
Furia epike, ose lufta kundër Iranit nuk i dha goditjen vendimtare regjimit. Dhe mes Hormuzit, Gjirit të copëtuar, çarjeve transatlantike dhe zinxhirëve të furnizimit që duhen rindërtuar, çmimi i konfliktit është tashmë shumë i lartë
Nga Guido Olimpio dhe Giuseppe Sarcina
“Furia epike” e Donald Trumpit nuk solli ndryshimin e regjimit në Iran, por tronditi ekuilibrat strategjikë dhe ekonomikë. Asnjë sektor nuk ka kaluar i padëmtuar përmes kësaj stuhie.
Atlantiku më i gjerë
Mënyra se si Trumpi e nisi dhe më pas e drejtoi luftën ka thelluar tensionet mes dy brigjeve të Atlantikut. Vendet europiane ankohen se nuk janë konsultuar. Presidenti amerikan është kundërpërgjigjur duke kërcënuar të tërheqë mijëra ushtarë nga Gjermania, Italia dhe Spanja.
Është një çarje që mund të riparohet? Prova më e afërt pritet në samitin e ardhshëm të NATO, më 7 dhe 8 korrik në Turqi.
Por është gjerësisht e ndarë ideja se konflikti ka përshpejtuar planin për t’i dhënë Europës një rol politik më autonom, e kuptuar në një kuptim më të gjerë sesa vetëm BE. Mbështetësit kryesorë të këtij procesi janë Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania.
Furia epike dhe nyjet ushtarake
Dihej, dhe megjithatë ata ecën përpara: vetëm aviacioni nuk mund ta gjunjëzojë armikun, edhe nëse shkakton dëme shkatërrimtare. Aq më tepër kur kundërshtari është përgatitur prej dekadash për këtë provë.
Pasdaranët kanë përshtatur sistemin e tyre duke marrë parasysh atë që ndodhi në konfliktin e qershorit. Zinxhiri i komandës ka vazhduar të funksionojë pavarësisht humbjes së figurave kyçe; përdorimi i kombinimit dronë-raketa u ka lejuar iranianëve të mbajnë nën shënjestër bazat amerikane, infrastrukturat energjetike dhe fqinjët e Gjirit.
Ata nuk kishin nevojë të fitonin; për ta mjaftonte të rezistonin. Dhe e bënë këtë, ndoshta duke fshehur edhe përçarjet e brendshme, duke luajtur me nacionalizmin e përzier me parimet revolucionare dhe duke përdorur represionin. Angazhimi ushtarak ka konsumuar rezerva municionesh shumë të kushtueshme, ka bërë të qartë se ombrella kundër-raketore ka boshllëqet e saj dhe ka zbuluar një nënvlerësim befasues të boshtit mes mullahëve dhe gardianëve.
Gjeografia
Gjeografia i ka shërbyer mbrojtjes iraniane dhe ka bërë të mundur rikthimin e shantazhit të Hormuzit.
Ujërat e cekëta dhe hapësirat e kufizuara kanë favorizuar manovrat e pasdaranëve, të vendosur për të imponuar kontrollin mbi Ngushticën. Zonat malore kanë shtuar mbrojtjen e bunkerëve ku janë fshehur lëshuesit, raketat dhe uraniumi i pasuruar.
Amerikanët dhe izraelitët kanë hedhur tonelata bombash mbi objektivat, kanë dobësuar me siguri aparatet, por nëse janë të vërteta disa rrjedhje informacioni kanë ndikuar vetëm pjesërisht mbi sitet atomike.
Dhe Tehrani ka mbajtur më pas si rezervë një kartë të dytë, gjithmonë të lidhur me skenarët gjeografikë: Detin e Kuq. Nëse luftimet do të rifillonin, është e mundshme ndërhyrja e Houthit-ëve nga Jemeni, të aftë për të kërcënuar kalimin e dytë jetik, atë që çon drejt Kanalit të Suezit.
Monarkitë e përçara
Monarkitë e Gjirit duken të përçara dhe Irani po bën gjithçka për ta thelluar këtë përçarje. Nuk është rastësi që ka vënë vazhdimisht në shënjestër Emiratet e Bashkuara Arabe, tashmë të konsideruara si mbështetësi rajonal i Izraelit dhe promovues të një linje të ashpër kundër ajatollahëve.
Qëndrimi i Abu Dhabit ka shkaktuar pasoja brenda konfederatës së mini-shteteve, disa emirë kërkojnë stabilitet dhe jo plumba, ndërsa ka thelluar kontrastet me Arabinë Saudite, kundër aventurave dhe e gatshme, pavarësisht gjithçkaje, për dialog me Iranin.
I ngjashëm është edhe qëndrimi i Katarit dhe Omanit, prej kohësh ndërmjetësues, ashtu si edhe i Egjiptit, një regjim që ka humbur miliarda për shkak të uljes së trafikut detar.
Anijet dhe nafta
Iranianët janë gjendur duke manovruar një instrument presioni të papritur në prag të konfliktit: hapjen ose mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Nga ai kalon rreth 20% e nevojës botërore për gaz dhe naftë. Për periudhën e pasluftës do të shtrohen dy çështje.
E para ka të bëjë, natyrisht, me rikthimin e furnizimeve. Qarkullojnë shumë parashikime. Më të besueshmet vlerësojnë se do të duhet pritur deri në shtator për t’u rikthyer, pak a shumë, në normalitet. Megjithatë, do të duhet parë në çfarë kushtesh. A do të jenë vërtet pasdaranët në gjendje të imponojnë një tarifë për çdo cisternë nafte?
Në çdo rast, dhe kjo është çështja e dytë, nga tani e tutje do të lëkundet një tjetër parim themelor i së drejtës: liria e lundrimit në ujërat ndërkombëtare.
Tronditja ekonomike
Lufta në Iran përfaqëson goditjen e tretë për ekonominë botërore në pak vite. Ajo erdhi pas COVID-19 në vitin 2020 dhe pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Qeveritë dhe industritë, sidomos ato perëndimore, janë sërish të detyruara të rishikojnë zinxhirët e furnizimit për lëndët e para thelbësore.
Europa, duke nisur nga Italia, po përfundonte ripozicionimin energjetik, pasi kishte ndërprerë pothuajse plotësisht blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia. Ekonomia rikthehet të përballet me gjeopolitikën.
Sytë janë drejtuar nga Afrika e Veriut, Azerbaixhani, Kazakistani dhe vende të tjera për të zëvendësuar sidomos gazin që për një periudhë të vështirë për t’u përcaktuar, nuk do të vijë më nga Katari dhe monarkitë e tjera të Gjirit.
Natyrisht, hapet edhe një mundësi tjetër zgjerimi për SHBA, eksportues i madh i gazit të lëngshëm. Në teori, ky do të ishte gjithashtu një test për shtetet e Bashkimit European, të cilat mund të paraqiteshin në treg me blerje të përbashkëta, siç rekomandohet nga Raporti Draghi.
Siguria dhe prodhimi
Por nuk bëhet fjalë vetëm për hidrokarburet.
Nga Hormuzi kalojnë shumë lëndë të tjera të para ose gjysmëprodukte themelore: alumin, helium, squfur, nikel, kobalt, bakër, plastikë, produkte petrokimike, plehra kimikë.
Në horizont shfaqen vështirësi që do të prekin një spektër të gjerë sektorësh: elektronikë, rezonancë magnetike, farmaceutikë, automobilistikë, letër, qelq, ambalazhim, tekstil, kimi dhe shumë të tjerë.
Prandaj bëhet gjithnjë e më qendrore tema e asaj që quhet “siguria ekonomike”.
Kompanitë, veçanërisht shumëkombëshet, kanë nisur të konsultohen me qeveritë për të identifikuar rrugë të reja furnizimi dhe, në të njëjtën kohë, për të studiuar mënyrën se si t’i bëjnë ato të sigurta.
Si pasojë, ky proces ka prekur tashmë edhe primet e sigurimeve detare, të cilat në disa raste janë pesëfishuar. / Corriere della Sera – Bota.al