Socializmi i Gjeneratës Z

Socializmi

Kohë të ndryshme frymëzojnë grupe të ndryshme idesh të majta. Pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Europë, socializmi mori forcë nga industria e rëndë, me sindikatat e fuqishme. Ai nuk synonte të shfuqizonte kapitalizmin, por ta menaxhonte atë, duke shtetëzuar shërbimet publike dhe duke rishpërndarë të ardhurat në shkallë të gjerë.

Pas krizës financiare të viteve 2007–2009, “socialistët millenials”, siç i quajti The Economist, argumentuan se modeli europian i pasluftës kishte krijuar udhëheqës tepër të largët nga punëtorët e zakonshëm dhe tepër të vetëkënaqur përballë ndryshimeve klimatike. Zgjidhja e tyre ishte vendosja e punonjësve në bordet e kompanive, krijimi i kooperativave në pronësi të punëtorëve dhe subvencionimi i teknologjive të gjelbra, me synimin për të krijuar një kapitalizëm më të qëndrueshëm, më të drejtë dhe më ekologjik.

Tani vala më e fundit e socializmit po zgjerohet. Ajo ushqehet pjesërisht nga zemërimi për krizën humanitare të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gaza. Por për shumë votues, Gaza sa ka ardhur e po përfaqëson diçka më të madhe: ndjesinë se qeveritë e tyre shpenzojnë vëmendje dhe para për çështje të tjera, ndërsa neglizhojnë problemet e qytetarëve të tyre në vend.

Ata kërkojnë versionin e shekullit XXI të “marrëveshjes së drejtë”, që u ofroi amerikanëve Theodore Roosevelt në vitin 1904.

Sot kjo do të thotë të përballesh me një sistem të dëmtuar që pasuron interesa të fuqishme. Sipas këtij argumenti, ekonomia moderne dëmton këdo që nuk është në listën e miliarderëve të Forbes. PBB-ja është më e lartë se kurrë, por qiratë janë tepër të larta, dreka kushton 28 dollarë dhe është e vështirë të gjesh një punë të mirë.

Socialistët e rinj duan që shteti të përcaktojë çmimet e shumë mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht të nevojave bazë si ushqimi dhe qiraja. Aty ku duhen para, ato do të sigurohen, pothuajse ekskluzivisht, duke taksuar më të pasurit. Kjo është një formë politike që nuk u bën thirrje nocioneve të së mirës së përbashkët, si valët e mëparshme të socializmit, por interesit të ngushtë vetjak të njerëzve: “Ma ul qiranë! Ma ul faturën! Më jep autobusë falas! Mbroje vendin tim të punës!”

Zgjidhjet janë naive dhe shpesh të pazbatueshme. Por mesazhi është kaq i thjeshtë dhe tërheqës, sa ky socializëm i Gjeneratës Z po fiton mbështetës në të gjithë botën demokratike.

Zoharan Mamdani, kryetari i ri socialist i Nju Jorkut, është një prej tyre. Katie Wilson, një tjetër figurë e së majtës, drejton qytetin e Seattle-it. Kandidatë të majtë radikalë si Graham Platner në Maine dhe Abdul El-Sayed në Michigan shpresojnë të bëhen senatorë në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Në Wisconsin, një tjetër figurë e majtë, Francesca Hong, po ngjitet në sondazhe për postin e guvernatores. Tregjet e basteve e rendisin Alexandria Ocasio-Cortez, kongresmene socialiste nga Nju Jorku, të dytën pas Gavin Newsom si kandidaten më të mundshme demokrate për presidente në vitin 2028.

Në Kanada, Avi Lewis, bashkëshorti i Naomi Klein, autore e njohur e së majtës radikale, së fundmi u bë lider i Partisë së Re Demokratike, partia e tretë më e madhe në vend. Në Britani, Partia e Gjelbër, e udhëhequr nga Zack Polanski, po fiton terren. Në Gjermani, partia e majtë Die Linke po arrin nivelet më të larta të mbështetjes prej vitesh. Në Francë, Jean-Luc Mélenchon, një figurë veterane e së majtës, po sheh drejt garës presidenciale të vitit të ardhshëm.

  1. Mamdani dëshiron të ngrijë qiratë për apartamentet me qira të subvencionuar në Nju Jork, të hapë dyqane ushqimore në pronësi të bashkisë që shesin produkte bazë me çmime të ulëta dhe të ofrojë kujdes falas për fëmijët deri në moshën pesë vjeç.

Die Linke, në zgjedhjet e fundit rajonale, premtoi heqjen e të gjitha tarifave nga çerdhja deri në universitet. Të Gjelbrit e zotit Polanski do të vendosnin kontroll mbi qiratë dhe do t’i bënin autobusët falas për të rinjtë; Të Gjelbrit australianë do të dëshironin ta bënin falas të gjithë transportin publik. “Mendoni Costco-n, por të administruar si një shërbim publik”, thotë zoti Lewis për planin e tij për të krijuar dyqane ushqimore publike në mbarë Kanadanë.

Votuesit e refuzuan socializmin e millenials-ëve. Në vitin 2019, Jeremy Corbyn, një përfaqësues i brezit të baby-boomers, i adhuruar nga shumë të rinj britanikë, e çoi Partinë Laburiste në rezultatin e saj më të dobët që prej vitit 1935. Bernie Sanders, fytyra më e njohur amerikane e atij lëvizjeje, humbi garën për kandidimin presidencial demokrat në vitet 2016 dhe 2020. Në Francë, Mélenchon nuk arriti të hynte në balotazhin presidencial. Socialistëve iu desh të kërkonin një qasje të re. Ekonomia pas pandemisë ua ofroi mundësinë.

Në vitet 2020 është krijuar një hendek i paprecedentë mes ekonomisë në letër dhe ekonomisë së përjetuar nga njerëzit. Edhe pse bota e pasur gëzon papunësi të ulët, të ardhura familjare reale rekord dhe tregje aksionesh në rritje të fortë, njerëzit rrallëherë kanë qenë kaq pesimistë.

Që nga viti 2022, besimi i konsumatorëve amerikanë ka qëndruar pranë niveleve më të ulëta historike. Gjatë pandemisë, 20% e europianëve mendonin se kostoja e jetesës ose strehimi ishte një nga dy problemet më të mëdha me të cilat përballej vendi i tyre. Tani këtë e mendojnë 36%, ndërsa shqetësimet për ndryshimet klimatike, krimin, papunësinë dhe emigracionin po zbehen. James Meadway, një mendimtar socialist, e përmbledh besimin e së majtës kështu: “Rritja ekonomike është shkëputur nga përmirësimi i standardeve të jetesës.”

Lakmia është e mirë kur është e imja

Njerëzit fajësojnë si bizneset, ashtu edhe shtetin për gjendjen e tyre. Një sondazh i vitit 2024 nga Navigator, një kompani kërkimore, zbuloi se tre në pesë amerikanë mendonin se “lakmia e korporatave” ishte një shkak kryesor i inflacionit.

Ndoshta për këtë arsye korporatat duken më lakmitare se vetë njerëzit. Përqindja e britanikëve që duan që qeveria të “rrisë taksat dhe të shpenzojë më shumë” për shërbimet publike ka rënë ndjeshëm, ndërsa përqindja e atyre që mendojnë se tatimi mbi të ardhurat është “i padrejtë” ose “shumë i padrejtë” është dyfishuar që nga viti 2019. Përqindja e amerikanëve që besojnë se tatimi federal mbi të ardhurat është “shumë i lartë” është pranë nivelit më të lartë të dy dekadave të fundit. Në Francë, përqindja e atyre që i besojnë qeverisë qendrore për përdorimin e fondeve publike ra nga 33% në vitin 2023 në 22% në vitin 2025.

Njerëzit po fajësojnë gjithnjë e më shumë teknologjinë, veçanërisht inteligjencën artificiale. Ata kanë frikë se qendrat gjigante të të dhënave do të rrisin çmimet e energjisë elektrike dhe se IA-ja e fuqizuar nga këto ferma serverësh do t’u marrë vendet e punës. Më shumë se 60% e amerikanëve, britanikëve dhe kanadezëve thonë se produktet dhe shërbimet e IA-së i bëjnë “nervozë”, krahasuar me një mesatare globale prej rreth 50%. Një sondazh i fundit mes të rinjve amerikanë zbuloi se 59% mendonin se IA-ja ishte “një kërcënim për perspektivat e tyre profesionale”.

Dhe nëse mendoni se ekonomia e sotme është një mashtrim, socialistët e Gjeneratës Z paralajmërojnë: prisni ekonominë e nesërme të drejtuar nga IA. Një numër i vogël manjatësh do të fitojnë pushtet dhe pasuri të paprecedentë në kurriz të të gjithëve të tjerëve. Në një ceremoni të fundit universitare, studentët fishkëllyen Eric Schmidtin, ish-drejtorin ekzekutiv të Google, sa herë që ai përmendte ato dy shkronja të mallkuara.

Po çfarë duan njerëzit të bëhet për gjithë këtë?

Votuesit, në letër, janë më pak socialistë se disa vite më parë. Pas një kulmi prej 5% në vitin 2018–2021, përqindja e amerikanëve që e përshkruanin veten si “jashtëzakonisht liberalë” ka rënë në 3.4%. Megjithatë kjo nuk ndodh sepse njerëzit janë bërë më të djathtë, por sepse kanë humbur interesin për ideologjitë. Një sondazh i Institutit të Politikës në Universitetin e Harvardit zbuloi se, te të rinjtë amerikanë, mbështetja si për kapitalizmin ashtu edhe për socializmin ra ndjeshëm midis viteve 2020 dhe 2025.

Në vend të ideologjisë, njerëzit duan dikë që t’u rrisë të ardhurat dhe t’u ulë kostot. Sipas General Social Survey, një sondazh afatgjatë, kurrë që nga viti 1975 kaq shumë amerikanë nuk kanë kërkuar veprim nga qeveria për të “përmirësuar standardin e jetesës” së të varfërve. Ata duan dikë që ta ndalojë IA-në të shkatërrojë shoqërinë.

Një grup me ndikim akademikësh socialistë u jep bazën intelektuale këtyre ideve. Puna e Isabella Weber nga Universiteti i Massachusetts Amherst sugjeron se fuqia e bizneseve për të vendosur çmime do të thotë se ekonomia moderne u shërben drejtuesve dhe aksionarëve më mirë sesa njerëzve të zakonshëm. Në një studim vitin e kaluar, Weber dhe kolegët e saj analizuan komunikimet e kompanive me investitorët dhe arritën në përfundimin se shumë firma përfituan nga inflacioni për të “mbrojtur ose edhe rritur fitimet”.

Shumë ekonomistë theksojnë se rritja e pagave, dhe jo abuzimi me çmimet, ka nxitur një pjesë të madhe të inflacionit kohët e fundit. Megjithatë, idetë e zonjës Weber, së bashku me koncepte të lidhura si “ekonomia në formë K-je”, ku të pasurit fitojnë dhe të gjithë të tjerët humbasin, kanë fituar popullaritet.

Të tjerë shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se rritja ekonomike nuk mund t’u japë njerëzve atë që u nevojitet vërtet. Jason Hickel (antropolog) dhe Kohei Saito (filozof), ndër të tjera, argumentojnë se rritja e PBB-së është shoqërisht shkatërruese, duke i detyruar njerëzit të punojnë tepër, vetëm për të siguruar jetesën. Libri i Saitos, “Slow Down: The Degrowth Manifesto”, u bë një sukses i madh në Japoni, duke shitur më shumë se 500 mijë kopje.

Këto ide janë të paqarta, por janë në modë mes politikanëve europianë; në vitin 2023, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, mori pjesë në një konferencë “përtej rritjes ekonomike” në Parlamentin Europian.

Si përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve politike dhe intelektuale, politikanët socialistë të Gjeneratës Z po eksperimentojnë me një mesazh të ri. Së pari, ata po heqin dorë nga gjuha “woke”, duke argumentuar se, në një botë me zemërim të paprecedentë për ekonominë dhe me përbuzje ndaj ideologjive, këto tema duken më pak urgjente.

Nuk flitet më për “racizëm strukturor” apo DBP (diversitet, barazi dhe përfshirje). “Kriza klimatike”, problemi kolektiv më i madh, merr relativisht pak vëmendje, madje edhe te Të Gjelbrit e zotit Polanski. Demokratët kanë pushuar së foluri për një “Marrëveshje të Re të Gjelbër”. Zoti Platner madje premton të heqë taksat federale mbi naftën, diçka e paimagjinueshme për socialistët e brezit të mëparshëm të fokusuar te klima. Edhe modeli tradicional “taksa dhe shpenzime”, themeli i socializmit klasik, është lënë mënjanë.

Socializmi i Gjeneratës Z përqendrohet në bërjen e jetës më të përballueshme dhe vendeve të punës më të sigurta, veçanërisht përballë inteligjencës artificiale. Mbështetësit favorizojnë pothuajse çdo politikë që ofron lehtësim të menjëhershëm, në vend të investimeve afatgjata me përfitime të pasigurta.

Disa duan transport publik falas. Shumica mbështesin kontrollin e qirave. Pothuajse të gjithë premtojnë kujdes falas për fëmijët. Deri në atë që rezultoi një humbje e ngushtë në një zgjedhje paraprake më 2 qershor, Tom Steyer bëri fushatë për guvernator të Kalifornisë me idenë e një “garancie pune për epokën e IA-së”, duke premtuar “vende pune me paga të mira dhe përfitime për punëtorët e prekur nga inteligjenca artificiale”.

Zoti Lewis do të ndalonte ndërtimin e qendrave të të dhënave në Kanada dhe kundërshton “çdo përpjekje për të zëvendësuar nëpunësit publikë me chatbotë”.

Ndarja më e madhe intelektuale mes socialistëve të Gjeneratës Z dhe paraardhësve të tyre lidhet me pyetjen se kush do të paguajë për të gjitha këto përfitime dhe mbrojtje. Socialistët e mëparshëm imagjinonin rritje të gjera taksash. Në fund të viteve 2010, Bernie Sanders propozoi një shtesë prej 4% mbi të ardhurat mbi 29,000 dollarë në vit (pra për shumicën dërrmuese të familjeve amerikane).

Ndërsa socialistët e rinj, kur propozojnë rritje taksash, fokusohen pothuajse ekskluzivisht te super të pasurit. Zoti Polanski propozon një taksë vjetore prej 1% mbi pasurinë mbi 10 milionë paund dhe 2% mbi pasurinë mbi 1 miliard paund (Britania ka vetëm rreth 100 miliarderë). Zoti Mamdani po vendos një taksë vjetore shtesë mbi disa prona luksoze banimi. Shteti i Uashingtonit po miraton një “taksë milionerësh” prej 9.9% mbi të ardhurat mbi 1 milion dollarë.

Sipas kësaj logjike, para shtesë do të vijnë edhe nga bërja e qeverisë më efikase. Verdant, organizata e James Meadway-t e afërt me Të Gjelbrit, ka propozuar një “DOGE të së majtës”, të emërtuar sipas përpjekjes së shkurtër të Elon Musk për të eliminuar shpenzimet e panevojshme federale gjatë presidencës së Donald Trump. Më 28 maj, zoti Mamdani premtoi krijimin e COGE (Commission on Government Efficiency – Komisioni për Efikasitetin e Qeverisë) për qytetin e tij.

Shumica e këtyre ideve janë të çuditshme. Kontrolli i qirave nuk e bën strehimin më të përballueshëm; ai dekurajon investimet në sektor, duke kufizuar ofertën dhe duke rritur qiratë në afat të gjatë. Përpjekjet për të ndalur IA-në do të bëjnë që investimet dhe vendet e punës të zhvendosen diku tjetër. Kursimet nga efikasiteti duken të mëdha në letër, por janë të vështira për t’u realizuar në praktikë, mjafton të pyesësh Elon Musk. Dhe mbështetja kaq e madhe te taksimi i plutokratëve është e rrezikshme: thjesht nuk ka aq shumë prej tyre dhe ata mund të largohen (siç kanë bërë disa nga Kalifornia në pritje të taksave të reja mbi miliarderët).

Dreka falas nuk është vetëm për naivët

Megjithatë, shumë jo-socialistë po përqafojnë politika që do ta bënin krenar zotin Mamdani. Laburistët e qendrës po eksperimentojnë me kufizime çmimesh për ushqimet. Demokratët e qendrës kanë propozuar ulje taksash për këdo jashtë përqindjes më të lartë të fituesve. Edhe republikanët MAGA janë të prirur të mbështesin pezullimin e ndërtimit të qendrave të të dhënave.

Pavarësisht nëse më shumë socialistë të Gjeneratës Z do të fitojnë apo jo zgjedhjet, socializmi i Gjeneratës Z nuk po zhduket. / The Economist

Back to top button