Miguel de Cervantes: Njeriu që krijoi ëndërrimtarin më të famshëm në botë

Ishte ushtar, rob, aventurier, i varfër dhe shpesh i zhgënjyer nga jeta. Por Miguel de Cervantes arriti të krijonte një personazh që do të jetonte përgjithmonë: Don Kishotin, kalorësin që luftonte me mullinjtë e erës dhe refuzonte të hiqte dorë nga ëndrrat. Historia e tij është rrëfimi i një njeriu që njohu humbjen, por e shndërroi atë në pavdekësi.

Miguel de Cervantes

Miguel de Cervantes: Njeriu që humbi pothuajse gjithçka, përveç imagjinatës

Ka një ironi të jashtëzakonshme në historinë e Miguel de Cervantes: një nga shkrimtarët më të mëdhenj të njerëzimit kaloi pjesën më të madhe të jetës duke u përpjekur të siguronte bukën e gojës.

Ai ëndërroi lavdinë ushtarake, por u kthye nga lufta me një dorë të gjymtuar. Ëndërroi një karrierë të suksesshme, por përfundoi në burg. Kërkoi stabilitet ekonomik, por jetoi mes borxheve dhe pasigurisë. Dhe kur më në fund krijoi librin që do ta bënte të pavdekshëm, ishte tashmë një burrë që po i afrohej të gjashtëdhjetave.

Megjithatë, pikërisht nga kjo jetë plot zhgënjime lindi një prej personazheve më të dashura të letërsisë botërore, Don Kishoti.

Kalorësi i dobët, me kalin e tij të rraskapitur, që niset të luftojë padrejtësitë e botës, edhe kur e gjithë bota e quan të marrë. Ndoshta askush tjetër nuk mund ta kishte krijuar këtë personazh përveç një njeriu që kishte mësuar, në mënyrën më të dhimbshme, dallimin mes ëndrrave dhe realitetit.

Një jetë si një roman aventuresk

Miguel de Cervantes lindi në vitin 1547, në Alcalá de Henares, pranë Madridit, në një familje me vështirësi ekonomike. Babai i tij ishte kirurg, një profesion që në atë kohë nuk garantonte as pasuri, as pozitë të lartë shoqërore. Familja lëvizte nga një qytet në tjetrin, duke kërkuar mundësi më të mira.

Për fëmijërinë dhe arsimimin e Servantesit dimë relativisht pak. Por një gjë është e sigurt: ai u rrit në një Spanjë që jetonte mes madhështisë perandorake dhe kontradiktave të thella shoqërore. Ishte epoka kur Spanja zotëronte territore të pafundme, kur anijet e saj sillnin pasuri nga Amerika dhe kur idealet e kalorësisë vazhdonin të ushqenin imagjinatën popullore.

Por pas shkëlqimit të perandorisë fshiheshin varfëria, padrejtësitë dhe një shoqëri e ndarë nga privilegjet. Kjo botë kontradiktore do të bëhej më vonë skena e madhe e Don Kishotit.

Në vitin 1569, Servantesi u largua drejt Italisë. Dy vjet më vonë, në vitin 1571, mori pjesë në Betejën e Lepantos, një nga përplasjet më të rëndësishme detare mes forcave të krishtera të Lidhjes së Shenjtë dhe Perandorisë Osmane.

Atje u plagos rëndë në dorën e majtë, duke humbur pjesërisht përdorimin e saj. Por Servantesi nuk e konsideronte këtë plagë një turp. Përkundrazi, e shihte si dëshmi të guximit dhe sakrificës. Për të, Lepantoja mbeti një nga momentet më krenare të jetës. Dhe pë ironi, aventura më e dhimbshme ende nuk kishte filluar.

Pesë vjet robëri dhe katër përpjekje për t’u arratisur

Në vitin 1575, ndërsa po kthehej nga Italia në Spanjë, anija me të cilën udhëtonte u sulmua nga korsarë pranë brigjeve të Mesdheut. Servantesi u kap rob dhe u dërgua në Algjer, atje ku do të kalonte pesë vjet të jetës. Pesë vjet pasigurie, frike dhe shprese.

Gjatë robërisë bëri katër përpjekje për t’u arratisur, por të gjitha dështuan. Megjithatë, nuk hoqi dorë nga dëshira për liri. Dëshmitë e kohës tregojnë se ai shfaqi guxim dhe solidaritet me robërit e tjerë. Më në fund, në vitin 1580, falë përpjekjeve të familjes dhe ndërhyrjes së urdhrit fetar të trinitarëve, u lirua kundrejt një shpërblimi të madh. Kur u kthye në Spanjë, ishte tridhjetë e tre vjeç. Kishte humbur vite të çmuara, shëndetin dhe shumë prej shpresave të rinisë. Por kishte fituar diçka tjetër: njohjen e thellë të natyrës njerëzore.

Kishte parë frikën dhe guximin, mizorinë dhe dhembshurinë, shpresën dhe dëshpërimin. Dhe të gjitha këto përvoja do të gjenin, herët a vonë, rrugën drejt letërsisë së tij.

Shkrimtari që nuk arrinte të fitonte betejën me jetën

Pas kthimit në Spanjë, Servantesi u përpoq të ndërtonte një karrierë letrare. Në vitin 1585 botoi romanin baritor “La Galatea”, por suksesi nuk ishte ai që kishte shpresuar. Shkroi drama, poezi dhe tregime, ndërsa për të mbijetuar punoi edhe në administratë, përfshirë furnizimin e flotës dhe mbledhjen e taksave.

Ishin punë të vështira, të mbushura me konflikte dhe përgjegjësi financiare. Problemet me llogaritë dhe autoritetet e çuan edhe në burg.

Megjithëse lidhja e drejtpërdrejtë mes burgut dhe krijimit të Don Kishotit mbetet e paqartë, vetë Servantesi e përmend burgun në prologun e romanit si vendin ku lindi ideja e veprës. Dhe kjo është një nga ironitë më të bukura të historisë së letërsisë.

Një njeri që kishte njohur kufizimet e lirisë fizike krijoi një personazh që nuk njihte kufij për imagjinatën. Një njeri që kishte dështuar në shumë prej përpjekjeve të tij krijoi një kalorës që vazhdonte të ngrihej pas çdo humbjeje. Dhe një njeri që e njihte mirë ashpërsinë e realitetit krijoi mbrojtësin më të famshëm të ëndrrave.

Lindja e Don Kishotit

Në vitin 1605, kur Servantesi ishte 57 vjeç, u botua pjesa e parë e “Don Kishotit të Mançës”. Në pamje të parë, historia dukej si një parodi e romaneve kalorësiake, të cilat kishin qenë jashtëzakonisht popullore.

Personazhi kryesor, Alonso Quijano, është një fisnik modest i cili lexon aq shumë histori kalorësish, sa fillon të besojë se edhe ai duhet të bëhet kalorës endacak. Ai merr emrin Don Kishot, vesh një armaturë të vjetër, i vendos kalit emrin Rosinant dhe niset në kërkim të aventurave. Në krah ka Sanço Pançën, një fshatar praktik, të interesuar për ushqimin, rehatinë dhe përfitimet konkrete të jetës.

Kështu lind një nga dyshet më të famshme të letërsisë. Don Kishoti sheh botën ashtu siç dëshiron të jetë. Sanço Pança e sheh ashtu siç është. Njëri jeton për idealet, tjetri për nevojat e përditshme. Njëri sheh gjigantë, tjetri mullinj ere. Por madhështia e romanit qëndron në faktin se Servantesi nuk na tregon thjesht se cili prej tyre ka të drejtë.

Sepse, ndërsa Don Kishoti gabon vazhdimisht për realitetin, ai shpesh ka të drejtë për diçka më të thellë: nevojën njerëzore për drejtësi, dinjitet dhe kuptim.

A ishte vërtet i marrë Don Kishoti?

Kjo është pyetja që e ka mbajtur gjallë romanin për më shumë se katër shekuj. Natyrisht, Don Kishoti është komik. Ai ngatërron mullinjtë me gjigantët, hanet me kështjellat dhe njerëzit e zakonshëm me figura të botës kalorësiake. Por, pas të qeshurës, lexuesi fillon të ndiejë diçka tjetër, një trishtim të hollë.

Kalorësi i Mançës është një njeri që dëshiron të jetojë në një botë më të mirë. Ai beson se të dobëtit duhen mbrojtur, se padrejtësitë duhen luftuar dhe se nderi ka më shumë vlerë se përfitimi. Problemi është se bota përreth tij nuk funksionon sipas këtyre idealeve.

Servantesi, me gjenialitetin e tij krijoi një personazh që është njëkohësisht qesharak dhe fisnik, absurd dhe prekës, i humbur në iluzione dhe, në një kuptim tjetër, më i kthjellët se njerëzit që e rrethojnë.

Don Kishoti na detyron të pyesim: kush është më i marrë? Ai që beson se bota mund të bëhet më e mirë? Apo ai që e pranon padrejtësinë si diçka të pandryshueshme?

Kur krijesa bëhet më e famshme se krijuesi

Suksesi i romanit ishte i madh. Don Kishoti u bë një personazh i njohur, ndërsa historia e tij filloi të qarkullonte përtej kufijve të Spanjës. Në vitin 1614, një autor që përdorte pseudonimin Alonso Fernández de Avellaneda botoi një vazhdim të paautorizuar të aventurave të kalorësit. Servantesi reagoi duke botuar, në vitin 1615, pjesën e dytë autentike të romanit.

Por në këtë vazhdim ndodh diçka e jashtëzakonshme. Personazhet e romanit kanë dëgjuar tashmë për Don Kishotin dhe aventurat e tij. Vetë fama e personazhit bëhet pjesë e historisë. Në këtë mënyrë, Servantesi luan me kufirin mes trillimit dhe realitetit, duke krijuar një teknikë narrative që do të ndikonte thellësisht zhvillimin e romanit modern. Don Kishoti nuk ishte më thjesht një personazh libri. Ai ishte kthyer në një mit.

Fundi i ëndërrimtarit

Në fund të pjesës së dytë, Don Kishoti kthehet në shtëpi, i lodhur dhe i mundur. Ai sëmuret dhe, pak përpara vdekjes, duket se rifiton arsyen. Heq dorë nga identiteti i kalorësit endacak dhe pranon se aventurat e tij kishin qenë iluzione. Është një nga fundet më prekëse të letërsisë. Sepse lexuesi, që në fillim kishte qeshur me marrëzinë e tij, tani ndien dhimbje kur ai pushon së ëndërruari. Sikur, duke u kthyer në një njeri krejtësisht të arsyeshëm, Don Kishoti humbet pikërisht atë që e kishte bërë të jashtëzakonshëm.

Vetëm pak muaj pas botimit të pjesës së dytë, më 22 prill 1616, vdiq edhe Miguel de Cervantes. Ishte 68 vjeç. Njeriu që kishte kaluar jetën mes luftërave, robërisë, varfërisë dhe zhgënjimeve po largohej nga kjo botë. Por krijesa e tij sapo kishte nisur rrugëtimin drejt pavdekësisë.

Pse Don Kishoti vazhdon të jetojë?

Më shumë se katër shekuj më vonë, Don Kishoti mbetet një simbol universal. Ai përfaqëson konfliktin e përhershëm mes asaj që është bota dhe asaj që ne dëshirojmë të jetë. Në çdo epokë ekzistojnë njerëz që luftojnë beteja në dukje të pamundura, që mbrojnë ideale të përqeshura nga të tjerët dhe që refuzojnë të dorëzohen përballë cinizmit. Në njëfarë mënyre, të gjithë kemi brenda vetes diçka nga Don Kishoti dhe diçka nga Sanço Pança.

Një pjesë e jona dëshiron siguri, rehati dhe realizëm. Një pjesë tjetër kërkon aventurë, madhështi dhe një kuptim që shkon përtej jetës së zakonshme. Servantesi e kuptoi këtë kontradiktë më mirë se shumë të tjerë, sepse e kishte jetuar vetë.

Ai kishte qenë ushtari që ëndërronte lavdinë, robi që ëndërronte lirinë dhe shkrimtari që ëndërronte njohjen.

Don Kishoti nuk është thjesht historia e një njeriu që nuk arrinte të dallonte fantazinë nga realiteti. Është historia e nevojës sonë për të besuar se jeta mund të jetë diçka më shumë se ajo që shohim.

Miguel de Cervantes nuk arriti të pushtonte mbretëri, të fitonte pasuri të mëdha apo të siguronte lavdinë ushtarake që kishte ëndërruar në rini. Por arriti diçka shumë më të rrallë. Krijoi një njeri imagjinar që, shekuj pas vdekjes së autorit, vazhdon t’u kujtojë njerëzve të vërtetë se jo çdo betejë e humbur është e kotë.

Dhe se ata që bota i quan të marrë, janë pikërisht ata që nuk kanë harruar si të ëndërrojnë. / bota.al

Back to top button