Pse mendja jonë nuk i harron gjërat që kanë mbetur përgjysmë?

Një bisedë që nuk e përfunduam, një dashuri që mbeti pa përgjigje, një ëndërr që e braktisëm. Gjërat e papërfunduara kanë një mënyrë të çuditshme për të vazhduar të jetojnë brenda te mendja jonë, edhe kur jeta ka ecur përpara.

mendja

Ka raste kur, në mes të një dite krejt të zakonshme, mendja na çon papritur vite pas në kohë. Na rikthen te një bisedë, te një njeri që nuk është më pjesë e jetës sonë, te një vendim që nuk patëm guximin ta merrnim. Kujtojmë fjalët që nuk thamë, mundësitë që nuk shfrytëzuam, rrugët që nuk përshkuam.

Është e çuditshme se si disa ngjarje të rëndësishme të jetës sonë zbehen me kalimin e viteve, ndërsa të tjera, në dukje më të parëndësishme, vazhdojnë të na shoqërojnë me një këmbëngulje të pashpjegueshme.

Në vitet 1920, psikologia Bluma Zeigarnik nisi të studionte marrëdhënien mes kujtesës dhe veprimeve të papërfunduara. Sipas një historie të njohur në psikologji, pikënisja kishte qenë një vëzhgim i thjeshtë në një kafene: kamerierët dukeshin në gjendje të mbanin mend porositë e klientëve për sa kohë që llogaria nuk ishte paguar. Pasi klientët largoheshin, hollësitë e porosisë harroheshin shumë më kollaj.

Në eksperimentet e saj, Zeigarnik u kërkoi pjesëmarrësve të kryenin detyra të ndryshme, disa prej të cilave ua ndërpreu përpara se të përfundonin. Ajo vuri re se pjesëmarrësit prireshin të kujtonin më mirë detyrat e ndërprera. Kështu lindi ai që në psikologji njihet si efekti Zeigarnik.

Ideja ishte magjepsëse: një veprim i papërfunduar mund të krijojë një lloj tensioni psikologjik, i cili vazhdon të ekzistojë edhe pasi kemi pushuar së vepruari.

Megjithatë, gati një shekull më vonë, shkenca na ofron një tablo më të ndërlikuar. Një analizë e botuar në vitin 2025 nga studiuesit Romain Ghibellini dhe Beat Meier arriti në përfundimin se detyrat e papërfunduara nuk mbahen domosdoshmërisht mend më mirë. Ajo që duket shumë më e qëndrueshme është prirja jonë për t’iu rikthyer veprimeve që kemi lënë në mes.

Me fjalë të tjera, nuk është vetëm çështje kujtese. Është edhe çështje e nevojës për të vazhduar.

Jeta që nuk jetuam

Mund të ketë diçka nga kjo dukuri edhe në mënyrën se si përjetojmë marrëdhëniet njerëzore. Natyrisht, një marrëdhënie dashurie nuk mund të reduktohet në një eksperiment psikologjik. Por analogjia na ndihmon të kuptojmë diçka për natyrën tonë.

Një histori dashurie që përfundon me një ndarje të qartë, sado e dhimbshme të jetë, ka të paktën një fund. Por çfarë ndodh me një histori që shuhet pa shpjegim? Me një njeri që largohet duke lënë pas pyetje? Me një marrëdhënie që nuk arriti kurrë të bëhej ajo që kishim imagjinuar?

Në këto raste, ne mund të mos vuajmë vetëm për atë që humbëm, por edhe për atë që nuk patëm mundësinë ta jetonim.

Imagjinata vazhdon atje ku realiteti është ndalur. Ndërton biseda të reja, përfytyron takime të tjera, shpik përfundime alternative. Dhe sa herë që rikthehemi te historia, kemi mundësinë ta rrëfejmë ndryshe.

E njëjta gjë mund të ndodhë me një profesion që nuk zgjodhëm, me një udhëtim që nuk bëmë, me një talent që nuk e zhvilluam. Brenda jetës që jetojmë, ekzistojnë në imagjinatën tonë edhe shumë jetë të tjera, të cilat nuk morën kurrë formë. Herë pas here, ato kthehen të na vizitojnë.

Kur mendja nuk di të pushojë

Në vitin 2011, psikologët E. J. Masicampo dhe Roy Baumeister botuan një studim interesant në revistën “Journal of Personality and Social Psychology”. Eksperimentet e tyre treguan se objektivat e parealizuara mund të ndërhyjnë në përqendrimin tonë, edhe kur jemi duke u marrë me diçka krejt tjetër.

Por studiuesit zbuluan edhe diçka tjetër: hartimi i një plani konkret për realizimin e një synimi mund ta zvogëlonte këtë ndërhyrje mendore, pa qenë e nevojshme që synimi të realizohej menjëherë. Ndonjëherë, mendja nuk ka nevojë që gjithçka të përfundojë. Ka nevojë të dijë se çfarë do të ndodhë më tej.

Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe një paradoks të jetës moderne. Kemi më shumë mjete se kurrë për të organizuar kohën, për të komunikuar dhe për të punuar, por shpesh ndihemi sikur asgjë nuk përfundon plotësisht.

Mesazhet që presin përgjigje, dokumentet e hapura në kompjuter, projektet e shtyra, vendimet e pezulluara. Mund të largohemi nga zyra, por puna nuk largohet domosdoshmërisht prej nesh. Një pjesë e lodhjes sonë mund të vijë jo nga gjërat që kemi bërë gjatë ditës, por nga të gjitha ato që ende duhet të bëjmë.

Arti i vendosjes së pikës

Por ka edhe gjëra që nuk mund t’i përfundojmë. Nuk mund të rikthehemi në të kaluarën për të bërë një bisedë ndryshe. Nuk mund t’i detyrojmë njerëzit të na japin shpjegimet që na mungojnë. Nuk mund t’i jetojmë të gjitha jetët e mundshme, përpara se të zgjedhim njërën prej tyre.

Një nga shenjat e pjekurisë emocionale është pikërisht aftësia për të pranuar se disa histori do të mbeten përgjithmonë të papërfunduara. Të kuptosh se jo çdo pyetje do të marrë përgjigje. Se jo çdo padrejtësi do të korrigjohet. Se jo çdo mundësi e humbur duhet të shndërrohet në një peng të përjetshëm.

Kjo nuk do të thotë të harrosh. Do të thotë të mos e kushtëzosh të tashmen me një përfundim që ndoshta nuk do të vijë kurrë. Ka gjëra që duhet t’i përfundojmë. Ka të tjera që duhet të gjejmë guximin për t’i rifilluar. Dhe ka nga ato që duhet të mësojmë t’i lëmë ashtu siç janë.

Sepse jeta nuk është një roman, në të cilin çdo personazh, çdo ngjarje dhe çdo mister merr një shpjegim në faqen e fundit. Ndonjëherë, për të vazhduar të shkruajmë historinë tonë, duhet të pranojmë se disa kapituj nuk do ta kenë kurrë paragrafin e tyre të fundit.

/ Bota.al

Back to top button