvillua në kompleksin luksoz banesor “Sea and Sun” në veriperëndim të Tel Aviv, ku Zahavi ka një apartament në pamje të mrekullueshme nga deti. Zahavi ishte veshur me një palë Bermuda e një polo dhe i ofroi gazetarit një filxhan kafe. Edhe Gil, djali i Zahavi, ndodhej i pranishëm dhe regjistroi të gjithë bisedën. Menaxheri tha se kishte rënë dakord për një takim personal për shkak se kishte frikë se mos raportimi, bazuar në pyetjet rreth aferës Neymar, do të shkonte deri në “shpifje”, kështu që donte ta ndalonte një gjë të tillë.

 

“Unë kam pushtet”

Zahavi i vendos në tryezë të gjitha dokumentat e rëndësishme të kontratës së Neymar. Këto dokumenta tregojnë se Paris Saint-Germain ia pagoi këstin e parë prej 1.49 milion eurosh jo një prej kompanive të Zahavi në parajsat fiskale, por atij personalisht. Paratë shkuan në një llogari të ndodhur në bankën izraeliane “Hapoalim” të cilën Zahavi e kishye hapur shprehimisht për këtë qëllim pas përfundimit të kontratës së tij të konsulencës me PSG-në. Gjithashtu, Zahavi tha se gjithashtu i kishte taksuar në Izrael të ardhurat e tij personale nga fitimet e kompanisë së tij mbarëbotërore. Toni i tij gjatë bisedës ishte agresiv. Bile një herë goditi edhe tryezën me pëllëmbë. “Atëhere, dëgjo: Kam bërë transfertat më të mëdha në historinë e botës së futbollit. Nuk është ndonjë gjë kushedi se çfarë në botën ku nuk jam i përfshirë”, thotë menaxheri. “Nuk ka vend në futbollin ndërkombëtar ku të mos kem influencë dhe pushtet”. Zahavi kërcënoi se sikur të botohej qoftë edhe një pretendim i vetëm që mund ta dëmtonte atë, ai do të ngrinte “akuzën më të madhe në histori” kundër organizatave mediatike që janë anëtare të EIC-së. “Jam njeri i fuqishëm, kam pushtet”.

(nga Der Spiegel)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

Leave a Reply

Back to top button