Debato me një budalla, dhe ai do të të quajë idiot

Debato

Mos e harxho qetësinë tënde, për të fituar çdo debat

Ka debate që mbarojnë për pesë minuta, por të mbeten në kokë gjithë ditën. I rikthehesh çdo fjale, mendon çfarë duhej të kishe thënë, ndërton përgjigje të tjera. Ndërkohë, njeriu me të cilin u përplase vazhdon ditën e vet. Ti vazhdon të debatosh me të, edhe pse ai nuk është më aty.

Prandaj, përpara se të hysh në një debat, ia vlen të pyesësh veten: a ke të bësh me dikë që dëshiron të të kuptojë? Apo po flet me dikë që “nuk dëgjon nga ai vesh”.

Jo të gjithë hyjnë në një bisedë me gatishmërinë për të dëgjuar. Disa presin vetëm radhën për të folur. Të tjerë kërkojnë të të zënë ngushtë, të të nxjerrin nga vetja, të marrin miratimin e atyre që po shohin. Për ta, çdo shpjegim është një mundësi për të kapur një fjalë e për ta përdorur kundër teje.

Ti përpiqesh të sqarosh çfarë the, ata të gjykojnë për atë që pretendojnë se ke dashur të thuash. Ti sjell një fakt, ata ndërrojnë temë. Ti ruan qetësinë, ata ngrejnë zërin, derisa edhe ti të humbasësh durimin. Pastaj, gjithë biseda reduktohet te mënyra si reagove.

Mençuria është ta dallosh çastin kur shpjegimi yt nuk po i shërben më askujt.

E kemi të vështirë të ndalemi. Na duket sikur, po heshtëm, tjetri do të mendojë se ka të drejtë. Sikur, po u larguam, do të dukemi të dobët. Kemi dëgjuar aq shpesh shprehjen “mos ia lër tjetrit fjalën e fundit”, sa ndonjëherë sakrifikojmë një mbrëmje të tërë, vetëm për ta pasur atë fjalë.

Por çfarë fitove, nëse dole nga debati i acaruar, u fole keq njerëzve dhe e more atë zemërim me vete deri në shtrat? Sa vlen një “fitore”, që vazhdon ta paguash edhe pasi biseda ka mbaruar?

Me kalimin e viteve mëson se të kesh të drejtë dhe të arrish të dëgjohesh janë dy gjëra të ndryshme. Ty mund të të bëhet vonë për ndershmërinë e fjalëve të tua, për argumentet që sjell dhe për respektin me të cilin flet. Gatishmëria e tjetrit për të kuptuar mbetet përgjegjësia e tij.

Kjo kërkon edhe ndershmëri me veten. Ka njerëz që të kundërshtojnë me të drejtë. Ka kritika që dhembin pikërisht sepse prekin diçka që duhet ta ndryshosh. Pjekuria kërkon t’i dëgjosh ato. Por kërkon edhe të dallosh kur një bisedë po të ndihmon të shohësh më qartë dhe kur thjesht po të mban peng në të njëjtin rreth akuzash e shpjegimesh.

Nuk ke pse ta kthesh jetën në një mbrojtje të pafundme të vetes. Nuk ke pse t’i përgjigjesh çdo thumbimi, të përgënjeshtrosh çdo hamendësim apo t’i bindësh të gjithë se kush je. Njerëzit që duan të të njohin do të shohin edhe veprimet e tua. Do të të bëjnë pyetje. Do të të lënë të përfundosh një fjali.

Ruaji fjalët për biseda ku ka vend për të dy. Për njerëz që mund të thonë “ndoshta e kam gabim” dhe që të japin edhe ty hapësirën ta thuash këtë. Dhe kur e kupton se një debat është shteruar, lejoje veten të thuash: “E thashë atë që mendoj. Nuk kam çfarë të shtoj më”.

Pastaj vazhdo ditën.

Fjala e fundit mund t’i mbetet tjetrit. Dita jote le të të mbetet ty.

Back to top button