MagazinePsikologji

Që të jeni i suksesshëm, duhet të dështoni në 16 për qind të rasteve

Nga Adam Alter

Nëse doni të keni vërtet sukses, zgjidhja paradoksale e propozuar nga shumë njerëz të suksesshëm është marrja më të lehtë. Albert Ajnshtajni ishte jashtëzakonisht produktiv, por suksesi i tij vinte pas dështimeve të përsëritura. Dhe midis tyre, ai tregohej i butë me veten. “Nëse puna ime nuk është duke shkuar mirë, unë shtrihem përtokë shoh tavanin ndërsa dëgjoj dhe vizualizoj atë që ndodh në imagjinatën time”- thoshte ai. E njëjta gjë ishte e vërtetë për Mozartin, që e lejoi veten të ngadalësonte shpejtësinë e kompozimit midis shpërthimeve të produktivitetit.

Ai vuri re se kompozimet më të mira të tij ndodhën kur ai ishte më i qetë. “Kur jam tërësisht vetvetja, tërësisht vetëm dhe me gëzim, le të themi duke udhëtuar me karrocë apo duke ecur pas një vakti të bollshëm ushqimor ose gjatë natës kur nuk më zë gjumi, në të tilla raste idetë e mia rrjedhin më së miri dhe më të bollshme”- shkruante ai.

Pra ashtu si Ajnshtajni, edhe Mozart pranoi se mënyra më e shpejtë për të drejtuar një mendje të dalë nga binarët drejt produktivitetit nuk është të ushtrosh mbi të një forcë brutale. Ajnshtajni dhe Mozarti ishin talente që rastisin 1 në 1 miliardë njerëz, prandaj është e habitshme kur mëson se ata ishin në një farë mënyre personalitete të tipit B.

Asnjëri prej tyre nuk qëndronte në majë të një mali metaforik, i etur për të arritur sa më parë synimin e përcaktuar. Përkundrazi, që të dy u tërhoqën, qëndruan në heshtje, dhe lejuan që idetë e tyre të zbarkonin në kohën e duhur. Dhe një nga përfitimet e kësaj qasjeje, është se krijon hapësirë për dështimin.

Ajo e pranon se ne nuk mund të prodhojmë gjithmonë me një produktivitet maksimal, dhe se nivelet e larta do të pasohen nga ato me një nivel më të ulët dhe anasjelltas. Teoritë moderne të të mësuarit dhe zhvillimit, e pranojnë se përparimi është i pamundur pa sfidë, gjë që nga ana tjetër do të thotë se duhet të dështoni përpara se të arrini suksesin.

Disa vite më parë, një ekip psikologësh dhe neuroshkencëtarësh u përpoqën të identifikonin raportin e përsosur sukses-dështim. Në njërin skaj të spektrit, ju keni sukses të përsosur, dhe në anën tjetër një dështim të tmerrshëm. Të dyja polet janë demotivuese, por për arsye të ndryshme. Suksesi i përsosur është i mërzitshëm dhe jo frymëzues, ndërsa dështimi i turpshëm është rraskapitës dhe demoralizues. Diku midis këtyre ekstremeve, gjendet një “pikë e ëmbël” që maksimizon përparimin afatgjatë.

“Kur mësojmë diçka të re, si një gjuhë të huaj apo një instrument muzikor, ne kërkojmë shpeshherë sfida që janë në kufijtë e kompetencës sonë. Pra jo aq të vështira sa të dekurajohemi, por jo aq të lehta sa të mërzitemi. Kjo intuitë e thjeshtë, që ka një nivel vështirësie të moderuar që motivon dhe mëson, është në qendër të metodave moderne të mësimdhënies”- shkruajnë autorët e studimit.

Sipas studiuesve, shkalla optimale e gabimit është 15.87 për qind. Natyrisht, shkalla e vërtetë ndryshon më shumë sesa sugjeron kjo shifër. Në ditët e mira, ju mund të toleroni një shkallë më të lartë gabimi, ndërsa në ditët kur jeni të dekurajuar apo të lodhur, mund të preferoni të shmangni plotësisht gabimin.

Disa detyra, kërkojnë ndoshta përqindje më të larta dështimi se të tjerat, dhe ndoshta ju duhet të pranoni më shumë dështime nëse nxitoni që të mësoni sa më parë. Me gjasë rëndësi ka edhe personaliteti i dikujt. Me qasjen e tyre të qetë ndaj dështimit, Ajnshtajni dhe Mozarti mund të kenë qenë më të gatshëm për të toleruar gabimin sesa shumica e njerëzve, dhe kjo mund të shpjegojë edhe një pjesë të suksesit të tyre të vazhdueshëm.

Ndërkohë, ajo që e bën të vlefshme ekzistencën e kësaj shkalle optimale të dështimit, është se ajo bën dy gjëra për ju. Së pari, ajo ju jep një pikë referimi objektive për vështirësinë optimale. Nëse jeni duke dështuar shumë më tepër sesa një herë në çdo 5-6 përpjekje, ndoshta jeni duke dështuar shumë shpesh. Dhe nëse nuk dështoni pothuajse kurrë ose dështoni rrallë, ndoshta nuk jeni duke dështuar mjaftueshëm shpesh.

Së dyti, nga një këndvështrim emocional, shkalla optimale e gabimeve ju lejon që të dështoni. Dështimi është jo vetëm normal, por është i nevojshëm. Pa ato momente kur shihnin tavanin dhe reflektonin, Ajnshtajni dhe Mozarti mund të ishin shumë më pak produktivë dhe të suksesshëm me kalimin e kohës.

Pra ato dështime të shoqëruara nga pauza nuk ishin defekte, por më shumë elementë thelbësorë të procesit. Metrikat e dështimit sipas formulës 1 në 5 ose 6 përpjekje, është një udhëzues i dobishëm kur po mësoni një aftësi të re, sidomos pasi teknologjia e bën më të lehtë përcaktimin sasior të suksesit.

Pavarësisht nëse mësoni një gjuhë të re, mësoni të kodoni në informatikë, një teknikë të re në të luajtur futboll, stërviteni për të vrapuar në një distancë të caktuar me një ritëm të caktuar, apo përpiqeni të meditoni për një kohëzgjatje të caktuar pa ndërprerje, do të jeni në gjendje që të vlerësoni sasinë e suksesit tuaj.

Në fillim, shkalla juaj e dështimit mund të jetë më e lartë se 1 në 6. Por nëse nuk po bie në atë nivel, do ta kuptoni se po dështoni shumë shpesh për të qenë produktiv. Të njëjtat rregulla vlejnë për organizatat, të cilat gjithashtu bëjnë më mirë kur tolerojnë ndonjë dështim.

Në fund të viteve 1990, një dekadë përpara mbërritjes së telefonave inteligjentë, kompania Motorola promovoi telefonin satelitor Iridium. Emri i kompanisë i referohej elementit të 77-të në Tabelën Periodike, sepse planet origjinale të Iridiumit kërkonin një rrjet prej 77 satelitësh që rrotulloheshin rreth Tokës, ashtu si 77 elektronet e Iridiumit rrotullohen rreth bërthamës së saj. Premtimi i kompanisë ishte spektakolar: një rrjet telefonik global që ofronte komunikim të përsosur kudo në planet dhe në këmbim të një tarife shumë të vogël.

Edhe telefonat inteligjentë më të sofistikuar të sotëm nuk mund të konkurrojnë me teknologjinë e vjetër të Iridium. Ekspertët e Wall Street ishin të dashuruar me Iridiumin ndërsa aksionet e tij nisën të dilnin në treg. Por fokusi i kompanisë tek qartësia e përsosur dhe lidhjet e përsosura, i bëri ata telefona jashtëzakonisht të shtrenjtë.

Drejtuesit e Iridium miratuan kishin një qasje me tolerancë zero ndaj të metave të produktit, por kjo nuk ishte ajo që dëshironin përdoruesit e telefonit. Ata ishin të gatshëm të pranonin një rënie të vogël të qartësisë së komunikim dhe një rritje të vogël të telefonatave të ndërprera në këmbim të telefonave dhe planeve të shërbimit dukshëm më të lira. Ndaj mënyra më e sigurt për të ngecur është të ndjekësh në mënyrë rigoroze përsosmërinë.  / “Big Think” – Bota.al

Back to top button