
Gjatë periudhës së Prohibicionit, qeveria e Shteteve të Bashkuara shtoi substanca toksike tek alkooli industrial, edhe pse e dinte se konsumimi i tij mund të ishte vdekjeprurës. Pasoja ishte një luftë kimike që mori mijëra jetë, kryesisht mes shtresave më të varfra të shoqërisë, dhe minoi besimin e qytetarëve ndaj shtetit.
KONSUMI, ALKOOLI DHE VDEKJET E DYSHIMTA
Muzikanti i xhazit Bix Beiderbecke po performonte në Cleveland, Ohio, në vitin 1928, kur u rrëzua papritur. Në vitet që pasuan, shëndeti i tij u përkeqësua. Edhe pse ishte i njohur si alkoolist, vdekja e tij nga pneumonia në moshën 28-vjeçare mbeti tronditëse. Disa studiues kanë hedhur hipotezën se nuk ishte vetëm infeksioni ai që i mori jetën njërit prej kornetistëve më të mëdhenj të viteve njëzetë: ai mund të jetë helmuar.
Fajtori? Një politikë qeveritare që e bënte konsumimin e alkoolit jo vetëm të paligjshëm, por edhe potencialisht vdekjeprurës.
Gjatë Prohibicionit, periudhës kur në SHBA, nga viti 1920 deri në vitin 1933, ndaloheshin prodhimi, shitja dhe transporti i pijeve alkoolike, nuk u ndaluan të gjitha llojet e alkoolit, por vetëm ato të destinuara për konsum, ndërsa përjashtoheshin përdorimet mjekësore dhe fetare, siç shkruhet në artikullin që sjell bota.al.
Për të penguar kontrabandistët të përdornin alkoolin industrial për prodhimin e pijeve ilegale, qeveria amerikane ndryshoi përbërjen e tij duke shtuar substanca kimike shumë toksike, si metanoli dhe benzeni. Prodhuesve që arrinin një përqindje të caktuar të këtyre aditivëve helmues madje u jepeshin edhe përjashtime fiskale.
Publiku ishte në dijeni të kësaj politike. Një titull i New York Times i asaj kohe shkruante: “Qeveria dyfishon përmbajtjen e helmit në alkool.” Kur Prohibicioni përfundoi në vitin 1933, më shumë se 10 mijë amerikanë kishin humbur jetën pasi kishin konsumuar alkool të kontaminuar.
ALKOOLI, PIJA QË HELMOI NJË BREZ TË TËRË
Rritja e kërkesës për pije alkoolike i shtyu kontrabandistët të ridistilonin dhe hollonin alkoolin industrial, në përpjekje për të eliminuar ose të paktën për të zvogëluar substancat toksike. Pasoja ishte vdekja e mijëra njerëzve, në atë që studiuesit e kanë quajtur “lufta kimike e Prohibicionit”.
Charles Norris, mjeku i parë ligjor i qytetit të Nju Jorkut, e quajti ndotjen e alkoolit “eksperimenti ynë i shfarosjes”.
Situata u përkeqësua shpejt. Në prag të Krishtlindjeve të vitit 1926, gjashtëdhjetë persona përfunduan në Bellevue Hospital të Nju Jorkut pasi kishin pirë alkool të kontaminuar. Tetë prej tyre vdiqën ditën e Krishtlindjes dhe, në fund, numri i viktimave arriti në 23, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të verbër.
Norris thirri menjëherë mediat. “Qeveria e di se nuk mund ta ndalojë pirjen duke helmuar alkoolin… megjithatë vazhdon programin e saj të helmimit, edhe pse është plotësisht e vetëdijshme se njerëzit që vazhdojnë të pinë po përthithin çdo ditë atë helm.”
Ai shtoi: “Duke e ditur këtë, qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të mbajë përgjegjësi morale për vdekjet e shkaktuara nga pijet e helmuara.”
NJË POLITIKË ME PASOJA TË PABARABARTA
Megjithatë, jo të gjithë mendonin se politika e qeverisë ishte e gabuar.
Wayne Wheeler, këshilltar ligjor dhe figurë kyçe e Anti-Saloon League, organizata kryesore amerikane në mbështetje të Prohibicionit, argumentonte se përgjegjësia për vdekjet nuk ishte e ligjit, por e vetë konsumatorëve. “Kush pi këtë alkool industrial po kryen vetëvrasje me vetëdije.”
Kjo deklaratë, e bërë në vitin 1926, shkaktoi reagime të forta. Senatori i New Jersey-t Edward Irving Edwards, për shembull, e quajti qeverinë “bashkëpunëtore në krim” dhe politikën “vrasje të legalizuar”.
Ndërkohë, ndërsa qeveria e denaturonte alkoolin për ta bërë të papërshtatshëm për konsum, kriminelët vazhdonin ta shpërndanin atë, shpesh në forma edhe më të rrezikshme.
A ishte kjo vrasje? Ndoshta jo në kuptimin ligjor. Por një gjë është e sigurt: pasojat e Prohibicionit nuk i goditën të gjithë njësoj.
Qytetarët më të pasur mund të siguronin më lehtë uiski të destinuar për përdorim mjekësor, të miratuar nga qeveria dhe, për rrjedhojë, të pakontaminuar. Ata mund të konsumonin gjithashtu kokteje gjatë udhëtimeve jashtë vendit ose në kroçera.
Punëtorët dhe komunitetet afrikano-amerikane, përkundrazi, nuk kishin këto mundësi. Ata pinin atë që gjendej në tregun e zi, duke rrezikuar jetën.
“JAKE LIQUOR BLUES”
Një alternativë e njohur ndaj pijeve alkoolike ishte “Jake”, një preparat mjekësor i patentuar i njohur si Jamaica Ginger, që përmbante deri në 95% alkool.
Qeveria kërkoi që shishet e shitura pa recetë të përmbanin një përqindje të lartë oleorezine, një rrëshirë me vajra esencialë të xhenxhefilit të hidhur.
Për të përballuar kërkesën, për të mos u zbuluar dhe për ta bërë produktin më të pranueshëm në shije, prodhuesit e paligjshëm shtuan fosfat tri-orto-krezili (TOCP), një përbërje organofosforike toksike, e përdorur si plastifikues dhe ngadalësues i flakës.
Ky helm me veprim të ngadaltë sulmonte sistemin nervor, duke shkaktuar paralizë ose një ecje karakteristike çalamane që u bë e njohur si “Jake Leg”.
Edhe pse numri i saktë nuk dihet, 35 mijë amerikanë iu bashkuan United Victims of Ginger Paralysis Association (Shoqata e Viktimave të Paralizës nga Xhenxhefili), ndërsa vlerësimet flasin për 50 deri në 100 mijë persona të prekur.
Bluesmeni Ishman Bracey e përjetësoi këtë tragjedi në këngën e tij Jake Liquor Blues (1928): “Të mpin gjithë pjesën e përparme të trupit dhe nuk mund të bësh më dashuri.”
NJË LUFTË PËR TAKSAT, JO VETËM PËR MORALIN
Megjithëse Prohibicioni u paraqit si një kryqëzatë morale, ai ishte edhe një çështje politike.
Shtatë vjet më parë, Amendamenti i Gjashtëmbëdhjetë kishte vendosur tatimin federal mbi të ardhurat, duke kompensuar humbjen e të ardhurave që më parë vinin nga taksat mbi alkoolin. Denaturimi i alkoolit e bënte atë të papërshtatshëm për konsum dhe, rrjedhimisht, të patatueshëm.
Gazetarja shkencore fituese e çmimit Pulitzer Deborah Blum, autore dhe studiuese e historisë së helmeve në Amerikë, thotë: “Pas njëfarë kohe, zyrtarët e qeverisë e dinin se njerëzit po vdisnin, por nuk u ndalën.”
Ajo shton: “Nuk besoj se synimi i tyre ishte të vrisnin njerëz. Por kjo po ndodhte dhe ata e pranuan si dëm kolateral, siç ndodh në çdo luftë.”
Sipas historianes së Harvardit Lisa McGirr, kjo periudhë shënoi fillimin e zgjerimit të shtetit penal amerikan. U rritën përgjimet telefonike, burgosjet dhe fuqia e policisë federale. Siç përfundon Deborah Blum: “Janë njerëzit ata që paguajnë çmimin kur qeveritë i japin vetes autoritet moral dhe bindjen se çdo veprim është i justifikuar me arsyetimin: ‘Çdo gjë që bëj është për të mirën tuaj.'” / bota.al