
Amerika e Donald Trump-it do të vijë “e para” (ku? Në Hënë ka qenë që në vitin 1969), por ndërkohë është e vetme. Gjatë 72 orëve të fundit, Donald ka prishur marrëdhëniet me të gjithë, madje duke hapur edhe një front “ekstraterritorial” me Papën, në kundërshtim me ndarjen mes politikës dhe fesë të rrënjosur në Kushtetutën amerikane. Një rast i izoluar si ai i Izraelit nuk mjafton për të ndryshuar pamjen e përgjithshme, në një skenë globale që përfshin Euroatlantikun, Indo-Paqësorin, BRICS-in, hemisferën perëndimore, si dhe Lindjen e Mesme dhe Gjirin, ku SHBA ushtron dhe/ose konkurron për lidershipin botëror prej tre të katërtave të një shekulli.
Ky është Perëndimi gjeopolitik, i ndërtuar mbi një sistem aleancash, partneritetesh dhe ekuilibrash të ndryshëm, ku NATO është komponenti më i strukturuar politik dhe ushtarak dhe Europa partneri më i privilegjuar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara zgjedh të izolohet prej tij. Dhe duke u izoluar, e përçan.
Europa (dhe Italia) janë bërë kështu pjesë e një “Perëndimi të përgjysmuar”.
Ky Perëndim i përgjysmuar lundron në ujëra ndërkombëtare më të trazuara se kurrë që nga viti 1945. Janë në zhvillim dy luftëra të mëdha – në Ukrainë dhe në Gjirin Persik – që përfshijnë drejtpërdrejt një fuqi të madhe: Rusinë në Ukrainë dhe SHBA në Gjirin Persik, të cilat i kanë nisur këto konflikte me zgjedhjen e tyre.
Dy fuqitë e mëdha jo-perëndimore, Kina dhe Rusia, nuk mund të dëshirojnë asgjë më shumë sesa të copëtojnë edhe më tej gjysmën jo-amerikane të Perëndimit. Ndërkohë, vendet në zhvillim në Azi, Afrikë dhe Amerikë kërkojnë një vend në tryezën ndërkombëtare, ky është thelbi i multipolarizmit.
Në këtë Perëndim të përgjysmuar, Europa ka pjesën më të madhe të “gjalpit” – ekonomi, demografi, industri, teknologji – por edhe “topave” – po, edhe në aspektin ushtarak, megjithëse për dekada është investuar pak, europianët kanë burime, kapacitete dhe përvojë të fituar në terren, përfshirë dy fuqi bërthamore.
Ka edhe partnerë të rëndësishëm, duke filluar nga Japonia dhe Kanadaja, por qëndrueshmëria dhe e ardhmja e një Perëndimi pa SHBA – qoftë edhe përkohësisht – mbetet e pasigurt.
Ky Perëndim i përçarë, pra i përgjysmuar, nuk është një ekzagjerim, por një konstatim i ndryshimit radikal të kursit të politikës së jashtme amerikane në mandatin e dytë të Donald Trump-it. Dhe jemi vetëm në një të tretën e tij.
Fillimisht erdhi lufta e tarifave të vitit të kaluar – ndaj të gjithëve, miq e kundërshtarë. Pastaj afrimi në Anchorage me Vladimir Putin-in, ndërkohë që europianët përpiqen të forcojnë sanksionet ndaj Rusisë për të mbështetur Kievin.
Më pas pretendimi, ende i pa tërhequr, për aneksimin e Groenlandës daneze, pa asnjë respekt për vetëvendosjen apo të drejtën ndërkombëtare.
Pastaj lufta me Iranin, duke kërkuar më pas ndihmën e Europës për të përballuar pasojat e rënda dhe të parashikueshme, si mbyllja e Ngushticës së Hormuzit. Pasojat energjetike, bujqësore dhe inflacioniste që kjo ka shkaktuar në shkallë globale – nga të cilat as SHBA, pavarësisht rezervave të saj të naftës dhe gazit, nuk është e mbrojtur – e kanë futur presidentin amerikan në një rrugë pa krye, nga e cila nuk di si të dalë.
Përveçse duke fajësuar të tjerët.
Ai që është shkaktar i fatkeqësisë së vet duhet të qajë vetë. Jo Donald Trump, i cili përkundrazi fajëson gjithmonë të tjerët. Dhe kështu fillon një seri sulmesh ndaj NATO-s, Keir Starmer-it dhe Giorgia Melonit. Kryeministrja italiane gjendet në shoqëri të mirë, por me një thumbim shtesë për mungesë guximi, që tingëllonte si “edhe ti, o Brut, biri im!”.
Sigurisht, për Donald-in, vetëm pak orë pas humbjes së aleatit të tij besnik Viktor Orbán, mbrojtja e Papa Leone XIV nga “gruaja fantastike” e politikës italiane duhet të ketë qenë një goditje e fortë. Mund të kuptohet. Duke mos pasur më liderë të huaj për t’i sulmuar, ai u kthye sërish kundër guvernatorit të Rezervës Federale, Jerome Powell – një emërim i tij.
Përplasja e hapur me Papa Leone XIV ishte një gabim i dyfishtë.
Ajo largon një pjesë të elektoratit katolik dhe të krishterë konservator që kishte votuar për Trump-in – mbetet për t’u parë sa dhe nëse kjo do të shërohet deri në zgjedhjet e nëntorit; në gjashtë muaj Trump është i aftë për kthesa të papritura dhe gjithsesi emri i tij nuk do të jetë në fletën e votimit.
Por mbi të gjitha, e vendos Presidentin e Shteteve të Bashkuara përballë udhëheqësit shpirtëror të 1 miliard e 400 milionë katolikëve në botë dhe – pikërisht në momentin kur Leone XIV i drejtohet Afrikës – e rikthen Papën në krye të Perëndimit. Jo vetëm si lider fetar, por si një figurë udhëheqëse në nivel vlerash, etike, morali, të drejtash ndërkombëtare dhe demokracie. Të gjitha këto tema janë trajtuar me vendosmëri nga Leone XIV në ndërhyrjet e tij, që kanë shkaktuar reagimin e Trump-it.
Në këtë Perëndim të vlerave, Europa mund të luajë një rol të fuqishëm bashkues.
Por, ndryshe nga Papa që i thërret vlerat, europianët duhet t’i realizojnë ato. Pra, të veprojnë në terrenin konkret të realpolitikës.
Brukseli duhet të veprojë në mënyrë të prekshme gjeopolitike, me fakte dhe jo me dokumente të gjata. Bashkimi Europian dhe europianët në NATO janë të thirrur të bëjnë politikë mbrojtjeje dhe sigurie, të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën dhe, pas luftës me Iranin, të angazhohen edhe në Gjirin Persik dhe kudo që rrezikohet liria e lundrimit – politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht.
Nuk mund të delegohet më mbrojtja e interesave europiane tek vullneti i mirë i Shteteve të Bashkuara. / Stefano Stefanini, La Stampa – Bota.al