Demokraci pa liderë

Demokraci

nga Ernesto Galli della Loggia

Tashmë është bërë klishe: sot në Europë demokracitë nuk gëzojnë shëndet të mirë dhe niveli i pëlqyeshmërisë së tyre sigurisht nuk është ndër më të lartët (edhe sepse, le ta kujtojmë, ato janë të vetmet regjime popullariteti i të cilave mund të matet pak a shumë përmes atij treguesi të përafërt, por gjithsesi domethënës, që janë rezultatet zgjedhore. Aty ku zgjedhje nuk ka ose janë të rreme, çdo matje e pëlqimit ndaj regjimit politik është në të vërtetë e pamundur).

Megjithatë, gjërat këtu në Europë janë siç thashë: demokracitë nuk pëlqehen. Në sytë e qytetarëve të tyre, demokracitë duken si regjime “të ftohta”, që nuk kanë asnjë aftësi për përfshirje emocionale, nuk zgjojnë asnjë ndjenjë të vërtetë identifikimi dhe, për rrjedhojë, as pjesëmarrjeje.

Por arsyeja nuk qëndron vetëm te vështirësitë konkrete, sidomos ekonomike, të cilat gjithsesi ekzistojnë, në të cilat përplasen shoqëritë demokratike, dhe që po e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbajnë premtimet e tyre për mirëqenie dhe barazi.

Në të vërtetë, kriza aktuale e demokracisë europiane ka edhe shpjegime krejtësisht të tjera: për shembull, fakti që në regjimet tona demokratike tashmë është zhdukur çdo element vërtet agonistik i politikës. Ka ndodhur, pra, një sterilizim rrënjësor i çdo aspekti të përplasjes, të kundërvënies, dhe për pasojë është zhdukur ajo aftësi që demokracia, si çdo regjim politik, duhet ta ketë për të prodhuar një vetëpërfaqësim publik.

Për shembull, të pushtetit të saj, të një natyre qoftë edhe skenike-spektakolare, por gjithmonë të bazuar përfundimisht mbi konfliktin. Një vetëpërfaqësim natyrisht i përshtatshëm me natyrën e një regjimi politik të ndryshëm nga të gjithë të tjerët, siç është në fakt ai, por gjithsesi një regjim politik i destinuar të qeverisë farën e keqe të Adamit, dhe jo një meshë e kënduar.

Është e vërtetë, pra, se demokracia ka me të drejtë si arritje historike faktin që është ai regjim i cili nuk pret koka, por i numëron ato. Megjithatë, spektakli magjepsës dhe i tmerrshëm i gijotinës duhet zëvendësuar me diçka tjetër: sigurisht jo po aq të përgjakshme, por që të ketë gjithsesi një ndikim emocional dhe ta komunikojë atë.

Një nga këto spektakle, me karakter simbolik, por megjithatë domethënës, me të cilat regjimet demokratike në fillesë përfaqësonin periodikisht veten, në një mënyrë madje brutale, ishte mbrëmja zgjedhore, gjatë së cilës shihej humbja e palës që deri një ditë më parë ishte në qeveri.

Përmbysja e roleve, pushtetari i rrëzuar nga froni i tij dhe i reduktuar papritur në mosqenie politike, evokonin dhe korrespondonin në një farë mënyre me modele shumë të lashta të folklorit të revoltës dhe hakmarrjes së popullsive europiane (si “charivari”).

Më konkretisht, dikur fitorja zgjedhore e një kampi mbi një tjetër nënkuptonte, për shembull, ligje të reja që vendosnin në mënyrë të rëndësishme për përdorimin e burimeve kolektive, zhvendosnin pushtetin, ndryshonin realisht jetën e njerëzve dhe të grupeve shoqërore.

Sot, përkundrazi, nga e gjithë kjo nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Të paktën në Europë. Në fakt, rregulli i demokracive është që tashmë të qeverisen nga klasa politiko-parlamentare mediokre, pa ide të mëdha, pa forcë dhe pa personalitet.

Klasa politike që, për më tepër, transmetojnë dukshëm idenë se nuk vlen më shumë se aq dhe se është vetë e ndërgjegjshme për këtë. Të dobësuara edhe nga pesha e brishtë gjeopolitike e vendeve të tyre, si edhe nga mediokriteti i tyre burokratik e administrativ, pa asnjë mandat të fortë politik, edhe sepse nuk kanë pas vetes elektorate të bashkuara dhe të motivuara.

Me pak fjalë, ndërsa është gati të ndryshojë në mënyrë dramatike profili demografik i kontinentit dhe identiteti i tij qytetar-fetar, ndërsa e gjithë trashëgimia humaniste e së kaluarës europiane rrezikon të lihet të vdesë, i përmbytur nga paragjykimi gjithëpërfshirës-demokratik i sistemeve tona të sotme arsimore; ndërsa aleati ynë historik dhe mbrojtësi amerikan ka vendosur të na lërë në fatin tonë; ndërsa po bëhet e qartë mungesa e sistemeve tona satelitore, e burimeve tona energjetike, e zinxhirëve tanë të sigurt të furnizimit; demokracitë e kontinentit të vjetër duket se vazhdojnë të përkunden në një lloj gjumi të ëmbël.

Opinionet tona publike duken ende të interesuara të merren me paragjykimet e vjetra të shekullit të kaluar dhe me përçarjet e përjetshme fraksioniste. Ndërkohë që bota po digjet dhe këto tashmë i afrohen gjithnjë e më shumë shtëpisë sonë, në Itali ende përbëjnë ndoshta shumicën ata për të cilët thjesht mendimi për të ndërtuar një automjet të blinduar është i barabartë me shkatërrimin e një jetimoreje.

Të gjitha sistemet politike europiane kanë sot një nevojë të jashtëzakonshme për lidership të vendosur dhe me vizion afatgjatë. Kanë nevojë për gra dhe burra që marrin vendime të guximshme dhe që u kërkojnë bashkëqytetarëve të tyre sakrifica edhe më të guximshme, duke qenë në gjendje t’u shpjegojnë mirë arsyet.

Demokracitë tona, pra, kanë nevojë urgjente të ndryshojnë: çfarë tjetër duhet të ndodhë që të bindemi për këtë? / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button