Aleksandri pushtonte botën. E ëma, Olimpia eliminonte rivalët dhe siguronte fronin

Olimpia

Aleksandri i Madh është një nga figurat më të njohura të botës së lashtë. Në vetëm 13 vjet ai krijoi një perandori madhështore, e cila shtrihej në tri kontinente dhe kishte deri në 50 milionë banorë. Ishte një udhëheqës ushtarak i aftë, ambicia e të cilit nuk njihte kufij. Por a do të kishte mundur Aleksandri të arrinte gjithçka që arriti pa ata që i qëndruan pranë?

Një nga mbështetëset dhe këshilltaret e tij më të rëndësishme ishte e ëma, Olimpia e Maqedonisë: një grua që do të dëshmonte se ishte një nga nënat më të përkushtuara të historisë dhe një nga figurat politike më magjepsëse e më të frikshme të lashtësisë.

OLIMPIA, MBRETËRESHA E MAQEDONISË

Olimpia e Maqedonisë nuk e nisi jetën me këtë emër të famshëm.

Ajo lindi si princeshë në familjen mbretërore të molosëve dhe u quajt Poliksena. I ati, Neoptolemi I, sundonte mbi molosët e Epirit, një fis ilir që banonte në territoret në perëndim të mbretërisë së lashtë të Maqedonisë. Krahas prejardhjes së saj mbretërore, Olimpia këmbëngulte se rridhte edhe nga disa prej figurave më të famshme të historisë dhe mitologjisë: Helena e Trojës, gruaja më e bukur në botë, dhe Akili, heroi tragjik i Luftës së Trojës.

Sipas veprës “Jeta e Aleksandrit” të Plutarkut, Olimpia e takoi për herë të parë mbretin Filipi II të Maqedonisë në ishullin grek të Samotrakës, ku edhe ra në dashuri me të. Takimi ndodhi teksa të dy po pranoheshin, përmes riteve të inicimit, në kultin fetar të njohur si Misteret e Samotrakës. Natyra e vërtetë e ritualeve të këtij kulti nuk është zbuluar kurrë nga historianët, megjithëse rrënojat e Shenjtërores së Perëndive të Mëdha qëndrojnë ende në ishull. Përkatësia në një bashkësi fetare nuk ishte diçka e huaj për Olimpian, e cila thuhet se ishte gjithashtu pjesëtare e kultit po aq enigmatik të Dionisit. Ashtu si për shumë figura të botës së lashtë, jeta e saj ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me fenë dhe mitologjinë. Kur u inicua në Samotrakë, Olimpia e ndryshoi emrin nga Poliksena në Mirtale.

Në kohën kur Filipi dhe Olimpia u njohën, u ra dakord për martesën mes tyre. Kur u zhvillua dasma, në vitin 357 p.e.s., Olimpia ishte rreth 18 vjeçe. Marrëdhënia e çiftit mbretëror rezultoi e trazuar, pasi temperamenti i zjarrtë dhe ambicia e fortë e Olimpias përplaseshin me natyrën e paparashikueshme të Filipit. Olimpia nuk ishte gruaja e parë e Filipit dhe jeta e tij poligame, me disa bashkëshorte, ngjallte tek ajo një xhelozi të fortë.

Ndonëse mund ta kenë nisur jetën martesore si një çift i dashuruar, thuhet se Filipit iu shuan shpejt përfytyrimet romantike për Olimpian, kur e gjeti duke fjetur përkrah gjarpërinjve, një veprim që mund të lidhej me përfshirjen e saj në kultin e Dionisit. Sipas Plutarkut, kjo ngjarje e bëri Filipin të druhej se Olimpia ishte një magjistare ose bashkëshorte e një hyjnie.

Vitin pasues, në jetën e Olimpias ndodhën dy ndryshime të mëdha. Së pari, i shoqi i dha një emër të ri. Pas fitores së njërit prej kuajve të Filipit në Lojërat Olimpike, emri i saj u ndryshua nga Mirtale në Olimpia, emri me të cilin njihet më së shumti sot. Së dyti, atë vit ajo solli në jetë fëmijën e saj të parë, i cili një ditë do të sundonte perandorinë më të fuqishme të botës. Ky fëmijë, Aleksandri, do të përcaktonte qëllimin e jetës së Olimpias.

ALEKSANDRI, FORMIMI I NJË MBRETI

Thuhet se, kur u martua, Olimpia pa një ëndërr në të cilën një rrufe godiste mitrën e saj dhe ndizte një flakë. Edhe Filipi thuhet se pa një ëndërr, në të cilën vuloste mitrën e gruas së tij të re me figurën e një luani. Të dyja këto vegime u interpretuan si ogure të ardhjes në jetë të një fëmije të fortë dhe me ndikim. Dhe duket se ëndrrat u vërtetuan kur lindi Aleksandri, i cili më vonë do të njihej si Aleksandri i Madh.

Që nga lindja e tij, pranohej se Aleksandri do të ishte trashëgimtari i mbretërisë së të atit, pavarësisht se kishte vëllezër e motra më të mëdhenj nga gratë e tjera të Filipit. Me ngritjen e statusit të Aleksandrit u forcua edhe pozita e Olimpias. Ajo u bë gruaja më e rëndësishme e Filipit, duke zënë praktikisht vendin e bashkëshortes kryesore. Si nëna e udhëheqësit të ardhshëm të Maqedonisë, Olimpia bëri gjithçka mundi për të lartësuar emrin e të birit. Thuhet se, kur u rrit, Aleksandri pretendonte se ishte biri i perëndisë Zeus, një ide që mund t’ia kishte ngulitur e ëma.

Plutarku shkruan se Olimpia pretendonte që Zeusi e kishte lënë shtatzënë përmes rrufesë që kishte parë në ëndërr, ndërsa versione të tjera të rrëfimit sugjerojnë se një gjarpër në shtratin e saj ishte në të vërtetë vetë Zeusi i maskuar.

Me Filipin të zënë me çështjet e politikës së jashtme e të brendshme dhe me lidhjet e tij të shumta dashurore, Olimpias i mbeti përgjegjësia për të rritur Aleksandrin dhe për ta përgatitur për jetën si mbret. Për shumë vjet ajo u kujdes për arsimimin e tij dhe u sigurua që të rritej po aq ambicioz sa ajo.

GRUAJA E RE E FILIPIT

Rreth vitit 355 p.e.s., Olimpia solli në jetë fëmijën e saj të dytë me Filipin, një vajzë të quajtur Kleopatra. Olimpia e gëzonte pozitën e saj si nëna e trashëgimtarit dhe ia kushtonte kohën përkujdesjes që fëmijët e saj të rriteshin të aftë e të zgjuar, të zotë për të vepruar me sukses në botën politike ku kishin lindur.

Megjithatë, kjo qetësi mori fund papritur në vitin 337 p.e.s., kur Filipi u martua me një grua të re. Kleopatra Euridika përbënte kërcënim për pozitën e Olimpias, sepse, ndryshe nga të gjitha gratë e tjera të tij, ajo nuk ishte një e huaj me të cilën martesa ishte lidhur për të krijuar aleancë politike mes mbretërive ose për të zgjeruar perandorinë në rritje të mbretit. Gruaja e re e Filipit ishte maqedonase dhe, pa dyshim, do të gëzonte më shumë përkrahje nga Filipi dhe nënshtetasit e tij sesa një e huaj si Olimpia.

Marrëdhëniet mes Olimpias, Filipit dhe Kleopatra Euridikës u përkeqësuan më tej gjatë festimeve të dasmës së çiftit të ri, kur një i afërm i nuses ngriti një dolli që nënkuptonte se nga kjo martesë do të lindte një trashëgimtar i ligjshëm për Filipin. Kur dëgjoi këtë thumbim ndaj legjitimitetit të tij, Aleksandri thuhet se shpërtheu në britma zemërimi dhe u nis të përballej me burrin, por u ndal nga i ati i dehur. Teksa po merrte shpatën, Filipi u pengua dhe ra, duke u bërë objekt talljeje për Aleksandrin. Kjo ngjarje vetëm sa e largoi edhe më shumë Aleksandrin nga i ati dhe Olimpia e mori menjëherë me vete nga Maqedonia në Molosi, derisa gjendja të qetësohej.

Aleksandri u kthye në Maqedoni vitin pasues dhe, me sa duket, e ndreqi marrëdhënien me të atin. Olimpia, nga ana tjetër, nuk duket se ishte po aq e gatshme të falte dhe nuk e shoqëroi të birin në kthimin e tij. Nuk dihet ku jetoi gjatë kësaj kohe, por ajo u shfaq në dasmën e së bijës, në vitin 336 p.e.s. Gjatë festimeve, Filipi u përpoq të paraqiste një pamje bashkimi familjar dhe paqeje brenda shtëpisë mbretërore, por ngjarjet morën një kthesë të papritur e tronditëse kur ai u godit brutalisht për vdekje me thikë nga truproja e tij, Pausania i Orestidës.

Motivet e vërteta të vrasjes së Filipit nuk janë zbuluar kurrë. Pausania u kap dhe u vra pothuajse menjëherë pas atentatit, ndaj nuk mundi të jepte shpjegime. Megjithatë, disa burime hedhin idenë se truproja kishte qenë i dashuri i mbretit dhe se ishte mbushur me pakënaqësi pas një mosmarrëveshjeje personale ose politike. Historianë të mëvonshëm, ndërkaq, kanë hamendësuar se pas vrasjes qëndronte Olimpia. Me Filipin të vdekur, Aleksandri do të ishte i lirë të merrte fronin e Maqedonisë dhe të siguronte pozitën e të dyve.

Për më tepër, thuhet se më vonë Olimpia e nderoi Pausanian, vrasësin e të shoqit. Përse do ta bënte këtë, nëse nuk kishte qenë e përfshirë në atentat? Nëse Olimpia kishte qenë fshehurazi përgjegjëse për këtë vrasje, shumë shpejt do ta shfaqte hapur përpara botës ambicien e saj mizore.

NJË EPOKË E RE E PËRGJAKSHME

Aleksandri e përvetësoi rolin e mbretit me lehtësi të natyrshme, pikërisht siç kishte synuar e ëma. Ai ishte autoritar e i aftë dhe iu përvesh menjëherë zgjerimit të perandorisë maqedonase, themelet e së cilës i kishte hedhur i ati. Olimpia, si Nënë Mbretëreshë, i mori seriozisht përgjegjësitë e saj dhe u sigurua që brenda vendit të mos kishte kërcënime as ndaj fronit të të birit, as ndaj autoritetit të saj. Sapo mori kurorën, Aleksandri urdhëroi pa vonesë vrasjen e armiqve të tij politikë dhe e ëma u kujdes ta ndihmonte. Tani që i shoqi kishte vdekur, një nga vendimet e para dhe më tronditëse të Olimpias ishte të urdhëronte vrasjen e gruas së fundit të Filipit, Kleopatra Euridikës, dhe të foshnjës së saj. Historianët nuk janë të sigurt nëse Aleksandri ishte në dijeni të synimeve të pamëshirshme të së ëmës, por, sidoqoftë, Olimpia nuk do të rrezikonte që një trashëgimtar tjetër të sfidonte sundimin e të birit.

Kur Aleksandri u largua në fushata ushtarake, emëroi një regjent për të mbikëqyrur Maqedoninë. Antipatri, një gjeneral që kishte shërbyer nën Filipin, u përzgjodh për përvojën, aftësitë dhe besnikërinë ndaj familjes mbretërore. Ndonëse Olimpia nuk u emërua regjente, ajo vazhdonte të ushtronte pushtet real mbi Maqedoninë, si sytë e Aleksandrit në atdhe. Dihej gjithashtu se zhvillonte bisedime me shtete të tjera në emër të Maqedonisë, gjë që Antipatri nuk e priste mirë. Armiqësia mes tyre dukej qartë në letrat e ankesave që të dy i dërgonin Aleksandrit gjatë qëndrimit të tij jashtë vendit. Megjithatë, Aleksandri vazhdonte të merrte këshilla nga e ëma në largësi dhe, me gjasë, i pëlqente fakti që ajo mbante nën vëzhgim Antipatrin për llogari të tij.

LUFTA PËR PUSHTET

Në vitin 323 p.e.s., Aleksandri vdiq papritur, pas vetëm 13 vjetësh në fron. Pa dyshim, Olimpia u dërrmua nga humbja e të birit, të cilit i kishte kushtuar jetën dhe tek i cili ishte mbështetur. Vdekja e tij tronditëse e zhyti perandorinë në kaos, ndërsa shpërtheu Lufta e Pasardhësve. Gjeneralë dhe pretendentë për fronin maqedonas, të njohur si diadokët, luftuan kundër njëri-tjetrit për të shtënë në dorë territoret e Aleksandrit, duke e copëtuar perandorinë e stërmadhe në pjesë më të vogla në kërkimin e tyre për pushtet. Përfundimisht, ndërsa perandoria po shpërbëhej, u vendos që djali foshnjë i Aleksandrit, Aleksandri IV, dhe gjysmëvëllai i Aleksandrit, Filipi III, për të cilin historianët mendojnë se mund të ketë pasur vështirësi në të nxënë, të sundonin bashkërisht Maqedoninë nën një regjencë. Regjenca do të përfundonte kur Aleksandri IV të arrinte moshën madhore.

Kuptohet që Olimpia donte të sigurohej se do të ruante njëfarë kontrolli mbi fronin përmes nipit të saj të vogël dhe nisi të vepronte për të gjetur një regjent që do ta mirëpriste përfshirjen e saj. Më në fund u përzgjodh Perdika, një gjeneral i Aleksandrit të Madh. Duke e ditur se duhej të krijonte aleancë me të, Olimpia e martoi menjëherë të bijën, Kleopatrën, me Perdikën. Antipatri u tërbua që ishte anashkaluar, si edhe nga fakti se Perdika kishte shmangur propozimin për t’u martuar me vajzën e tij, Nikenë. Ai mblodhi aleatë, e rrëzoi shpejt Perdikën dhe u vendos vetë në postin e regjentit.

Sigurisht, Olimpia ishte e pakënaqur me këtë zgjidhje të re, për shkak të marrëdhënies së saj tashmë të tensionuar me Antipatrin. Nuk mund të bënte shumë për ta ndryshuar gjendjen dhe, duke ndier se e kishte humbur betejën, u tërhoq në Molosi. Por zhgënjimi i Olimpias u fashit shpejt, kur Antipatri vdiq më pak se një vit më vonë, duke e lënë sërish vakant postin e regjentit. Në vend që t’ia kalonte këtë titull të birit, Kasandrit, Antipatri ia kishte besuar detyrën një gjenerali tjetër, të quajtur Poliperkon. Ky i sugjeroi Olimpias të kthehej në Maqedoni për të udhëzuar nipin e saj. Kasandri, megjithatë, kishte plane të tjera dhe nisi përgatitjet për t’ia marrë regjencën Poliperkonit.

LUFTA MES GRAVE

Gjatë kohës që Olimpia qëndronte larg Maqedonisë, Filipi III, bashkësundimtari i Aleksandrit IV, ishte martuar me një grua, ambiciet e së cilës ishin po aq të mëdha sa të sajat. Adea Euridika ishte një kundërshtare e frikshme, që kërkonte pushtet absolut për veten dhe për bashkëshortin e saj të ri dhe ishte e gatshme të bënte gjithçka për të hequr qafe Aleksandrin IV. E vetëdijshme për kthimin e afërt të Olimpias, Adea Euridika lidhi aleancë me Kasandrin dhe nisi përgatitjet për t’u përballur me forcat e Olimpias dhe të Poliperkonit.

Në vitin 317 p.e.s., forcat e Olimpias u gjendën ballë për ballë me ushtrinë e Adea Euridikës, në kufirin mes Maqedonisë dhe Molosisë. Në krye të ushtrive të tyre, të dyja gratë u përballën me njëra-tjetrën: Olimpia thuhet se mbante veshjen e një priftëreshe të Dionisit, ndërsa Adea Euridika ishte veshur si ushtare. Historiani i lashtë grek, Durisi i Samosit, e përshkroi këtë përballje si “luftën e parë mes grave”. Por, në një kthesë befasuese, ushtarët e Adea Euridikës refuzuan të luftonin kundër fuqisë së Olimpias dhe kaluan shpejt në anën tjetër, pa nisur ende beteja.

Prania e Olimpias ishte, me sa duket, mjaft kërcënuese për të frikësuar një ushtri të tërë dhe për t’i shtyrë ushtarët të shpërfillnin urdhrat e komandantes së tyre.

Adea Euridika dhe Filipi III u burgosën menjëherë pas kryengritjes së dështuar dhe, siç e kishte zakon Olimpia, nuk u tregua asnjë mëshirë. Disa burime tregojnë se Olimpia urdhëroi ekzekutimin e çiftit, ndërsa të tjera thonë se e detyroi kundërshtaren e saj të vriste veten. Sido që të ketë ndodhur, fundi erdhi shpejt për Adea Euridikën dhe bashkëshortin e saj fatkeq. Olimpia urdhëroi gjithashtu vrasjen e vëllait të Kasandrit dhe të rreth 100 përkrahësve të tij.

Kasandri u kundërpërgjigj me tërbim, duke i detyruar Olimpian, Aleksandrin e vogël dhe të ëmën e tij, Roksanën, të tërhiqeshin në Pidna të Maqedonisë. Atje, forcat e Kasandrit e rrethuan qytetin për muaj me radhë, derisa Olimpia nuk pati zgjidhje tjetër përveçse të dorëzohej, në fillim të vitit 316 p.e.s. Kasandri i premtoi se, nëse dorëzohej, do t’ia kursente jetën, por pak pas dorëzimit e shkeli zotimin e tij.

Megjithatë, nami i frikshëm i Olimpias e bëri të ndihej për herë të fundit: ushtarët e Kasandrit refuzuan ta ekzekutonin, duke e detyruar atë t’ua besonte të tjerëve vrasjen e saj. Ai u ofroi të afërmve të njerëzve që Olimpia kishte vrarë mundësinë për t’i dhënë fund jetës së saj. Kështu, Olimpia u vra me gurë nga ata që kishte goditur. Kasandri mbeti regjent i Aleksandrit IV deri në vitin 309 p.e.s., kur urdhëroi vrasjen e mbretit të ri dhe të së ëmës dhe e mori fronin për vete.

Trashëgimia e Olimpias është përcaktuar prej kohësh nga mizoritë që kreu gjatë jetës. Ajo është etiketuar si vrasëse, por kjo nuk duket e drejtë.

Po, ajo ishte e pamëshirshme, mizore, por të tillë ishin edhe burrat që e rrethonin. A do të etiketohej në të njëjtën mënyrë ndonjëri prej burrave në pozita të ngjashme me të? / bota.al

Back to top button