Spiunët që tradhëtuan Mbretëreshën

spiunët

4 spiunët i përkisnin shtresës së lartë të shoqërisë angleze, por simpatizonin komunizmin: kështu, katër studentë të shkëlqyer të Kembrixhit u rekrutuan nga Bashkimi Sovjetik.

Snobë, të pacipë, idealistë, përfaqësues të shtresës së lartë të shoqërisë angleze, por njëkohësisht tradhtarë pa skrupuj të atdheut dhe të vlerave me të cilat ishin rritur.

Kjo është historia e një grupi spiunësh britanikë në shërbim të Bashkimit Sovjetik, të cilët për gati 20 vjet vepruan në hije, duke vjedhur dokumente të rezervuara dhe duke i kaluar armikut informacione tepër sekrete me vlerë të paçmueshme.

Të quajtur “Cambridge Four” (“Katërshja e Kembrixhit”), sipas universitetit ku studionin, ata kishin të përbashkët një arsimim të shkëlqyer, prejardhje nga shtresa e lartë borgjeze dhe lidhje të jashtëzakonshme. Ata lëviznin në qarqet e diplomacisë, politikës dhe aristokracisë, duke qenë pranë presidentëve, kryeministrave dhe familjes mbretërore, siç shkruhet në artikullin që sjell bota.al.

Spiunët kundër fashizmit

Historia e spiunëve të Kembrixhit fillon në mesin e viteve 1930, në qytetin universitar të Kembrixhit në Britaninë e Madhe, që në pamje të parë dukej i qetë. Katër nga studentët më të mirë, anëtarë të shoqërisë sekrete me ndikim Cambridge Apostles (“Apostujt e Kembrixhit”), rekrutohen nga shërbimet sekrete sovjetike për shkak të simpative të tyre ndaj komunizmit.

I pari që afrohet është Kim Philby, i cili në vitin 1934 takohet me një ndërmjetës rus në Regent’s Park. Pak më vonë rekrutohen edhe tre të tjerët: Anthony Blunt, Guy Burgess dhe Donald Maclean, të cilët pranojnë të spiunojnë për llogari të Bashkimit Sovjetik.

Ajo që i motivon nuk është etja për para, por dashuria për rrezikun, e shoqëruar me një shtysë të fortë idealiste. Të katërt besojnë se vetëm Bashkimi Sovjetik mund ta mposhtë nazizmin dhe se komunizmi është përgjigjja ndaj padrejtësive të botës.

Tre prej tyre, Maclean, Philby dhe Burgess, depërtojnë me sukses në shërbimet sekrete britanike (MI6, Military Intelligence, Seksioni 6, i bërë i famshëm edhe nga filmat e James Bond-it), ndërsa Blunt vazhdon karrierën si historian arti dhe bëhet kujdestar i Koleksionit Mbretëror.

Lojë e dyfishtë

Loja e tyre e dyfishtë është e guximshme. Maclean dhe Philby konsiderohen ndër agjentët më të mirë të MI6 dhe u besohen misione gjithnjë e më delikate. Në një moment, Philby madje emërohet drejtues i inteligjencës britanike në Shtetet e Bashkuara dhe dekorohet nga Mbreti George VI me Urdhrin e Perandorisë Britanike.

Gjatë viteve, të katërt u kalojnë sovjetikëve informacione jashtëzakonisht të vlefshme. Në Bashkimin Sovjetik mbërrijnë dokumente mbi bombën atomike, Luftën e Koresë, Planin Marshall (të cilin Maclean e quante një mjet amerikan për dominimin ekonomik të Evropës), projektin Venona (një program për deshifrimin e mesazheve të koduara sovjetike), Luftën Civile Spanjolle dhe kryengritjet komuniste në Shqipëri.

Dalin në dritë dyshimet e para

Shenjat e para që tregonin praninë e një grupi tradhtarësh brenda shërbimeve sekrete dolën në fillim të viteve 1950, pasi disa operacione të Aleatëve dështuan në mënyrë të pashpjegueshme.

Në Uashington kërkohej një “nishan” brenda Ambasadës Britanike në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, identiteti i tij i vërtetë nuk dihej, por dihej se përdorte pseudonimin “Homer”. Në të vërtetë bëhej fjalë për Donald Maclean dhe Philby, i vendosur në Uashington, fillon të shqetësohet për mikun e tij.

Gjuetia kishte nisur dhe Philby i kërkon Guy Burgess të shkojë në Londër për të paralajmëruar Maclean mbi rrezikun dhe për t’i këshilluar të largohet sa më shpejt.

Në verën e vitit 1951, Maclean dezerton dhe arratiset në Bashkimin Sovjetik. Papritur largohet edhe Burgess, ndoshta nga frika ose ndoshta me urdhër të KGB-së.

Lajmi për zhdukjen e njëkohshme të dy agjentëve sekretë shkakton menjëherë tronditje dhe alarm në MI6. Philby përpiqet të largojë dyshimet dhe akuzat, por karriera e tij në shërbim të Madhërisë së Saj dëmtohet në mënyrë të parikuperueshme.

Nga frika se mos arrestohet, ai transferohet në Liban, ku fillon të punojë si korrespondent për disa gazeta. Ai nuk do t’ia falë kurrë Burgess-it që u arratis në Bashkimin Sovjetik bashkë me Maclean, duke i shkatërruar kështu mbulimin si agjent.

Në vitin 1956, Burgess dhe Maclean, të cilët prej pesë vitesh dukeshin sikur ishin zhdukur pa gjurmë, rishfaqen në një konferencë shtypi në Moskë dhe deklarojnë se kanë braktisur Britaninë e Madhe në favor të Bashkimit Sovjetik. Për shërbimet sekrete britanike ky ishte konfirmimi i frikës së tyre më të madhe, ndërsa amerikanët mbetën të tërbuar.

Por është një tjetër dezertor, këtë herë rus, ai që hap skenarë të rinj shqetësues mbi grupin e spiunëve të Kembrixhit. Për të fituar azil politik, një refugjat rus përmend emrin e Philby-t. Pas disa muajsh hetime, një agjent i MI6 dërgohet në Liban për ta takuar Philby-n dhe për të sqaruar njëherë e mirë besnikërinë e ish-zyrtarit të lartë të shërbimeve sekrete britanike.

Duke e zënë kolegun në befasi, Philby pranon me gjakftohtësi se ishte spiun dhe se besnikëria e tij i përkiste Bashkimit Sovjetik, por refuzon të nënshkruajë një rrëfim me shkrim.

Pak ditë më vonë, edhe ai arratiset në Moskë.

Tre vjet më vonë, akuzat godasin më të papriturin nga katër tradhtarët: Anthony Blunt, njeriun e besuar të Mbretëreshës Elizabetë, atë që e këshillonte për blerjen e veprave të artit për Koleksionin Mbretëror.

Përballë pyetjeve të MI6, Blunt, tashmë i braktisur nga shokët e tij, nuk i mohon dyshimet, por kërkon imunitet në këmbim të një rrëfimi të plotë.

Për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet askush nuk mëson për pranimin e fajit nga ana e tij dhe ai vazhdon të punojë në Pallatin Buckingham. Por në vitin 1979, zërat bëhen gjithnjë e më këmbëngulës dhe Kryeministrja Margaret Thatcher, ndryshe nga paraardhësit e saj që e kishin mbrojtur gjithmonë historianin e respektuar të artit, deklaron publikisht se Blunt kishte qenë spiun, duke e turpëruar para opinionit publik.

Kështu përfundojnë në turp aventurat e katër spiunëve të Kembrixhit. Të katërt ish-studentët që ëndërronin të ndryshonin botën duke tradhtuar atdheun e tyre, vdiqën në vetmi, të zhgënjyer nga ëndrra komuniste.


Katër spiunët e shërbimeve sovjetike në Evropë dhe “kolona e pestë”

Anthony Blunt (emri i koduar: Johnson)

Anthony Blunt (1907–1983) ishte djali i tretë i një prifti anglikan. Ai ishte gjithashtu kushëri i tretë i Elizabeth Bowes-Lyon, bashkëshortes së ardhshme të Mbretit George VI dhe nënës së Mbretëreshës Elizabeth II; të dy njiheshin që në fëmijëri.

Jetoi për disa vite në Paris, ku familja e tij ishte zhvendosur për arsye pune, por më pas u kthye në Angli dhe studioi në Universitetin e Kembrixhit, ku u dallua menjëherë për zgjuarsinë e tij. Pikërisht aty iu bashkua shoqërisë sekrete Cambridge Apostles, duke hyrë në rrethin e Burgess, Maclean dhe Philby.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshe nga të tjerët, nuk ndoqi karrierë në shërbimet sekrete britanike, por iu përkushtua historisë së artit.

Fillimisht u emërua drejtor i Bibliotekës Mbretërore të Windsorit, më pas kurator i Koleksionit Mbretëror të Artit (që nga viti 1952 i Mbretëreshës), një post tepër prestigjioz. Ishte gjithashtu profesor i historisë së artit në University of London dhe drejtor i Courtauld Institute of Art, institucioni akademik më i rëndësishëm britanik në fushën e artit.

Pasi u demaskua publikisht në vitin 1979, u tërhoq nga jeta publike dhe kaloi vitet e fundit në vetmi në shtëpinë e tij në Londër.

Guy Burgess (emri i koduar: Hicks)

Guy Burgess (1911–1963) ishte djali i një oficeri të lartë të marinës. Studioi në Royal Naval College në Dartmouth, por nuk iu përshtat jetës ushtarake dhe vendosi të regjistrohej në universitet.

Në Kembrixh, përveçse iu bashkua grupit të Apostujve, u bë i njohur për stilin e tij ekstravagant dhe provokues. Ai e deklaronte hapur homoseksualitetin e tij, duke sfiduar tabutë e kohës.

Paralelisht me jetën si spiun, ndërtoi një karrierë të luhatshme në shërbimet sekrete britanike dhe në gazetari. Sukseset, jeta e shthurur dhe alkooli, mbi të gjitha, tërhoqën vazhdimisht vëmendjen e kolegëve dhe eprorëve.

Pas arratisjes në Bashkimin Sovjetik, ai nuk u përshtat aspak me jetën spartane sovjetike dhe me mungesën e tolerancës seksuale. Megjithatë vazhdoi të porosiste kostume nga rrobaqepësit më të mirë të Savile Row dhe të siguronte fshehurazi ushqime e mallra nga furnitorët britanikë.

Përmes kontakteve konfidenciale kërkoi për vite me radhë leje për t’u kthyer në Britani, por kjo iu refuzua. I shkatërruar nga alkoolizmi, vdiq në Moskë, ndërsa trupi i tij u varros fshehurazi në varrin familjar në Angli.

Donald Maclean (emri i koduar: Homer)

Donald Maclean (1913–1983) ishte djali i një politikani liberal dhe kaloi një pjesë të mirë të rinisë në Londër.

Në Kembrixh sfidoi edukimin e marrë nga familja, duke shfaqur hapur simpatinë për komunizmin, madje vizitoi edhe Moskën gjatë studimeve. I rekrutuar nga KGB-ja, u bind të hynte në diplomacinë britanike për t’i shërbyer sa më mirë kauzës sovjetike.

Gjatë intervistës së pranimit deklaroi se kishte hequr dorë nga bindjet e rinisë. Sinqeriteti i tij i dukshëm, rezultatet e shkëlqyera universitare dhe fama e të atit bënë që t’i besohej posti, dhe në vitin 1935 filloi punë në Ministrinë e Jashtme.

Pak ditë para se të merrej në pyetje për akuzat e spiunazhit, dezertoi dhe u arratis në Bashkimin Sovjetik, ku vdiq në vitin 1983.

Harold “Kim” Philby (emri i koduar: Stanley)

Harold Philby (1912–1988), i njohur si Kim, sipas personazhit të romanit të Rudyard Kipling, lindi në Indi dhe ishte djali i vetëm i një arabisti të njohur britanik.

Pas studimeve në Kembrixh, në vitin 1933 shkoi në Vjenë, ku u dashurua me Litzi Friedmann, një komuniste e re që ndihmonte refugjatët që largoheshin nga Gjermania naziste. Ishte pikërisht ajo që e prezantoi me agjentin sovjetik Arnold Deutsch, duke e futur në botën e spiunazhit.

Jeta e Philby-t ishte shumë e trazuar. Pas një martese të parë me Friedmann, u martua edhe tri herë të tjera dhe pati marrëdhënie të shumta jashtëmartesore, mes tyre edhe me bashkëshorten e Donald Maclean.

I prekur nga alkoolizmi dhe depresioni, vdiq në Moskë, ku jetonte që prej vitit 1963, duke marrë nderime ushtarake nga regjimi komunist.

Njeriu i pestë

Rusët identifikuan John Cairncross (emri i koduar: Liszt) si spiunin e pestë të grupit. Megjithatë, me kalimin e viteve, persona të ndryshëm janë akuzuar (ose janë vetëakuzuar) se ishin “njeriu i pestë”.

Në të vërtetë, ka shumë të ngjarë që rrjeti sovjetik i spiunazhit në Britani të ketë qenë shumë më i madh sesa vetëm pesë agjentë sekretë.

Shumë aspekte të kësaj historie mbeten ende të paqarta, ndoshta edhe për shkak të mbrojtjes që gëzonin shumë prej protagonistëve.

/ bota.al

Back to top button