Faktorët magjepsës që bënë të vinte Revolucioni Industrial, dhe që e çuan këtë vend ishullor në pararojë të industrializimit botëror

Më 31 dhjetor 1600, mbretëresha Elizabeta I miratoi themelimin e Kompanisë së Indive Lindore, si aktin e saj të fundit zyrtar për atë vit. Vetëm shtatë vjet më vonë, Kompania e Virxhinias e John Smithit themeloi koloninë e parë të përhershme britanike në Amerikën e Veriut: Jamestownin. Shenjat e para të Revolucionit Industrial ishin ende disa dhjetëvjeçarë larg, por një nga faktorët e tij kyç sapo ishte paracaktuar.
Kur shqyrtojmë Revolucionin Industrial, kureshtja na çon natyrshëm te një pyetje thelbësore: pse ndodhi në Britani? Cilat ishin rrethanat e veçanta që bënë që ky ishull relativisht i vogël, i ndarë nga pjesa kontinentale e Evropës, të bëhej vendi ku do të zhvilloheshin risitë dhe përparimi që do ta ndryshonin botën përgjithmonë? Ndikimi i Perandorisë Britanike, e ngritur mbi themelet e hedhura gjatë mbretërimit të Elizabetës, ishte padyshim një nga faktorët që kontribuuan në këtë periudhë ndryshimesh të shpejta.
Perandoria Britanike dhe Revolucioni Industrial: lëndë të para dhe tregje të reja
Kolonitë e shumta të Kurorës britanike formuan një rrjet të fuqishëm tregtar ndërkombëtar, të cilin Britania mund ta shfrytëzonte për zhvillimin e vet, shpesh në kurriz të bashkësive vendase mbi të cilat kishte imponuar sundimin. Sot, disa e vlerësojnë lart Perandorinë Britanike si arritjen më të madhe të një vendi të madh, ndërsa të tjerë dënojnë historinë e saj të shfrytëzimit dhe lidhjet e turpshme me skllavërinë.
Në kontekstin e Revolucionit Industrial, rëndësia e saj ishte e qartë. Kolonitë e Britanisë jo vetëm hapën tregje të reja eksporti për vendin, por i siguruan edhe qasje të paprecedentë në rezerva të mëdha lëndësh të para, me potencialin për ta rritur ndjeshëm prodhimin ekonomik britanik. Nga Amerikat vinin pambuku, duhani dhe sheqeri, ndërsa Britania plaçkiste pasuritë e Australisë në ar dhe lesh. Nga India merrte çaj dhe erëza, kurse ari dhe diamantet e nxjerra nga kolonitë afrikane i sillnin pasuri të tjera.
Teksa përfitonte nga burimet e kolonive të saj, Britania shfrytëzonte gjithashtu sa më shumë tregjet e reja që ato ofronin. Përmes kolonive, ajo mund të shiste më shumë mallra të prodhuara në vend; tekstilet, mobiliet dhe veglat shiteshin të gjitha me sukses. Kjo masë e madhe dhe gjithnjë në zgjerim blerësish për mallrat britanike nxiste natyrshëm rritjen e prodhimit brenda vendit, duke krijuar mundësi punësimi dhe duke nxitur risitë që çuan te shpikjet më të mëdha të Revolucionit Industrial.
Nga puna në tokë te jeta në fabrika
Kryesisht për shkak të ambicieve të saj globale, kjo ishte edhe një periudhë ndryshimesh të mëdha për njerëzit që punonin në Britani. Brenda një shekulli, shumë njerëz kaluan nga punimi i tokës apo prodhimi me dorë i mallrave për shitje, te punët në qytete dhe fabrika. Punët e reja kërkonin turne deri në 16 orë në ditë, dhe në punë viheshin burra, gra e fëmijë.
Popullsia po rritej dhe po punonte më shumë se kurrë. Njerëzit kishin nevojë për ushqim dhe revolucioni bujqësor i Britanisë iu përgjigj sfidës për t’i ushqyer. Më parë, rritja e popullsisë ishte frenuar nga pamundësia për të prodhuar ushqim të mjaftueshëm për një numër më të madh njerëzish. Megjithatë, në vitin 1750, me një popullsi prej 5,7 milionë banorësh, Anglia e gjeti zgjidhjen për të ushqyer më shumë njerëz. Deri në vitin 1850, popullsia e saj kishte arritur në 16,6 milionë banorë.
Revolucioni bujqësor dhe rritja e prodhimit të ushqimit
Ky përparim i rëndësishëm bujqësor u bë i mundur falë një sërë faktorësh. Njëri ishte intensifikimi i kultivimit: prodhimi i më shumë ushqimi, në të njëjtën sipërfaqe toke. Përveç kësaj, sipërfaqe të tjera u kthyen në toka bujqësore, përfshirë pyje, kullota dhe kënetat e Anglisë lindore, të cilat u thanë për t’u kultivuar.
Në këto toka të reja, fermerët nisën të përfitonin nga qarkullimi i kulturave bujqësore. Një sistem i njohur qarkullimi përfshinte rrepat dhe tërfilin. Rrepat mund të rriteshin në tokën e lënë djerrë, e cila zakonisht rezervohej për t’u lëruar me qëllim largimin e barërave të këqija, pasi barërat mes rreshtave të rrepave mund të hiqeshin me shat. Tërfili ishte i dobishëm sepse ripërtërinte rezervat e azotit në tokë, një përbërës kyç për kultura të shëndetshme. Përdorimi i tij i gjerë që nga mesi i shekullit XVII bëri që, deri në shekullin XIX, tokat bujqësore në mbarë Anglinë të ishin të pasura me këtë lëndë ushqyese jetike.
Një tjetër faktor në revolucionin bujqësor ishte përdorimi më efikas i farave me cilësi më të mirë. Makina mbjellëse e farave u përsos nga Jethro Tull në vitin 1701. Kjo pajisje e tërhequr nga kuajt i mbillte farat në rreshta të rregullt, duke i përdorur me kursim. Deri atëherë, farat ishin mbjellë me dorë, një metodë shumë më pak e besueshme.
Megjithatë, Tull i bëri të njohura për herë të parë përfitimet e makinës mbjellëse në një traktat të vitit 1731 dhe përdorimi i pajisjes u përhap gradualisht gjatë shekullit pasues. Prandaj, ndikimi i saj në periudhën që i parapriu Revolucionit Industrial ka të ngjarë të ketë qenë i vogël. Sidoqoftë, falë përmirësimeve të tjera në bujqësi, Britania arriti për herë të parë të përballonte një rritje të jashtëzakonshme të popullsisë. Kjo aftësi ishte një tjetër shtysë kyçe për Revolucionin Industrial.
Qymyri i lirë dhe puna e shtrenjtë: shtysa për industrializimin
Ndërsa Britania po begatohej nga përdorimi efikas i tokës së saj, ajo përfitonte edhe nga ajo që gjendej nën të: qymyri. Ky nuk ishte një zbulim i ri; qymyri ishte përdorur si lëndë djegëse prej mijëra vjetësh. Por potenciali i tij i vërtetë u vu në shfrytëzim vetëm në fillimet e Revolucionit Industrial.
Ky ishte ndoshta katalizatori më i rëndësishëm i industrializimit. Britania kishte rezerva të mëdha qymyri që prisnin të nxirreshin në verilindje të Anglisë, në rajonin e Midlandsit, në Uellsin jugor dhe në Skocinë qendrore. Në fillim të shekullit XVIII nxirreshin rreth 3 milionë tonë qymyr në vit. Deri në vitet 1830, kjo sasi ishte dhjetëfishuar.
Një furnizim kaq i bollshëm nënkuptonte se qymyri ishte relativisht i lirë në Britani, krahasuar me vendet e tjera që nuk kishin të njëjtat rezerva dhe të njëjtën infrastrukturë minerare. Ndërkohë, fuqia punëtore ishte relativisht e shtrenjtë. Ky kombinim i lëndës djegëse të lirë me punën e shtrenjtë i nxiti shpikësit dhe sipërmarrësit të zhvillonin mënyra për të shfrytëzuar energjinë e qymyrit, me qëllim zëvendësimin e punëtorëve.
Kjo përpjekje për më shumë efikasitet çoi në shpikje si makinat me avull, të projektuara nga Thomas Newcomen dhe të përmirësuara nga James Watt.
Si i nxitën ligjet e patentave shpikjet e reja
Për njerëz si Newcomen dhe Watt, të cilët kishin prirje për shpikje, mundësia e fitimit financiar mbrohej nga ligje të forta për patentat. Në vendet ku mungonte kjo mbrojtje, shpikësit rrezikonin që projektet e tyre të kopjoheshin pa pikë turpi, duke ua mohuar çdo përfitim real nga puna e mundimshme.
Por, duke mbrojtur të drejtat e shpikësit, sistemi ligjor britanik i dha një shtysë të mëtejshme garës për të sjellë risi dhe për ta bërë prodhimin më efikas.
Makinat me avull të Newcomenit dhe Wattit
Makina me avull e Newcomenit, e shpikur në vitin 1712, përdorej kryesisht për të larguar ujin nga minierat. Më parë, kjo bëhej me kova, përmes një sistemi rrotullash të vënë në lëvizje nga kuajt: një proces që kërkonte punë me dorë dhe shumë burime. Makina e Newcomenit e lehtësoi procesin, por për ta kryer atë konsumonte shumë qymyr.
Makina e Wattit e përmirësoi efikasitetin duke përdorur një kondensator të veçantë, i cili shmangte nevojën për ta ngrohur dhe ftohur vazhdimisht cilindrin e makinës. Makina e Wattit mundësoi gjithashtu një përdorim më të gjerë të saj, përfshirë, për shembull, vënien në lëvizje të mekanizmave rrotullues në fabrikat e përpunimit të pambukut.
Koksi, hekuri dhe zhvillimi i industrisë
Përdorimi tjetër kyç i qymyrit në industri ishte përftimi dhe përdorimi i koksit: qymyr i ngrohur në temperaturë të lartë, në një mjedis të mbyllur, për t’i larguar papastërtitë. Koksi përdorej për të prodhuar gizë përmes një metode të përsosur nga Abraham Darby.
Përdorimi i një nënprodukti të qymyrit në prodhimin e hekurit jo vetëm mundësoi prodhimin më efikas të mallrave prej hekuri dhe çeliku, por përshpejtoi edhe përparimin e shpikjeve si makina me avull, e cila kërkonte sasi të mëdha metali cilësor me një çmim më të përballueshëm.
Brenda Evropës, Belgjika, Franca dhe Gjermania kishin gjithashtu rezerva qymyri për t’u nxjerrë. Ato nisën t’i shfrytëzonin në mënyrë të ngjashme me Britaninë, por vetëm në shekullin XIX. Dhe, ndërsa vende të tjera evropiane po ndërtonin perandori anembanë botës, Perandoria Britanike ishte më e madhja dhe më e suksesshmja në kuptimin kolonial.
Sipas shumë historianëve, këta ishin dy faktorët vendimtarë nga të cilët buronin të gjithë përbërësit e tjerë: suksesi i Perandorisë Britanike nxiti industrializimin për të përmbushur kërkesën në rritje për mallra, ndërsa bollëku i qymyrit u dha shpikësve dhe sipërmarrësve mjetet dhe nxitjen për të ulur kostot, dhe për të bërë pasuri, nëse arrinin të shfrytëzonin energjinë e tij.
Pse Britania ishte e para? Ndërthurja e faktorëve vendimtarë
Sigurisht, nuk ka një përgjigje përfundimtare për pyetjen se përse Britania ishte e para në industrializim. Të tjerë ia kanë atribuar këtë përparësi themeleve të hedhura gjatë shekujve që i paraprinë Revolucionit Industrial: një sistemi politik relativisht të qëndrueshëm, një të drejte tregtare të zhvilluar mirë dhe rëndësisë që iu dha logjikës dhe shkencës falë Epokës së Iluminizmit.
Më e mundshmja duket që të gjithë këta faktorë, së bashku me shkëndijën e shpikjes që përfshin fatin dhe intelektin, u ndërthurën në çastin e duhur. Kështu nisi Revolucioni Industrial në tokën britanike. / bota.al