Kujtesa na bën të jemi këta që jemi

kujtesa

Gur themeli i të gjitha veprimtarive intelektuale, kujtesa na jep ndjenjën e identitetit dhe të veçantisë sonë. Por mënyra se si kujtimet tona fiksohen në tru mbetet ende objekt studimi. Megjithatë, shkenca ka zbuluar se të harrosh është po aq e rëndësishme sa të kujtosh: harresa na lejon të filtrojmë informacionin sipas rëndësisë, duke ruajtur atë që është vërtet thelbësore.

Jill Price, një grua 53-vjeçare nga Kalifornia, nuk harron asnjë detaj të së kaluarës së saj. E pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme, ajo nuk arrin të ndalojë rrjedhën e pandërprerë të kujtimeve: nga çdo ditë e jetës së saj kujton edhe ngjarjet më të vogla, përfshirë ato të pakëndshmet.

Mjekët që e kanë nënshtruar ndaj testeve neurologjike dhe psikologjike nuk kanë arritur të përcaktojnë shkakun fiziologjik të kësaj gjendjeje, megjithëse rezonanca magnetike e trurit të saj ka zbuluar praninë e dy zonave cerebrale më të zhvilluara se normalja: hipokampusit dhe një pjese të lobit temporal.

Megjithatë, sindroma e “kujtesës së mbingarkuar”, siç e quajnë specialistët përvojën e lodhshme të Jill-it, mbetet ende larg të kuptuarit të plotë. Madje, kur i kërkohet të mësojë diçka përmendësh, Jill nuk ia del me lehtësi. Edhe në shkollë, në fakt, nuk shquhej për rezultate të mira.

Informacione të grumbulluara ndër vite

Kujtesa është ajo që na bën qenie me një përvojë unike, që përcakton identitetin dhe individualitetin tonë në fazat e ndryshme të jetës.

Ajo është themeli i të gjitha proceseve mendore dhe një nga funksionet më komplekse të trurit. Por si arrijnë përvojat e një jete të tërë të fiksohen në indin nervor? Si regjistrohen informacionet në neuronet tona, ku mund të ruhen për vite me radhë, gati për t’u rikthyer në çdo çast?

Prej kohësh neurologët kanë zbuluar se ekzistojnë lloje të ndryshme kujtese, por vendndodhja e saktë e tyre në tru ende nuk është përcaktuar qartë.

Për shembull, disa studiues mendojnë se kujtesa episodike ka vendin e vet në lobin frontal; kujtesa semantike (ajo që lidhet me njohuritë e përgjithshme) përfshin zona të lobit temporal, hipokampusin dhe diencefalonin; ndërsa kujtesa prospektive (që lidhet me aftësinë për të kujtuar veprime që duhet të kryhen në të ardhmen) ndërmjetësohet nga zonat prefrontale.

Megjithatë, këto zona nuk duket se janë thjesht vende të veçanta ku regjistrohen kujtimet, por pjesë e një rrjeti nervor që merr pjesë në analizimin, konsolidimin dhe rikthimin e kujtimeve.

Truri holografik

Së fundmi, një përpjekje për të shpjeguar se si dhe ku ruhen kujtimet në tru është bërë nga Karl Pribram, neurokirurg austriak dhe profesor i psikiatrisë e psikologjisë në disa universitete amerikane, mes tyre Stanford University dhe Georgetown University.

Sipas tij, kujtimet nuk ruhen në një pjesë të caktuar të trurit si skedarët në një hard disk, por shpërndahen në të gjithë trurin. Pribram mendon se kujtesa funksionon si një hologram, pra si ajo paraqitje tredimensionale e një objekti e krijuar me anë të një rrezeje lazer, ku çdo pjesë përmban të gjithë informacionin e objektit.

Në fakt, edhe nëse hologrami pritet në dy pjesë, secila prej tyre vazhdon të tregojë objektin e plotë.

Studiuesi argumenton se kujtimet, në vend që të ruhen brenda neuroneve, kodifikohen në impulse që përshkojnë të gjithë trurin, ashtu si një rreze lazer që godet një film holografik dhe krijon një imazh tredimensional.

Kjo do të thotë se edhe pjesa më e vogël e trurit do të përmbante informacionin e nevojshëm për të rikthyer një kujtim të plotë dhe do të shpjegonte aftësinë e trurit për të ruajtur një sasi të jashtëzakonshme informacioni në një hapësirë relativisht të vogël.

Rëndësia e harresës

Nuk kujtojmë ku kemi parkuar makinën apo ku kemi lënë syzet? Mos u shqetësoni: kjo është thjesht mënyra se si truri ynë punon për të harruar.

Këtë e tregon një studim i botuar në revistën shkencore Neuron nga Blake Richards dhe Paul Frankland, dy studiues kanadezë të Universitetit të Torontos. Sipas tyre, që kujtesa të funksionojë mirë, të harrosh është po aq e rëndësishme sa të kujtosh.

Duke analizuar kërkimet më të fundit mbi mekanizmat neurobiologjikë përmes të cilëve kujtimet filtrohen dhe eliminohen, autorët propozojnë ta shohim kujtesën si një seri mekanizmash të krijuar për të drejtuar dhe optimizuar proceset e vendimmarrjes.

Në të vërtetë, harresa na lejon të heqim dorë nga informacionet pak të rëndësishme në favor të atyre më të dobishme, duke na ndihmuar kështu të marrim vendimet më të përshtatshme për mjedisin dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.


KUJTESA, SHUMË LLOJE TË SAJ PËR SHUMË FUNKSIONE

Sipas specialistëve, kujtesa mund të klasifikohet në lloje të ndryshme, në varësi të mënyrës se si përdoret.

Kujtesa shqisore

Kujtesa shqisore mban për vetëm pak çaste një sasi shumë të madhe informacioni dhe bën të mundur perceptimin e realitetit. Ajo ka karakteristika të ndryshme, në varësi të shqisës që përfshihet.

Kujtesa shqisore pamore, e quajtur edhe “kujtesë ikonike”, është një lloj kujtese për të cilën zakonisht nuk jemi të vetëdijshëm dhe na lejon të kujtojmë objekte ose imazhe që kemi parë, edhe nëse vetëm për pak çaste.

Kujtesa shqisore dëgjimore, e quajtur “kujtesë jehone”, zgjat rreth dy sekonda dhe luan një rol themelor në të kuptuarit e gjuhës së folur. Fjalët përbëhen nga një varg tingujsh dhe një person nuk mund të identifikojë një fjalë përpara se t’i ketë dëgjuar të gjithë tingujt që e përbëjnë.

Kujtesa afatshkurtër

Ajo ruan informacionin për disa dhjetëra sekonda, përpara se ai të zhduket. Kapaciteti i saj është rreth gjashtë deri në shtatë elemente, të cilat mund të jenë nga artikujt e një liste pazari deri te shifrat e një numri telefoni.

Nëse informacioni i pranishëm në kujtesën afatshkurtër nuk transferohet në kujtesën afatgjatë, ai humbet. Për të shmangur këtë, përdoret një teknikë e quajtur përsëritje, e cila konsiston në përsëritjen e informacionit disa herë, me zë ose vetëm në mendje.

Kujtesa afatgjatë

Kujtesa afatgjatë mund të krahasohet me një arkiv me kapacitet pothuajse të pakufizuar, ku ruhen të gjitha përvojat dhe njohuritë e fituara gjatë jetës.

Ajo ndahet në:

Kujtesë eksplicite (deklarative)

Kujtesë implicite (procedurale)

Kujtesa eksplicite përfshin gjithçka që mund të përshkruhet në mënyrë të vetëdijshme dhe ndahet më tej në: Kujtesë episodike (ose autobiografike), e cila ruan kujtimet e ngjarjeve të përjetuara personalisht, si një detyrë në klasë apo një piknik familjar; Kujtesë semantike, e cila përmban njohuri të përgjithshme të mësuara një herë e përgjithmonë, si për shembull data e një beteje historike; Kujtesë emocionale, që lidhet me përvojat dhe kujtimet e ngarkuara emocionalisht.

Kujtesa implicite (procedurale)

Ndryshe nga kujtesa eksplicite, ajo përmban aftësi motorike, perceptuese dhe njohëse dhe lidhet me sjellje të mësuara, si ngasja e automobilit, skijimi, noti.

Këto janë aftësi që kryhen automatikisht, pa qenë nevoja të mendohen në mënyrë të vetëdijshme sa herë që ushtrohen.


Ajo ndjesi sikur e ke përjetuar diçka më parë…

Bie telefoni dhe kemi ndjesinë se e dimë kush po telefonon. Mbërrijmë në një vend ku nuk kemi qenë kurrë, por na duket sikur e njohim. Kjo është déjà vu, një term i krijuar nga psikologu francez Émile Boirac, që do të thotë “tashmë e parë” dhe i referohet asaj ndjesie të çuditshme se kemi përjetuar më parë një ngjarje të caktuar.

Bëhet fjalë për një përvojë për të cilën nuk kujtojmë as momentin dhe as vendin ku supozohet të ketë ndodhur, sepse në të vërtetë ajo nuk ka ndodhur kurrë.

Sipas një studimi të fundit të kryer nga Alan S. Brown, i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Dallasit, rreth gjashtë persona në dhjetë kanë përjetuar të paktën një episod të këtij lloji gjatë jetës. Përshtypja e déjà vu-së duket gjithashtu se nxitet nga stresi dhe lodhja, ndërsa bëhet më e rrallë me kalimin e moshës.

Shkaku i saj ka qenë objekt i interpretimeve të ndryshme. Për shembull, Patrick Chauvel, profesor i neuropsikologjisë dhe neurologjisë në Spitalin Timone të Marsejës, mendon se bëhet fjalë për një “shmangie” ose “gabim të trurit”.

Disa vëzhgime të kryera prej tij te persona me epilepsi, të cilët përjetojnë déjà vu gjatë një krize, e kanë çuar në përfundimin se fenomeni mund ta ketë origjinën në disa zona të lobit temporal, të cilat kanë rëndësi jetike për ruajtjen e kujtimeve afatgjata dhe për njohjen e situatave familjare.

Siç shpjegon Chauvel: “Një nga hipotezat që propozojmë është se bëhet fjalë për një sinkronizim jonormal midis perceptimit të së tashmes dhe procesit të memorizimit të kujtimeve. Mbivendosja e këtyre dy rrjedhave të informacionit do ta shtynte trurin ta interpretonte të tashmen sikur të ishte e kaluar.” / bota.al

Back to top button