Mësoni të pranoni komplimentet: Jeni më të veçantë sesa mendoni!

komplimentet

A e keni vënë re sa shumë njerëz e kanë të vështirë të pranojnë komplimentet? Sa herë dikush na thotë një fjalë të bukur, në vend që të buzëqeshim dhe ta falënderojmë, nxitojmë ta minimizojmë atë. Nëse dikush na lavdëron këpucët, përgjigjemi menjëherë: “Janë të vjetra!”. Nëse na thotë se dukemi bukur, justifikohemi duke thënë se nuk kemi bërë asgjë të veçantë.

Është sikur brenda nesh ekziston një zë që na pengon të besojmë se e meritojmë vlerësimin e të tjerëve. Por përse ndodh kjo? Përse e kemi kaq të vështirë të pranojmë fjalët e mira, ndërkohë që kritikat i mbajmë mend për vite të tëra?

Pse e kemi të vështirë të pranojmë komplimentet?

Në të vërtetë, pranimi i një komplimenti lidhet ngushtë me mënyrën se si e shohim dhe e vlerësojmë veten. Kur nuk kemi krijuar një marrëdhënie të shëndetshme me veten, edhe fjalët më të sinqerta të të tjerëve mund të na duken të ekzagjeruara.

Shpesh mendojmë se nuk jemi mjaftueshëm të bukur, të zgjuar, të suksesshëm apo të denjë për t’u admiruar. Kështu, kur dikush na vlerëson, në vend që ta pranojmë, kërkojmë menjëherë një arsye për ta kundërshtuar.

Ndonjëherë kjo sjellje buron nga modestia, por jo gjithmonë. Pas saj mund të fshihet pasiguria, frika nga gjykimi ose bindja se nuk jemi aq të mirë sa na shohin të tjerët.

Shoqëria na mëson të kërkojmë përsosmërinë

Nuk është aspak e lehtë të ndërtosh një imazh pozitiv për veten në një shoqëri që promovon vazhdimisht modele pothuajse të paarritshme të bukurisë, suksesit dhe lumturisë.

Çdo ditë përballemi me fotografi të përpunuara, jetë që duken të përsosura dhe njerëz që shfaqin vetëm momentet e tyre më të bukura. Rrjetet sociale na krijojnë përshtypjen se të gjithë janë më të lumtur, më tërheqës dhe më të suksesshëm se ne.

Pa e kuptuar, fillojmë ta krahasojmë realitetin tonë me atë që shohim në ekran.

Harrojmë se pas çdo fotografie mund të fshihen vështirësi, pas çdo buzëqeshjeje mund të ketë shqetësime dhe pas çdo suksesi qëndrojnë përpjekje, dështime e sakrifica.

Kjo garë e vazhdueshme na bën të ndihemi gjithnjë e më pak të denjë për lumturinë dhe vlerësimin që meritojmë.

Krahasimi me të tjerët na largon nga vetja

Konkurrenca nuk është më e pranishme vetëm në vendin e punës. Ajo ka depërtuar në marrëdhëniet shoqërore, në familje dhe madje në mënyrën se si e përjetojmë jetën personale.

Krahasojmë pamjen, arritjet, marrëdhëniet, gjendjen ekonomike dhe gjithçka tjetër që mund të matet me suksesin e dikujt tjetër.

Në përpjekje për t’u pranuar, shumë njerëz fillojnë të fshehin personalitetin e tyre të vërtetë. Peshojnë çdo fjalë, kontrollojnë çdo veprim dhe përpiqen të krijojnë një imazh që mendjnë se do të pëlqehet nga të tjerët.

Por duke kërkuar vazhdimisht miratimin e botës, rrezikojmë të humbasim lidhjen me atë që jemi në të vërtetë.

Nuk duhet të harrojmë se vlera jonë nuk përcaktohet nga krahasimi me askënd. Secili ka rrugën, ritmin dhe bukurinë e tij të veçantë.

Pse i kujtojmë kritikat më shumë se fjalët e mira?

Ekziston një prirje njerëzore për t’u përqendruar më gjatë tek përvojat negative. Një kritikë mund të na shqetësojë për ditë të tëra, ndërsa dhjetë komplimente mund t’i harrojmë brenda pak minutash.

Mjafton që dikush të na thotë diçka të pakëndshme për pamjen apo karakterin tonë dhe ajo fjali të mbetet gjatë në mendjen tonë.

Ndërkohë, kur dikush na vlerëson sinqerisht, shpesh e kalojmë me një buzëqeshje të pasigurt.

Kjo mënyrë të menduari ushqen dyshimin ndaj vetes dhe na pengon të shohim cilësitë që të tjerët i dallojnë tek ne.

Prandaj është e rëndësishme të mësojmë t’u japim hapësirë edhe përvojave pozitive. Fjalët e bukura meritojnë të kujtohen, jo të hidhen poshtë.

Të pranosh një kompliment nuk është mendjemadhësi

Shumë njerëz kanë frikë se pranimi i një komplimenti mund t’i bëjë të duken arrogantë. Por ekziston një ndryshim i madh midis vetëvlerësimit dhe mendjemadhësisë.

Të pranosh një fjalë të mirë nuk do të thotë të mendosh se je më i mirë se të tjerët. Do të thotë thjesht të respektosh veten dhe mirësinë që dikush po të ofron.

Herën tjetër kur dikush t’ju thotë se dukeni bukur, se keni bërë një punë të shkëlqyer apo se keni një cilësi të veçantë, mos kërkoni menjëherë një justifikim. Buzëqeshni dhe thoni: “Faleminderit!”. Kaq mjafton. Nuk keni nevojë të zvogëloni veten për të treguar modesti.
Mësoni ta doni veten, me të gjitha papërsosmëritë

Dashuria për veten nuk nënkupton të besosh se je i përsosur. Përkundrazi, do të thotë të pranosh se ke të meta, dobësi dhe pasiguri, por që asnjëra prej tyre nuk ta pakëson vlerën si njeri.

Ne të gjithë kemi nevojë për mirësi, për fjalë inkurajuese dhe për njerëz që na kujtojnë cilësitë tona në momentet kur i harrojmë.

Jeta është mjaftueshëm e vështirë për të mos ia mohuar vetes edhe gëzimet e vogla.

Pranoni komplimentet, dhuratat, përqafimet dhe gjestet e dashurisë me zemër të hapur. Mos dyshoni vazhdimisht në sinqeritetin e çdo fjale të bukur.

Edhe nëse ndonjë kompliment rezulton i pasinqertë, kjo nuk e përcakton vlerën tuaj. Sinqeriteti është përgjegjësi e atij që flet, jo e atij që dëgjon.

Mos harroni: Meritoni të vlerësoheni!

Në një botë ku kritikat, krahasimet dhe negativiteti janë kaq të pranishëm, duhet të mësojmë ta mbrojmë paqen tonë të brendshme.

Ruajini fjalët e mira. Vlerësojini njerëzit që ju japin dashuri. Mos i minimizoni arritjet tuaja dhe mos e nënvlerësoni bukurinë që mbartni.

Mbi të gjitha, mos prisni të bëheni të përsosur për ta dashur veten.

Herën tjetër kur dikush t’ju thotë diçka të bukur, mos e kundërshtoni. Pranojeni me mirënjohje dhe lejojeni veten të gëzohet. Sepse ndonjëherë të tjerët shohin tek ne një dritë që ne vetë kemi harruar se e mbartim. / bota.al

Back to top button