Si u kthye lufta me Iranin, në avantazh gjigant për Kinën

Lufta me Iranin

Lufta me Iranin dhe ndihma (e pavullnetshme) për Kinën, që duhej të përfundonte në qoshe dhe tani po pushton tregjet “e gjelbëra”

nga Federico Fubini

Një nga objektivat e luftës ndaj Iranit që i atribuoheshin Donald Trumpit, ishte anashkalimi i Kinës në planin e burimeve strategjike. Në janar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, me kapjen e Nicolás Maduros, kishte marrë kontrollin e naftës venezueliane, duke ndërprerë furnizimet për superfuqinë rivale. Ndryshimi i regjimit në Iran duhej ta shumëfishonte atë efekt, në teori.

Por tani po fillon të shfaqet një përmbysje rolesh: tronditja energjetike që pasoi bllokimin e Hormuzit po bën të shpërthejë kërkesa ndërkombëtare për teknologji të gjelbra të prodhuara në Kinë.

Lufta kundër ndryshimeve klimatike nuk është rikthyer në krye të listës së objektivave të shumicës së qeverive të planetit. Në vend të saj, në krye është ngjitur gara për autonomi strategjike, me uljen e varësisë nga nafta dhe gazi i importuar.

Kështu, të dhënat mbi eksportin e paneleve diellore kineze drejt pjesës tjetër të botës në mars, muaji i parë i luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tregojnë një dyfishim të shitjeve të moduleve të gatshme: nga një kapacitet prej 16 gigavatësh në 31, sipas qendrës kërkimore Ember, që bazohet në të dhënat doganore kineze.

Nëse shihen edhe komponentët e paneleve, si qelizat dhe wafer-at, Kina në mars i ka shitur botës ekuivalentin e fuqisë së instaluar fotovoltaike të gjithë Spanjës: 68 gigavatë, një nivel 50% më i lartë se çdo rekord i mëparshëm historik.

Republika Popullore nuk është thjesht lider në industrinë fotovoltaike: praktikisht është zotëruesja e pakontestueshme e saj. Sipas Center for Strategic and International Studies, ajo kontrollon shumë më tepër se nëntë të dhjetat e prodhimit global të wafer-ave të silikonit dhe qelizave fotovoltaike, ndërsa pjesa e saj në panelet e gatshme arrin rreth 86%.

Për çdo vend, forcimi i prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme do të thotë, në masë të madhe, të blesh nga Kina. Po e bën, shumë më tepër se më parë, edhe Italia. Midis shkurtit dhe marsit, blerjet italiane të paneleve nga Kina janë më shumë se dyfishuar, në nivelet më të larta historike, nga një kapacitet prej 0.28 gigavatësh në 0.61 gigavatë.

I njëjti efekt i Hormuzit shihet edhe te makinat. Në Bashkimin Evropian, në mars, pjesa e shitjeve të modeleve të reja elektrike, një tjetër sektor ku dominojnë prodhuesit kinezë, për herë të parë pothuajse barazohet me makinat me benzinë. Në Gjermani (24% e regjistrimeve të reja) dhe në France (28%), ky parakalim tashmë është realitet.

Në nivel europian, gjithmonë në mars, rritja e shitjeve të modeleve elektrike është rreth 50% më e lartë krahasuar me një vit më parë. Italia shënon rritjen më të fortë, por nga nivele ende shumë poshtë mesatares europiane dhe nën shtysën e incentiva publike specifike.

Në vitet ’70, dy goditjet e naftës përshpejtuan një tranzicion industrial që favorizoi prodhues si Fiat: konsumatorët kaluan nga sedanët e mëdhenj te makinat e vogla me konsum të ulët. Sot, goditja e lidhur me Hormuzin po shpërblen pothuajse vetëm Kinën.

Sipas të dhënave të saj doganore, rritja e eksporteve të Republikës Popullore drejt Italisë dhe Gjermanisë, në dollarë, është më shumë se një e katërta krahasuar me një vit më parë. Kështu po konsumohet heterogjeneza e qëllimeve të Donald Trumpit. Ai duhej t’i priste Pekinit aksesin në burime strategjike. Në vend të kësaj, i ka dhënë Xi Jinpingut një nga asistet më të pabesueshme dhe më fatlume në historinë industriale.

Duhej të ndiqte politikën e “drill, baby, drill”, shpim dhe nxjerrje nafte. Në vend të kësaj, ka ulur oreksin botëror për naftë. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button