Efekti që ka tek ne audienca imagjinare: Pse mendojmë se të gjithë po na shohin? Na duket sikur të tjerët vënë re çdo gabim, çdo pasiguri, çdo detaj të pamjes sonë. Psikologjia ka një lajm të mirë: pjesën më të madhe të kohës, njerëzit janë shumë më të zënë duke menduar për veten. Por rrjetet sociale po e komplikojnë këtë histori.

Hyn në një dhomë plot me njerëz dhe papritur bëhesh i vetëdijshëm për mënyrën si ecën. Për rrobat që ke veshur. Për flokët. Për duart që nuk di ku t’i mbash. Për faktin që ndoshta the diçka të pavend pak më parë.
Bën një gabim gjatë një prezantimi dhe e mendon gjithë mbrëmjen. Publikon një fotografi dhe pas pak minutash kontrollon kush e ka parë. Thua diçka të sikletshme në një tavolinë dhe, tri ditë më vonë, ndërsa je duke bërë diçka krejt tjetër, truri ta rikthen papritur skenën: “Pse e thashë atë? Në mendjen tonë, diku në sfond, ekziston shpesh një publik që na sheh, na vlerëson dhe na gjykon.
Vetëm se në shumicën e rasteve ky publik është shumë më pak i interesuar për ne nga sa mendojmë.
Psikologjia e njeh prej dekadash këtë fenomen. Dhe historia e tij fillon me një ide të formuluar nga psikologu amerikan David Elkind në vitet 1960: “audienca imagjinare”.
Publiku që jeton në kokën tonë
Elkind po studionte një periudhë veçanërisht të çuditshme të jetës njerëzore: adoleshencën.
Në një moment të zhvillimit, fëmija fiton një aftësi të re dhe të jashtëzakonshme. Ai fillon të kuptojë më mirë se njerëzit e tjerë kanë mendimet, opinionet dhe këndvështrimet e tyre. Dhe këtu lind një paradoks. Tani që adoleshenti është në gjendje të mendojë për atë që mendojnë të tjerët, ai fillon të mendojë shumë për “atë që të tjerët mendojnë për të”.
Nëse unë jam i shqetësuar për puçrrën në fytyrën time, supozoj se edhe të tjerët po e shohin.
Nëse unë mendoj vazhdimisht për mënyrën si dukem, më duket sikur edhe ata po mendojnë për mënyrën si dukem.
Nëse unë ndihem në siklet, kam përshtypjen se sikleti im është i dukshëm për të gjithë.
Kështu krijohet ajo që Elkind e quajti “audienca imagjinare”: ndjesia se jemi vazhdimisht përpara një publiku që na vëzhgon. Është një nga ironitë më interesante të psikologjisë njerëzore: bëhemi aq të aftë për të imagjinuar mendjen e njerëzve të tjerë, sa fillojmë ta mbushim atë mendje me… veten tonë.
Nuk mbaron me adoleshencën
Në teori, me kalimin e viteve duhet të kuptojmë se bota nuk sillet rreth nesh. Dhe në një masë të madhe, kështu ndodh.
Një studim me 850 adoleshentë, i botuar në “Journal of Personality”, e lidhi audiencën imagjinare me vetëdijen e shtuar për mënyrën se si dukemi para të tjerëve dhe sugjeroi se fenomeni zakonisht zbehet gjatë zhvillimit. Por historia nuk është aq e thjeshtë: studiuesit kanë debatuar për dekada mbi shpjegimin fillestar të Elkind dhe faktorët që e mbajnë gjallë këtë ndjesi edhe më vonë.
Sepse diçka nga ai adoleshent vazhdon të jetojë brenda të rriturit. Vetëm se psikologjia sociale i ka dhënë fenomenit edhe një emër tjetër shumë të bukur: spotlight effect – efekti i prozhektorit.
Imagjino sikur ecën nëpër jetë me një prozhektor mbi kokë. Ti e ndien dritën, prandaj supozon se edhe të tjerët po të shohin. Por prozhektori është shumë më i fortë në kokën tënde sesa në sytë e tyre.
Në një seri eksperimentesh të famshme, psikologët Thomas Gilovich, Victoria Medvec dhe Kenneth Savitsky treguan se njerëzit priren të mbivlerësojnë sesa shumë të tjerët vënë re pamjen dhe sjelljen e tyre. Ne jemi qendra e eksperiencës sonë dhe pikërisht për këtë arsye e kemi të vështirë të vlerësojmë saktë sa periferikë jemi në eksperiencën e dikujt tjetër.
Kjo shpjegon shumë gjëra. Njollën në këmishë që mendon se e panë të gjithë. Emrin që harrove në mes të prezantimit. Fjalinë që të doli gabim. Momentin kur u pengove. Fotografinë ku mendon se dukesh tmerrësisht keq. Për ty, ngjarja është në qendër të skenës. Për dikë tjetër, mund të ketë qenë një detaj pesësekondësh në një ditë të mbushur me problemet e veta.
Edhe të tjerët kanë prozhektorin e tyre
Këtu shpjegohet pjesa më çliruese e gjithë kësaj historie. Arsyeja pse njerëzit nuk po mendojnë aq shumë për ty nuk është domosdoshmërisht se nuk u intereson. Është sepse po mendojnë për veten.
Ndërsa ti hyn në një festë dhe pyet veten nëse të tjerët po shohin se nuk njeh askënd, një tjetër po pyet veten nëse po duket i mërzitshëm.
Ndërsa ti shqetësohesh për pesë kilogramët që ke shtuar, dikush tjetër po mendon për flokët e vet.
Ndërsa ti kujton fjalinë e gabuar që the dje, personi përballë mund të jetë duke ripërsëritur në kokë një fjali të gabuar që tha vetë. Secili prej nesh është protagonist i filmit të vet dhe personazh dytësor në filmat e të tjerëve. Problemi lind kur ngatërrojmë këto role. Mendojmë se jemi protagonistë edhe në mendjen e njerëzve të tjerë, por ja që zakonisht nuk jemi.
… dhe erdhën rrjetet sociale
Por Elkind formuloi teorinë e tij në vitin 1967. Nuk kishte Instagram dhe as TikTok. Nuk kishte “seen”, “likes”, “views”, komente, followers dhe një numër të vogël që të tregonte, në kohë reale, sa njerëz kishin parë diçka nga jeta jote.
Teknologjia ka bërë diçka paradoksale: i ka dhënë audiencës imagjinare një audiencë reale.
Kur publikon një fotografi, njerëzit vërtet e shohin. Kur shkruan një opinion, njerëzit vërtet mund ta gjykojnë. Kur bën një video, një numër real të tregon sa vetë e panë.
Madje, studimet mbi sjelljen online flasin tashmë për “audiencën imagjinare” – publikun që kemi në mendje ndërsa postojmë. Një studim që ndoqi 119 të rritur dhe rreth 1,200 postime në rrjete sociale zbuloi se njerëzit, edhe kur publikojnë potencialisht për një audiencë të madhe dhe heterogjene, shpesh imagjinojnë një publik shumë më konkret: miq, familjarë, kontakte profesionale ose një grup të caktuar njerëzish. Dhe ky publik mendor ndryshon nga një postim te tjetri.
Rrjetet sociale e kanë bërë kufirin mes audiencës reale dhe asaj imagjinare gjithnjë e më të paqartë.
Kur fillojmë ta shohim veten me sytë e të tjerëve
Kostoja më e madhe nuk është domosdoshmërisht narcizmi. Mund të jetë diçka tjetër: Fillojmë ta përjetojmë veten nga jashtë. Nuk pyesim a më pëlqen kjo, por si do duket. Nuk pyesim a po e shijoj këtë udhëtim, por çfarë fotografie do të postoj prej tij? Nuk pyesim çfarë mendoj, por si do të reagojnë nëse e them?
Një studim me 150 adoleshentë dhe të rinj të moshës 11–21 vjeç gjeti lidhje mes përdorimit më intensiv të rrjeteve sociale dhe mënyrës se si pjesëmarrësit mendonin se i vlerësonin bashkëmoshatarët, si edhe me një vetëkoncept më pak pozitiv në disa fusha. Studiuesit, megjithatë, nuk gjetën prova bindëse për pasoja klinike afatgjata dhe theksuan se marrëdhënia është komplekse.
Ky kujdes është i rëndësishëm. Rrjetet sociale nuk shpikën nevojën tonë për miratimin e të tjerëve. Ato thjesht i dhanë asaj njëso matëse.
Audienca imagjinare: Një mësim i vogël për jetën
Ndoshta për këtë arsye ideja e “audiencës imagjinare” është shumë më tepër se një term psikologjie zhvillimore. Ajo përmban një mësim të vogël për jetën. Sa gjëra nuk kemi bërë sepse kemi menduar: Çfarë do të thonë njerëzit? Sa herë nuk kemi folur sepse kishim frikë se mos dukeshim budallenj?
Sa rroba nuk kemi veshur? Sa ide nuk kemi provuar? Sa herë kemi kërkuar të dukemi perfektë përpara një publiku që, në të vërtetë, mezi po na kushtonte vëmendje?
Kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk gjykojnë. Gjykimi ekziston. Thashethemet ekzistojnë. Tallja ekziston. Rrjetet sociale mund ta shumëfishojnë ekspozimin dhe ndonjëherë edhe mizorinë e tij. Por ne priremi të bëjmë një gabim tjetër: ngatërrojmë mundësinë që dikush të na gjykojë me idenë se të gjithë po na gjykojnë gjatë gjithë kohës. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dhe dallimi mes tyre mund të jetë çlirues.
Herën tjetër kur të hysh në një dhomë dhe të mendosh se të gjithë po të shohin, kujto diçka: Edhe ata sapo kanë hyrë në dhomën e tyre mendore. Edhe ata kanë pasiguritë e tyre. Edhe ata mendojnë për mënyrën si duken, për atë që thanë, për atë që nuk duhej të kishin thënë, për përshtypjen që po lënë. Në një farë mënyre, secili prej nesh ecën nëpër botë nën një prozhektor imagjinar, duke menduar se është në skenë.
Ndërsa ti je i zënë duke menduar se çfarë mendon bota për ty, bota është kryesisht e zënë duke menduar se çfarë mendon ti për të. / bota.al