MagazineMAIN

Notre-Dame, rikthimi i katedrales

Qëllimi është të përurohet katedralja “e re” e Notre-Dame më 8 dhjetor. Pavarësisht vonesave të shkaktuara nga pandemia, sezoni i grevave dhe hetimet për kontaminimin me plumb, puna e rindërtimit tani është duke ecur mirë dhe do të përfundojë në fund të vitit. Emmanuel Macron nuk e mbajti dot premtimin e tij për të rikthyer besimtarët dhe vizitorët në katedrale për Lojërat Olimpike më 26 korrik.

Por ai ëndërron të bindë Papën që të vijë në Paris për rihapjen.

Pesë vjet pas zjarrit, më 15 prill 2019, maja e Notre-Dame është përsëri e dukshme në qiellin e Parisit, si dhe korniza prej druri. Skelat janë hequr nga maja e katedrales, duke zbuluar majën që ngrihet 96 metra.

Instalimi i pennakullit, i cili u përpi nga flakët dhe u shemb para syve të botës, filloi në nëntor. Në krye të majës u vendos kryqi dhe më pas gjeli që dominon katedralen. Pas debateve të ndryshme, maja u rindërtua nga mjeshtrit e Lorraine, identike me atë të konceptuar në shekullin e 19-të nga arkitekti Eugène Viollet-Le-Duc. Dhe, megjithë polemikat mbi dëmin e materialit, çatia u rindërtua me plumb.

Notre-Dame është ende e rrethuar nga një kafaz me skela, por “kantieri i ndërtimit i shekullit” – mbi 800 milionë euro investim – i nisur nga Macron menjëherë pasi ra zjarri, ka hyrë tashmë në fazën e tij përfundimtare.

Në brendësi thuajse ka përfunduar pastrimi i mureve, i dekorimeve piktoreske dhe i qemereve, për një sipërfaqe totale prej 42 mijë metrash katrorë. Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, ka ngritur një komision ekspertësh përgjegjës për zgjedhjen e artistit dhe mjeshtrit të xhamit që do të dizenjojë gjashtë dritare bashkëkohore.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024, kur do të përfundojnë restaurimet e brendshme, katedralja do të jetë gati për të mirëpritur orenditë liturgjike në bronz kafe të errët, si dhe 1500 karrige në lis të fortë. Një stil që është shumë i ashpër, sipas disave, por kryepeshkopi i Parisit shpjegoi se linja orientohej nga Vatikani. Para zjarrit, katedralja mirëpriste mesatarisht 12 milionë njerëz çdo vit. Të paktën 15 milionë vizitorë priten për rihapjen. / bota.al

Back to top button