Makiaveli mes nesh: kanë ndryshuar fronet, po njeriu?

Makiaveli

Sikur Makiaveli të ecte sot në rrugët e një qyteti modern, ndoshta do të habitej nga makinat, ekranet dhe shpejtësia me të cilën udhëton një lajm. Por, pasi të kalonte tronditja e parë, ka gjasa të ndihej çuditërisht në shtëpi. Në një zyrë ku të gjithë i japin të drejtë shefit. Në një debat ku imazhi ka më shumë peshë se argumenti. Në një rrjet social ku mijëra njerëz dashurojnë ose urrejnë dikë që nuk e kanë takuar kurrë.

Teknologjia do t’i dukej e panjohur. Ambicia, frika dhe etja për miratim, shumë më pak.

Prej këtu buron shqetësimi që na shkaktojnë ende reflektimet e tij: mundësia që, ndërsa kemi ndryshuar botën përreth nesh, disa prej mekanizmave që na drejtojnë të kenë mbetur pothuajse të njëjtë.

Bota që shohim, bota që besojmë

Pjesën më të madhe të njerëzve mbi të cilët kemi një mendim, nuk i njohim. Njohim fytyrën e tyre, disa fjali, një histori që na është treguar. Megjithatë, kjo na mjafton për t’i quajtur të mençur, të rrezikshëm, të ndershëm apo të paaftë.

Mes asaj që dikush është dhe asaj që ne besojmë për të, shtrihet një hapësirë ku ndërtohet pushteti.

Në këtë hapësirë punojnë fjalimet, fotografitë, gjestet publike dhe heshtjet e llogaritura. Një njeri mund të duket i sigurt sepse nuk pranon kurrë dyshime. Një tjetër mund të duket i dobët pikërisht sepse është aq i ndershëm sa t’i pranojë ato.

Ekranet e kanë zgjeruar këtë teatër. Sot mund ta shohim dikë çdo ditë dhe të mos dimë pothuajse asgjë për të. Afërsia vizuale na jep ndjesinë e njohjes; përsëritja na krijon bindjen se kemi prova.

Sa prej gjykimeve tona janë vërtet tonat dhe sa janë përgatitur me kujdes nga dikush tjetër?

Çfarë fshihet pas një “po”-je

Në marrëdhëniet njerëzore, bindja mund të ketë shumë fytyra. Dikush të ndjek sepse të beson. Dikush sepse ka nevojë për ty. Dikush tjetër sepse druhet nga ajo që mund të humbasë nëse të kundërshton. Nga jashtë, të tre mund të duken njësoj besnikë.

Kjo është një prej vështirësive të pushtetit: sa më shumë të kesh, aq më e vështirë bëhet të kuptosh çfarë ndiejnë vërtet njerëzit përreth teje. Miratimi shtohet, por vlera e tij si dëshmi zvogëlohet.

Frika mund të prodhojë bindje të menjëhershme. Por ajo ka një kosto që shpesh mbetet e padukshme: njerëzit fillojnë të fshehin gabimet, të zbukurojnë lajmet dhe të heshtin përballë rrezikut. Drejtuesi ndihet gjithnjë e më i sigurt, ndërsa di gjithnjë e më pak. Në fund, njeriu që tremb të gjithë mund të mbetet i fundit që mëson të vërtetën.

Kur përshtatja bëhet alibi

Jeta na vendos shpesh përballë një konflikti: t’i qëndrojmë besnikë një vendimi apo të pranojmë se rrethanat e kanë bërë të gabuar? Këmbëngulja ka dinjitet, por mund të ketë edhe verbëri. Ndryshimi i drejtimit mund të kërkojë më shumë guxim sesa vazhdimi i një rruge vetëm sepse e kemi shpallur publikisht.

Megjithatë, këtu lind edhe alibia më e volitshme e oportunistit. Çdo premtim i shkelur mund të paraqitet si përshtatje. Çdo braktisje si domosdoshmëri. Çdo interes personal si kërkesë e momentit.

Prandaj, prova e karakterit gjendet te ajo që ruajmë kur ndryshojmë. A mbetet një parim që na kufizon? A ekziston një çmim që nuk pranojmë t’ua ngarkojmë të tjerëve? Nëse gjithçka mund të negociohet, të tjerët mësojnë se edhe fjala jonë ka një afat skadence.

Sa prej jetës na përket?

Përballë fatit, njeriu tundet mes dy iluzioneve: se kontrollon gjithçka ose se nuk kontrollon asgjë.

I pari e bën arrogant në sukses. I dyti e bën pasiv përballë vështirësisë.

Jeta zhvillohet diku mes tyre. Ne nuk zgjedhim çdo rrethanë, por marrim vendime brenda saj. Përgatitja nuk e garanton mundësinë; na ndihmon ta përdorim kur ajo shfaqet. Guximi nuk e përjashton humbjen; na lejon të veprojmë edhe kur rezultati mbetet i pasigurt. Aty takohen zgjuarsia e dhelprës dhe forca e luanit: aftësia për të dalluar kurthin dhe vendosmëria për të mos mbetur përgjithmonë përpara tij.

Pas pasqyrës që jep Makiaveli

Leximi i Makiavelit ka një tundim: fillojmë të shohim llogari pas çdo mirësie dhe interes pas çdo afërsie. Por edhe cinizmi mund të na verbojë. Duke dyshuar te gjithçka, mund të mos dallojmë më as besnikërinë kur e kemi përballë. Vlera e këtyre reflektimeve qëndron te vëmendja që na kërkojnë. Të shohim përtej dukjes. Të dallojmë bindjen nga frika. Të kuptojmë kur një favor po na kufizon lirinë dhe kur ne vetë po kërkojmë miratim në vend të së vërtetës.

Pyetja më e vështirë na lind pasi i kemi njohur këto mekanizma te të tjerët. Çfarë bëjmë kur zbulojmë se funksionojnë edhe brenda nesh? / bota.al

Back to top button