Elon Musk sfidon Nolanin për filmin “Odisea”: “Do të bëj një version më të mirë me Grok”

Elon Musk

Elon Musk ka sfiduar Christopher Nolanin dhe u ka premtuar kritikëve të regjisorit të filmit “Odisea” një version të ri të sagës së Uliksit, “historikisht më besnik” dhe të realizuar tërësisht me inteligjencë artificiale.

Pasi kaloi disa muaj duke sulmuar filmin epik të Nolanit – me komente që u kritikuan për tone raciste – pavarësisht kastit të yjeve ku bëjnë pjesë Matt Damon, Anne Hathaway, Zendaya dhe Lupita Nyong’o, themeluesi i Tesla-s dhe SpaceX njoftoi se modeli i tij i inteligjencës artificiale, Grok, do të prodhojë një film artistik “besnik ndaj veprës së Homerit” deri në fund të këtij viti, në kohë për sezonin e ardhshëm të çmimeve kinematografike.

Postimi i Musk në rrjetin X u shoqërua me një video të shkurtër prej tre minutash, të krijuar nga një prej ndjekësve të tij, ku me Grok ishte gjeneruar një kast aktorësh të gjithë me ngjyrë të bardhë.

Më pas, Musk miratoi me një koment të shkurtër “jam dakord” propozimin e një tjetër ndjekësi, sipas të cilit duhej t’i jepeshin 100 milionë dollarë Mel Gibson-it për të realizuar një version të ri të “Odisesë”, “me anije, armatura, armë dhe një kast historikisht të saktë, me të gjithë dialogët të marrë nga poema origjinale dhe të recituar në greqishten homerike”.

Musk është përpjekur të nxisë një përplasje kulturore rreth filmit të Nolanit, ku Matt Damon interpreton Uliksin dhe Anne Hathaway Penelopën. Filmi u shfaq në kinema të premten, u prit me vlerësime pothuajse unanime nga kritika dhe pati një debutim shumë të suksesshëm në arkat botërore.

Përpara daljes së filmit, Musk ripostoi komente fyese që kritikonin zgjedhjen e regjisorit Christopher Nolan për të besuar rolin e Helenës së Trojës dhe Klitemnestrës aktores me ngjyrë Lupita Nyong’o, si edhe rolin e Sinonit aktorit transgjinor Elliot Page. Musk shtoi se “Nolani po e bën këtë për të fituar çmimet” dhe se “ka humbur integritetin e tij artistik”.

Megjithatë, përpjekjet e Musk duket se kanë pasur pak ose aspak ndikim. “Odisea” arkëtoi 264 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes në kinematë e botës dhe mori një vlerësim prej 97% nga publiku në Rotten Tomatoes.

Lexo edhe:

Uliksi, mendimtari i parë i Perëndimit

Në muajin maj, Lupita Nyong’o iu përgjigj kritikëve të krahut të djathtë duke deklaruar: “Kasti ynë përfaqëson botën ku jetojmë. Nuk kam ndërmend të harxhoj kohën time duke u mbrojtur. Kritikat do të ekzistojnë, pavarësisht nëse unë u përgjigjem apo jo.”

Së fundmi, edhe Christopher Nolan komentoi reagimet negative, duke thënë se ato “janë pjesë e lojës”. “Këto diskutime që zhvillohen para se njerëzit ta kenë parë filmin janë gjithmonë të parëndësishme, sepse askush nga ata që marrin pjesë në to nuk e di ende se çfarë është në të vërtetë filmi.”

Reagime ndaj Elon Musk

Fushata e Elon Musk kundër filmit “Odisea” të Christopher Nolanit ka ngjallur habi në Hollywood.

Një nga zërat më kritikë nga komuniteti i kinemasë ishte regjisori i “Doctor Strange” dhe “The Black Phone”, Scott Derrickson, i cili nuk i kurseu fjalët ndaj Musk në rrjetet sociale.

Duke shkruar në platformën X, në pronësi të vetë Musk, Derrickson deklaroi: “Është e qartë se @elonmusk nuk kupton asgjë nga kinemaja dhe ka pushuar së lexuari libra që në të njëzetat e tij. Opinionet e tij për artin nuk kanë asnjë vlerë.”

Themeluesi i Tesla-s ka sulmuar filmin “Odisea” të Christopher Nolanit shumë kohë përpara daljes së tij në kinema, për shkak të disa zgjedhjeve “woke”, sipas tij, në përzgjedhjen e aktorëve.

Në mars, Musk shkroi se “Christopher Nolan është një racist kundër të bardhëve”, pasi zgjodhi Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës. Sipas tij, regjisori e mori këtë vendim sepse “kërkon të fitojë çmime”.

Ai sulmoi edhe Elliott Page, i cili interpreton rolin e Sinonit në “Odisea”, duke ripostuar komente që talleshin me identitetin dhe maskulinitetin e aktorit transgjinor.

Megjithatë, “Odisea” nuk është filmi i parë që Musk ka kritikuar në platformën X. Më parë ai kishte ironizuar edhe filmin “Barbie” për mesazhet e tij feministe, si dhe ribërjen e “Borëbardhës” nga Disney, me Rachel Zegler në rolin kryesor. Por reagimi kundër asaj që kritikët e quajnë qasje “woke” nuk duket se pati ndikim te suksesi i filmit.

Back to top button