Populistët pretendojnë se flasin në emër të “popullit”. Po për kë po flasin në të vërtetë?

Populistët

Clara Juarez Miro

Universitat de Barcelona

Ndërsa mbështetja për lëvizjet populistët po rritet me shpejtësi në mbarë botën, termi “populizëm” është shndërruar në një lloj termi në modë. Ai përdoret për të përshkruar lëvizje dhe figura publike shumë të ndryshme, në kontekste politike po aq të ndryshme. Këtu përfshihen figura të së djathtës si Jair Bolsonaro në Brazil dhe Narendra Modi në Indi, por edhe të majtë si Bernie Sanders në SHBA, Pablo Iglesias në Spanjë dhe Julius Malema në Afrikën e Jugut.

Për ta komplikuar edhe më tej çështjen, studiuesit priren të përdorin përkufizime të ndryshme të populizmit. Disa e konsiderojnë një ideologji, të tjerë një lloj diskursi, madje edhe një formë qeverisjeje. Pavarësisht këtyre dallimeve, shumica e përkufizimeve bien dakord mbi një ide themelore: populizmi e ndan shoqërinë në dy grupe kundërshtare: “popullin e pastër” dhe “elitat e korruptuara”.

Koncepti i “popullit” është themeli i populizmit, por ne ende dimë relativisht pak se çfarë do të thotë realisht për mbështetësit ta shohin veten si pjesë të këtij grupi. Një pjesë e madhe e kërkimeve është përqendruar te vetë partitë dhe udhëheqësit populistë, përfshirë mënyrën se si ata e paraqesin versionin e tyre të “popullit” si moralisht superior ndaj elitave të korruptuara. Kërkimi im shqyrton anën tjetër, për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo për mbështetësit që, përmes votës së tyre, i sjellin këta politikanë në pushtet.

Një koncept pafundësisht elastik

Disa autorë kanë argumentuar se paqartësia se kush është në të vërtetë “populli” përbën pikërisht një nga elementet kyçe të fuqisë tërheqëse të populizmit. Duke qenë se ideja është e gjerë dhe elastike, ajo mund të kalojë nga një vend në tjetrin dhe nga një ideologji politike në tjetrën, duke u mundësuar grupeve të ndryshme të votuesve të identifikohen me të dhe ta imagjinojnë veten si pjesë të së njëjtës bashkësi më të gjerë.

Dhe kjo nuk vlen vetëm për “popullin”. Terma të tillë si “establishmenti” ose “elitat” përdoren në mënyrë të ngjashme për të identifikuar, në kuptim të gjerë, ata që nuk janë pjesë e “popullit”.

Ky elasticitet do të thotë se njerëzit që përfshihen brenda konceptit të “popullit” mund të ndryshojnë jashtëzakonisht shumë.

Politikanët mund ta përdorin termin për t’iu referuar atyre që ndajnë një identitet të caktuar kulturor, siç bën populistja franceze e së djathtës Marine Le Pen kur e përdor këtë koncept për të promovuar politika që u japin përparësi qytetarëve francezë.

Në mënyrë të ngjashme, të tjerë e përdorin termin si diçka që përputhet drejtpërdrejt me përkatësinë kombëtare. Për shembull, partia populiste e së djathtës radikale spanjolle Vox pretendon shpesh se flet në emër të “popullit spanjoll”.

Të tjerë, si populistja gjermane Sahra Wagenknecht – pozicioni politik i së cilës ndërthur elemente të së majtës dhe së djathtës radikale – e përdorin termin për t’iu referuar grupeve në vështirësi ekonomike. Për shembull, ajo mbron ata që, sipas saj, janë “harruar prej vitesh nga politikanët”, duke kërkuar paga më të larta dhe përfitime sociale më të forta.

Megjithëse anëtarët e këtij grupi të imagjinuar mund të jenë krejtësisht të ndryshëm, populistët e të gjitha krahëve e paraqesin “popullin” si një grup të bashkuar dhe moralisht të mirë, interesat e të cilit po shpërfillen ose tradhtohen nga elitat e korruptuara.

Figurat dhe partitë populiste e paraqesin veten si zgjidhjen, si një forcë që është në mënyrë unike e aftë të kuptojë dhe t’i shërbejë një elektorati të shtypur dhe të lënë pas dore.

Po aq e rëndësishme sa të shohim se kë përfshijnë politikanët në këtë bashkësi të imagjinuar është të shohim edhe kë përjashtojnë prej saj. Në të djathtë, ky përjashtim shpesh bëhet mbi baza kulturore ose racore, ndërsa e majta zakonisht përjashton klasat më të pasura të shoqërisë.

Politikanët populistë madje mund të sugjerojnë se kushdo që nuk pajtohet me ta nuk i përket në të vërtetë “popullit”. Populisti britanik dhe një nga arkitektët e Brexit-it, Nigel Farage, e shprehu këtë në kuptimin më të drejtpërdrejtë të mundshëm kur tha: “Ne jemi populli. Partia Brexit është populli.”

Mbështetësit e populistëve

Studimet e mëparshme kanë matur se sa fort votuesit identifikohen me “popullin”. Megjithatë, për të kuptuar më mirë se çfarë do të thotë t’i përkasësh këtij grupi, duhet të bëjmë edhe një hap pas dhe të shqyrtojmë interpretimet, emocionet dhe përvojat që mbështetësit lidhin me këtë bashkësi të imagjinuar.

Një mënyrë për ta bërë këtë është të bisedosh me mbështetës të lëvizjeve të ndryshme populiste, për të kuptuar se çfarë nënkupton për ta të qenit pjesë e “popullit”.

Një mënyrë tjetër është të shqyrtosh komunikimin mes këtyre mbështetësve në komunitetet online. Këto hapësira, të pakufizuara gjeografikisht, u mundësojnë njerëzve të interpretojnë së bashku mesazhet politike, të zhvillojnë një ndjenjë të përbashkët identiteti dhe përkatësie dhe të negociojnë se kush përfshihet, dhe kush përjashtohet, nga “populli”.

Në një studim të kohëve të fundit, analizova 6.000 ndërveprime në komunitete online, si dhe 33 intervista të thelluara me mbështetës populistë të djathtë dhe të majtë.

Analiza tregoi se mbështetësit populistë identifikoheshin me “popullin” në tri mënyra: përmes mënyrës se si e imagjinonin këtë grup, mënyrës se si ndiheshin ndaj tij dhe mënyrës se si e përjetonin të qenit pjesë e tij.

Siç kanë sugjeruar edhe kërkimet e mëparshme, mbështetësit shpesh e imagjinojnë “popullin” si njerëz punëtorë, të denjë dhe moralisht legjitimë. Mbështetësit e së djathtës e lidhin këtë identitet me përkatësinë kulturore, ndërsa ata të së majtës theksojnë identitetin e klasës punëtore.

Por ky identifikim është gjithashtu thellësisht emocional. Mbështetësit shprehin afeksion dhe besnikëri të fortë ndaj politikanëve të tyre të preferuar populistë, ndërsa shfaqin zemërim dhe frikë ndaj elitave, kundërshtarëve dhe grupeve që i perceptojnë si kërcënim për komunitetin.

Ata shprehin gjithashtu dashuri dhe mirëkuptim të thellë për anëtarët e tjerë të “popullit”, qoftë kur ky komunitet është më abstrakt, qoftë kur përbëhet nga njerëz konkretë me të cilët komunikojnë online ose në jetën reale.

Ata e përjetojnë “popullin” edhe përmes marrëdhënieve dhe pjesëmarrjes politike. Ndërveprimi me njerëz të tjerë që perceptohen si pjesëtarë të “popullit” krijon një ndjenjë përkatësie, konfirmimi dhe qëllimi, ndërsa aktiviteti politik, qoftë fizikisht, në tubime dhe protesta, apo online, mund ta forcojë këtë ndjenjë komuniteti dhe të nxisë pjesëmarrje të mëtejshme.

Të marra së bashku, këto gjetje sugjerojnë se mbështetja për populizmin nuk lidhet vetëm me idetë apo politikat.

Identifikimi me “popullin” funksionon sepse elasticiteti i këtij termi u mundëson politikanëve ta formësojnë atë në mënyra bindëse dhe sepse interpretimet e mbështetësve përputhen me këto mesazhe politike.

Por ky identifikim përmban edhe një aspiratë: u ofron një ndjenjë komuniteti dhe përkatësie atyre që arrijnë ta shohin veten si pjesë të këtij grupi.

Ai i ndihmon mbështetësit të ndiejnë se i përkasin diku, se të tjerët i kuptojnë dhe se janë të lidhur me një qëllim të përbashkët. / The Conversation – Bota.al

Back to top button