
Ka tekste që i përkasin kohës kur janë shkruar dhe ka të tjera që, sado vite të kalojnë, vazhdojnë të tingëllojnë çuditërisht aktuale. Ky shkrim nga Faik Konica, botuar në revistën “Albania” në qershor të vitit 1897, i përket padyshim të dytëve.
Me gjuhën e tij therëse, ironinë pa mëshirë dhe atë aftësi të rrallë për t’i kthyer dobësitë tona kolektive në një pasqyrë të pamëshirshme, Konica ngre një pyetje që do ta shoqëronte mendimin e tij gjatë gjithë jetës: cilët janë në të vërtetë armiqtë e Shqipërisë?
Përgjigjja e tij është brutale: jo gjithmonë duhen kërkuar jashtë kufijve. Për Konicën, rreziku më i madh vjen nga përçarja, servilizmi, shitja e interesit të përbashkët për përfitimin personal dhe nga paaftësia për ta vendosur Shqipërinë mbi ndasitë fetare, gjuhësore e interesat e çastit.
Duhet lexuar, natyrisht, si një tekst i vitit 1897, me fjalorin, zemërimin dhe rrethanat politike të asaj kohe. Por, 129 vjet më vonë, disa prej pyetjeve që ngre Konica mbeten çuditërisht të njohura.
Pikërisht për këtë arsye ia vlen ta lexojmë e rilexojmë.
Armiqt e Shqipërisë
Faik Konica
“Albania” (1897)
Të gjith ata qi kanë njohur mire vëndin tonë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë njizet miljon shpirtëve: e dini që jemi tre miljonë edhe që dy miljonë prej nesh ngordhin urije; shkrojnë që Shqipëtarët janë mjaft të mënçurë me punuem, nukë vetëm për zbukurimin e tyre, por edhe për mirësin’ edhe për dritën e gjithë njerëzisë: e dini mirë që Shqipëtarët të mësuarë janë më të rallë se fjala të verteta në gojë prifti. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndes?
Kemi armiq. Për atë, të gjithë bashkohen në nji zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë nukë tregojnë nji armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris’ e Grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e Shevet, ca të jerë emërojnë, me zë të unjtë, trashërin’ e Halldupëve.
Kur dëgjojmë të tilla, neve na vjen nji i pambajtur gas. Armiqt’ e Shqipërisë janë Shqipëtarët, jo të tjerë. Shqipëtarët kanë shkruar me gjakn’ e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të vogëlat të trazuarat gjer në luftat më të gjaktat, Shqipëtari ka hequr hark, vetëtitur kordh a zbrasur pushkë. A ka gjë më të turpëshme, më të unjtë se historia e këtij kombit qi – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në ç’do luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim, nga aqë qint vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetehesë? Të dojin Shqipëtarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të pa-tundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt’ e saj.
Dëgjoni mirë, në mos e dini: S’janë armiq vetëm duke ndenjur duart në gji po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Sa të fëlliqura shkrohen në Greqi, a tjatërkund, kundrë të mjerëve Shqipëtarëve, kundrë Paloarvanitëve, sa kanune linden në Stamboll për të therur Shqipërinë (Pis-Arnautluk), të tera Shqipëtarët i nxjerin.
Shkaku i këtyre të ligave është se Shqipëtaret s’kanë shpirtin miaft të lartë për të dashur lirinë; Shqipëtarët psherëtitin nat’ e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare fare robër nënë Turkun a nënë Grekun, të hidhen në gjunjë përpara Gjorgos, t’i qërojnë thonjët me gjuhe. Veç zakones, qi ryri në gjak të Shqipëtarëve, të veshin gjithënjë lëkurën e Turkut, e Grekut a nonji tjetërit zotit, është dhe shkaku i gjuhave e i besave.
Ata prej nesh qi s’ e kuvendojnë shqipen, arisin lehtazi të besojnë që s’janë Shqipëtarë. Ç’ka të bëjë gjuha në këtë punë? Helvecianët, për tregim, kuvëndojnë ca frëngjishten, ca gjermanishten: po janë nji komb. Pse? Se kane një rrëzë, edhe kombi është punë rrëze, jo gjuhe.
Tjetëri shkaku është që ca prej Shqipetarët janë të sunetisur, ca te pagëzuarë. Këto të dy punërat miaft për të qeshur janë, edhe – në qoftë që nonji këndonjës nuk i njeh – ja, shkurt, qysh bëhen. Kur aritet nji djale shtat a tet vjeçar, i at’ i tij fton miqtë, han’ e pinë dhe këndojnë; pastaj, duke rënë vjolitë, nji maskara i qaset të gjorës foshnjës – e cila ulërin dhe përpiqet – edhe me një gërshërë në dorë i pret një thelë mish te nji vent që është turp ta emëronj. Janë Shqiptarë qi s’e bëjnë këtë punën; por ata, kur lindet nji djalë, ja shpien nji prifti mjekërqelburi, i cili e mer edhe e kllet lakuriq brënda në një magje plot me ujë.
Mos e mirni shtrembër mendimin tim, u lutem; une s’kuvendonj kundrë këtyrave punërave: të mira a të liga, ç’do njeri ësht i lir t’i besojë edhe t’i mbajë.
Vetëm një pjetje ju kam për të kërkuar, duke falur nderjes: A kuptoni si mund t’i ndrohet rrëza nji njeriut sepse – kur që djalë – i keputnë një cope mish a e vunë brënda në një magje? Mua s’m’a pret mendia.
Na mbeti pakë vent, pakë na mbeti dhe koh. Andaj nukë mundim këtu të qajmë, me mëmëdhetarët e vërtetë, të këqijat tona. E gjorë Shiperi! Dhe në mes të dashurve djemëve tënd, gjeti rrugë të hyjë shpirtunjturia e armiqëve! Miaft gjak kemi në zëmbërë, edhe miaft të çuditëshma ato qi na vijnë nga Bukureshti. Po me mos ditur akoma në janë fare të vërteta, nukë na e jep shpirti të bëjmë fjalë.
Kemi shpresë se ata qi na ndeznë e na dhanë zëmbërë të nisim luftën, nukë do t’na dalin të pabesë. Qofshin të diturë, qofshin të paditurë, – nukë janë djem, po njerëz të pjekurë, dhe miaft çudi është në mos kuptojn dhokanin që ju ngrehin armiqtë, miaft çudi në mos kuptojnë mirësine që neve ëndërojmë për ata!
Si do që të jetë, mëmëdhedashuria na bën detyrë të përpiqemi t’u lidhim gojën armiqëve. Armiqë gjejtin kundrë neve shkakun që ngajtim punën e besave. Armiqë ngorthçin! Këtej e tutje, e përkohëshmia lëshon mb’anë Perëndinë, shentët, ungjillët, kishërat, xhamirat, priftëritë dhe oxhallarëtë tok! Sa kishim bërë gati, i prishmë, që të ecijmë mbas udhës së re.
Të shohim ç’baltë kanë për të ngrënë armiqtë!
Më të mëdhenjt armiqt’ e Shqipërisë – e thamë – janë Shqipëtarët. Spiunët që paguan Halldupi, spiunët që paguan Greku, spiunët që paguan Shqau, nukë janë Halldupë, nukë Grekër, nukë Shqenj – janë Shqipëtarë. Duhet më pak ergjënt për të blerë një shakull djathë se për të blerë vetëdien e këtyre kafshëve cilët – me punët që bëjnë, – e fëlliqin emërin Shqipëtar. Prej këtyre faqezinjve le të marrim sot ata që punojnë për Halldupin, Turkomanët, edhe le t’ u themi dy fjalë: Juve s’kini mënde që të kuptoni ç’është mëmëdheu, s’kini shpirt që të ndjeni bukurirat e Shqipërisë, s’kini zëmbërë që t’u vijë keq për sa vuajnë të mjerët Shqipëtarë, – po kini barkun miaft të gjërë dhe u ka ënda për të ngrënë nat’ e ditë:
Andaj u pyes, ku kini për të gjetur bukë kur të ngjallet – SE KA PËR TË NGJALLUR – Shqipëria? Sa kini, sa nukë kini, stati Shqipëtar ju a ka për të rrëmbyer në emër të kombit; do të jini të ndjekurë si ligëtarë, dhe Halldupi – me mos patur nevojë prej jush – do t’u lëshojë pa bukë. Juve qi sot rroni me pagimet e tradhësisë, ahere do të lipni po nukë do t’u japin, do te bini më dhé, e do të ngordhni urie. Ashtu qoftë!
Qershor 1897