
Në zanafillën e qytetërimit tonë, përtej luftëtarit dhe lundërtarit, qëndron një figurë që ushtron dyshimin dhe sfidon fatin. Uliksi tek Odisea e Nolanit është një filozof gënjeshtar: mashtron, por me gënjeshtrat e tij kërkon lirinë.
Gënjeshtrat e Uliksit nuk janë lajmet e rreme të ditëve tona. Ato nuk synojnë të falsifikojnë botën për t’i penguar njerëzit ta kuptojnë atë, por janë “artefakte krijuese”, me të cilat inteligjenca përpiqet ta përmirësojë realitetin kur ai, në të vërtetën e tij të zhveshur, bëhet i padurueshëm.
Lajmet e rreme të sotme e vrasin mendimin, sepse zhdukin dallimin midis së vërtetës dhe së pavërtetës dhe kërkojnë vetëm bindje të verbër. Përkundrazi, mashtrimet e zgjuara të Uliksit janë akte krijuese të mendjes së tij: ato hapin mundësi, shpikin rrugëdalje dhe e shndërrojnë një situatë pa shpresë në një hapësirë lirie.
Uliksi i Christopher Nolan lufton, vuan, vret dhe dashuron. Por, mbi të gjitha, ai mendon. Dhe kjo është befasia e vërtetë e filmit.
Skenat më spektakolare janë padyshim pushtimi i Trojës, i ndërtuar rreth shpikjes madhështore të kalit të Trojës, dhe masakra e përgjakshme e Pretendentëve, e rrëfyer si një larje hesapesh e pritur prej njëzet vitesh. Megjithatë, të dyja marrin kuptim sepse Nolan tregon atë që vjen pas veprimit: heshtjen e ndërgjegjes.
Uliksi i tij nuk i kremton fitoret e veta, por mban mbi supe peshën e tyre, i torturuar nga pendimi për të vdekurit, nga malli për Itakën dhe nga dyshimi mbi kuptimin e zgjedhjeve të tij. Kështu, heroi shndërrohet në filozof.
Jo sepse ndërton një doktrinë, por sepse e bën reflektimin mbi jetën e vet qendrën e ekzistencës së tij. Në këtë mënyrë, Nolan rikthen rrënjën autentike të filozofisë greke, e cila nuk lindi si zotërim i së vërtetës, por si një kërkim i trazuar i urtësisë.
Këtë kërkim e udhëheq Athena, e interpretuar nga një Zendaya magjepsëse. Perëndesha nuk është vetëm mbrojtësja e heroit, por mishërimi i Sophia-s, urtësisë. Megjithatë, urtësia e saj nuk përputhet kurrë me një të vërtetë të dhënë njëherë e përgjithmonë. Athena shtron pyetje më shumë sesa jep përgjigje; e shoqëron Uliksin pa ia zëvendësuar lirinë; e detyron të vërë në pikëpyetje vetveten.
Filozofia shfaqet kështu si një dialog i përhershëm me dyshimin. Filozofi nuk është ai që e zotëron urtësinë, por ai që e do atë dhe vazhdon ta kërkojë.
Paradoksalisht, e vërteta i përket Kirkes, e interpretuar me një intensitet të jashtëzakonshëm nga Samantha Morton. Është ajo që flet me tonin e sigurisë. Por e vërteta e saj përputhet me fatin.
Kur ajo i shndërron shokët e Uliksit në derra, në të vërtetë nuk i ndryshon: ajo zbulon atë që ata kanë qenë gjithmonë. Metamorfoza nuk krijon një natyrë të re, por e bën të dukshme atë që ishte fshehur. Pikërisht ky është fati: të bëhesh në mënyrë të pashmangshme ai që je.
Dhe pikërisht këtu Uliksi largohet nga Kirkja dhe sfidon fatin.
Nëse fati flet gjuhën e së vërtetës, Uliksi zgjedh gjuhën e gënjeshtrës. Në disa skena të filmit, në dialogun me të riun Simone, personazh i shpikur nga Nolan, në debatet me shokët e tij dhe madje edhe në marrëdhënien me Telemakun, ai mbron hapur dobinë e gënjeshtrës. Jo si mashtrim për hir të mashtrimit, por si një mjet shpëtimi.
E gjithë jeta e Uliksit është ndërtuar mbi metisin, inteligjencën dinake që shpik strategji, maskime dhe identitete të rreme.
Kali i Trojës është një gënjeshtër gjigante. “Askushi”, emri me të cilin mashtron Polifemin, është një gënjeshtër. I rremë është plaku lypsar nën të cilin fshihet kur kthehet në Itakë. Të rreme janë rrëfimet që shpik për t’u shpëtuar armiqve dhe për të mbrojtur njerëzit e tij.
Por këto gënjeshtra nuk e shkatërrojnë realitetin: ato e shpëtojnë atë. Nuk e mohojnë jetën; i japin mundësi të vazhdojë.
Në leximin e Nolan-it, gënjeshtra nuk është e kundërta e së vërtetës morale. Ajo është e kundërta e fatalitetit. Nëse Kirkja përfaqëson fatin e pandryshueshëm, Uliksi përfaqëson lirinë krijuese të njeriut. Dinakëria e tij është aftësia për t’iu shmangur asaj që duket se është shkruar tashmë.
Madje edhe identiteti nuk është një e dhënë e pandryshueshme: ai mund të fshihet, të rishpiket dhe të rifitohet. Njeriu është më shumë sesa natyra që i është atribuar, më shumë sesa fajet e tij, më shumë sesa e kaluara e tij. Kjo është një filozofi thellësisht perëndimore.
Që nga Sokrati e në vazhdim, kërkimi i vetvetes lind nga ushtrimi i dyshimit. Megjithatë, Nolan shton edhe një element tjetër: ky kërkim nuk ecën përpara vetëm përmes së vërtetës, por edhe përmes trillimit.
Imagjinata, rrëfimi, maskimi, madje edhe gënjeshtra, mund të bëhen mjete të lirisë, sepse njeriu nuk jeton vetëm nga ajo që është, por edhe nga ajo që mund të bëhet ende. Kështu, udhëtimi merr një kuptim që shkon përtej kthimit në Itakë.
Mbërritja nuk përkon kurrë me fundin e rrugës. Çdo arritje hap një pyetje të re; çdo siguri lind një nisje tjetër. Liria nuk qëndron te mbërritja, por te vazhdimi i zgjedhjes, pa asnjë garanci.
Për këtë arsye, Nolan duket se shikon përtej Homerit. Ai shikon drejt Uliksit të Platonit dhe afrohet me Uliksin e fundit të Dantes, atë që niset sërish drejt Perëndimit të panjohur për të ndjekur “virtytin dhe dijen”.
Perëndimi lind pikërisht nga ky shqetësim i përhershëm: nga bindja se asnjë fat nuk mund ta shuajë dëshirën njerëzore për të njohur, krijuar dhe kapërcyer kufijtë e vet.
Në rrënjët e qytetërimit tonë nuk qëndron vetëm luftëtari fitimtar apo lundërtari i palodhur.
Qëndron një filozof që di të gënjejë: një njeri që reflekton mbi veprimet e veta, sfidon fatin me inteligjencë dhe parapëlqen rrezikun e lirisë ndaj sigurisë së domosdoshmërisë.
Kjo është ndoshta intuita më e guximshme e Christopher Nolan: t’ia ketë rikthyer Uliksit jo vetëm fytyrën e heroit, por edhe atë të mendimtarit të parë të madh të Perëndimit. / CDS – bota.al