Fobitë e figurave historike: Njerëz të mëdhenj që jetuan me frikëra të pazakonta

Zbuloni fobitë e pazakonta të 7 figurave historike të famshme, nga Napoleoni te Nikolla Tesla. Frikëra që mund të kenë ndikuar në jetën dhe vendimet e tyre.

Fobitë

Nga DG Hewitt

Historia i kujton si pushtues, shkencëtarë, gjeneralë dhe liderë që ndryshuan rrjedhën e botës. Por pas suksesit dhe famës së tyre fshiheshin fobitë e tyre shumë njerëzore. Edhe figurat historike më të mëdha kanë pasur dobësi, ankth dhe fobi që shpesh ndikuan në sjelljen, marrëdhëniet apo vendimet e tyre.

Nga frika e maceve te ankthi ndaj mikrobeve apo hapësirave të mbyllura, këto fobi tregojnë një anë më pak të njohur të njerëzve që lanë gjurmë në histori. Ja disa nga figurat historike më të famshme dhe frikërat e pazakonta që i shoqëruan gjatë jetës.

Hans Kristian Andersen dhe fobitë se mos varrosej i gjallë

Shkrimtari i mirënjohur danez i përrallave për fëmijë, Hans Kristian Anderson, kishte një imagjinatë të gjallë dhe mendime obsesive se do të varrosej i gjallë. Në fakt frika e tij, ishte jo tërësisht e pabazë. Në epokën vitktoriane, raportoheshin qindra raste të njerëzve të varrosur të gjallë, pasi mendoheshin gabimisht se kishin ndërruar jetë.

Ruzvelti dhe frika nga zjarri

Presidenti amerikan Frenklin Ruzvelt, ishte aq i frikësuar nga zjarri, sa që ushtrohej rregullisht në Shtëpinë e Bardhë, se si të përballonte një situatë emergjente të shkaktuar pikërisht nga zjarri. Kur ishte i vogël ai pa tezen e tij të përfshihej e tmerruar nga flakët, dhe imazhi i syve të saj, do e përndiqte gjithë jetën.

Hitleri dhe frika nga dentistët

Udhëheqësi nazist gjerman, Adolf Hitler, pëlqente ta portretizonte veten si një supermen. Por ai kishte në fakt shumë frikë dentistët. Kjo shpjegon edhe faktin, se përse Fyhreri kishte një higjienë të tmerrshme orale, sipas vetë dëshmisë së dentistit të tij personal, Johanes Blashke.

Salvador Dali dhe fobitë nga insektet

Piktori i famshëm spanjoll, Salvador Dali, ishte i tmerruar nga insektet, dhe kishte një fobi të veçantë ndaj karkalecave. Por artisti e përdori këtë fobi në dobi të punës së tij. Ai i përdori insektet si motive qendrore në shumë prej pikturave të tij.

Çezari dhe frika nga bubullimat

Perandori romak, August Çezari, mund të ishte njeriu më i fuqishëm në botë, por ai kishte frikë nga errësira, bubullimat dhe vetëtimat gjatë kohës së keqe. Burimi i fobisë së tij, ishte një rrufe që një ditë goditi për vdekje një skllav, që po ecte shumë pranë tij. Perandori e mori atë si një shenjë se ishte mallkuar nga perënditë. Ai urdhëroi ndërtimin e një tempulli kushtuar Jupiterit, Zotit të Stuhisë. Por kjo nuk do ta pengonte të tmerrohej sa herë që binte shi.

Pjetri i Madh dhe insektet “e frikshme”

Edhe Cari reformator i Rusisë, Pjetri i Madh, i urrente për vdekje insektet. Shërbëtorët e tij, punonin për orë të tëra për të kontrolluar gjitha dhomat, ku duhej të hynte udhëheqësi. Ato duhej të mos kishin asnjë lloj insekti. Një oficer besnik i ushtrisë, gjeti vdekjen pasi u godit në kokë nga vetë Pjetri, kur ai zbuloi një kacabu në shtëpinë e tij.

Mynsh dhe agorafobia akute

Piktori norvegjez Edvard Mynsh, vuante nga agorafobia akute. Frika e tij ndaj hapësirave publike të mëdha, dhe turmave në natyrë u pasqyrua në artin e tij. Sipas disa studiuesve të Mynsh, frika e artistit nga hapësirat e mëdha, mund të ketë qenë rrënjosur në traumën e fëmijërisë. Edvard ishte vetëm 5 vjeç kur e ëma i vdiq nga tuberkulozi. Pastaj, vetëm disa vjet më vonë, motra e tij vdiq nga e njëjta sëmundje. Kjo mund të ketë qenë arsyeja, pse ai ishte aq i frikësuar të dilte jashtë shtëpisë.

Agorafobia e Marsel Prustit

Ashtu si piktori norvegjez edhe shkrimtari francez, Marsel Prust, vuante nga agorafobia. Megjithatë izolimi nga bota e jashtme, i dha mundësinë që të përqëndrohej në shkrimet e veta. Kryevepra e tij epike “në kërkim të kohës së humbur”, është plot 3000 faqe.

Thomas Xheferson dhe të folurit në publik

Ndërkohë Tomas Xheferson, një nga Etërit Themelues të Shteteve të Bashkuara, vuante nga frika e të folurit në publik. Ai qe një nga autorët kryesorë të Deklaratës së Pavarësisë. Por, ndërsa mund të shkruante me elokuencë mbi një varg çështjesh, tmerrohej kur i kërkohej të fliste me zë të lartë në publik, duke u justifikuar në shumë raste se ishte i sëmurë. Megjithatë në fund, Xheferson e mposhti frikën e tij, për t’u bërë një nga amerikanët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Alfred Hiçkok dhe fobitë nga vezët dhe pulat

Rregjizori i famshëm britanik i filmave thriller dhe horror, Alfred Hiçkok, ndjente neveri dhe një frikë të madhe ndaj vezëve të pulave. Por ai kishte edhe fobi të tjera, si nga seksi dhe lartësitë. Madje kishte një frikë të përjetshme, se mund të arrestohej gabimisht dhe të burgosej. Kjo e fundit supozohet se daton që në fëmijërinë e tij, kur babai i tij e mbylli në një nga qelitë e policisë lokale, që t’i jepte atij një mësim sa herë që sillej keq.

Xhengis Kani kishte frikë nga qentë

Udhëheqësi i madh i mongolëve, Xhengis Kan mund të ketë qenë kryekomandanti më i frikshëm i të gjitha kohërave. Por ai ishte i tmerruar nga qentë, edhe pse ndoshta kanifobia e tij ishte e kuptueshme. Qentë në Mongoli, ishin trupmëdhenj dhe aq të egër, dhe mund t’u bënin ballë edhe ujqërve.

Riçard Nikson dhe fobia ndaj spitaleve

Presidenti amerikan, Riçard Nikson kishte një fobi ndaj spitaleve. Ai kishte frikë se nëse ai do shtrohej për kontroll në njërin prej tyre, nuk do të dilte më gjallë prej andej. Kur u diagnostikua me një koagulim serioz të gjakut pas dorëheqjes së tij, Nikson ishte shumë ngurrues për t’u kontrolluar në spital. Por kirurgët e Shtëpisë së Bardhë e paralajmëruan se nëse nuk shkonte në spital, me siguri që do të vdiste. Në fund, ai u bind të shkonte në spital.

Marrë me shkurtime nga “Historycollection” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button