
Njerëzit e varfër dhe shtresa e mesme paguajnë taksa, të pasurit paguajnë kontabilistët, shumë të pasurit paguajnë avokatët, ndërsa ultra të pasurit paguajnë politikanët. Nuk është një vëzhgim origjinal, por ia vlen të përsëritet derisa ta kenë dëgjuar të gjithë.
Sa më shumë para grumbullojnë miliarderët, aq më i madh bëhet kontrolli i tyre mbi sistemin politik, çka do të thotë se paguajnë më pak taksa, pra grumbullojnë më shumë para, dhe pushteti i tyre rritet edhe më shumë.
Ata e ripërcaktojnë botën në mënyrë që t’u shërbejë nevojave të tyre. Një nga simptomat e patologjisë së njohur si “truri i miliarderit” është paaftësia për të parë përtej fitimit personal në afat të shkurtër. Ata do ta sakrifikonin të gjithë planetin për disa gurë të tjerë mbi malin e tyre të pakuptimtë të pasurisë.
Dhe kjo po ndodh pikërisht para syve tanë. Dy javë më parë mbërriti lajmi më i rëndësishëm i vitit, ndoshta edhe i shekullit. Por duke qenë se miliarderët zotërojnë pjesën më të madhe të mediave, shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar asgjë për të. Mund të përfundojmë të përfshirë në një nga ato ngjarje që i japin fund një qytetërimi, para se të kuptojmë se diçka e tillë është madje e mundur.
Lajmi, i publikuar më 15 prill, është se disa shkencëtarë kanë rishqyrtuar sistemin e qarkullimit oqeanik dhe janë të bindur se, si pasojë e degradimit klimatik që po ndryshon temperaturën dhe kripësinë e ujit të detit, ky sistem ka më shumë gjasa të shembet, sesa të mos shembet.
Ky sistem, i njohur si “Qarkullimi Meridional i Përmbysjes së Atlantikut” (Atlantic Meridional Overturning Circulation, ose AMOC), shpërndan nxehtësinë nga tropikët drejt Atlantikut verior.
Ndalja e sistemit sjell katastrofë
Studime të fundit sugjerojnë se, nëse ky sistem do të ndalej, mund të shkaktonte një rënie të fortë të temperaturave mesatare dimërore në Europën Veriore dhe ndryshime drastike në ciklet e ujit në Amazonë. Kjo mund të kontribuonte në nisjen e një reaksioni zinxhir në pyllin tropikal, deri në kolapsin e tij, duke shkaktuar katastrofa të tjera.
Ndalimi i AMOC mund gjithashtu të përshpejtojë rritjen e nivelit të detit përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar qytete të tëra; të rrisë temperaturën në Antarktidë me rreth gjashtë gradë; dhe të çlirojë një sasi të jashtëzakonshme dioksidi karboni, që aktualisht është i depozituar në Oqeanin Antarktik, duke e përshpejtuar krizën klimatike.
Edhe duke marrë parasysh efektet kompensuese të ngrohjes globale të përgjithshme, vëren një tjetër studim, ndikimi neto në Europën Veriore do të përkthehej në periudha të ftohti ekstrem, me temperatura që në Londër mund të zbresin deri në -19 gradë, në Edinburg deri në -30, dhe në Oslo deri në -48 gradë.
Në shkurt, akulli detar do të shtrihej deri në Lincolnshire. Klima jonë do të transformohej në mënyrë drastike, me gjasa për ngjarje ekstreme si stuhi të forta dimërore.
Bujqësia e mbështetur te reshjet do të bëhej praktikisht e pamundur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ky ndryshim, në çdo shkallë kohore realiste për njerëzimin, do të ishte i pakthyeshëm. Shpejtësia e tij mund të tejkalojë aftësinë tonë për t’u përshtatur. Ndalimi i AMOC, i shkaktuar nga variabiliteti natyror klimatik, ka ndodhur edhe më parë. Por jo gjatë një epoke të qytetërimit njerëzor në shkallë të gjerë.
Studimi i parë që propozonte se AMOC mund të ketë një gjendje “aktive” dhe një gjendje “të fikur” u botua në vitin 1961. Që atëherë, shumë kërkime e kanë konfirmuar këtë zbulim dhe kanë thelluar analizën mbi faktorët që mund ta nxisin dhe pasojat e mundshme.
Deri jo shumë kohë më parë, kolapsi i AMOC i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor konsiderohej një ngjarje “me ndikim të lartë dhe probabilitet të ulët”: shkatërruese nëse ndodhte, por pak e mundshme. Kërkimet e viteve të fundit kanë sjellë një rivlerësim. Ka filluar të duket më shumë si një ngjarje “me ndikim të lartë dhe probabilitet të lartë.”
Tani, në reagim ndaj studimit të publikuar më 15 prill, profesori gjerman Stefan Rahmstorf, ndoshta autoriteti më i madh botëror në këtë fushë, thotë se probabiliteti i një ndalimi duket të jetë “mbi 50 për qind.” Mund të kalojmë pikën kritike, thotë Rahmstorf, “në mesin e këtij shekulli.”
Dhe atëherë, pse kjo nuk është në çdo edicion lajmesh? Pse nuk është prioritet i qeverive që pretendojnë se duan të na mbrojnë nga rreziku?
Në një masë të madhe sepse pushteti oligarkik ka mbështetur një model të ndikimit klimatik që ka shumë pak lidhje me realitetin, domethënë, ata kanë një ide për mënyrën se si funksionon bota që është shumë larg zbulimeve shkencore. Ky model dobëson reagimet zyrtare ndaj krizës klimatike.
Gjithçka nisi me punën e ekonomistit William Nordhaus, i cili u përpoq të vlerësonte efektet ekonomike të ngrohjes globale.
Modeli i tij sugjeron se një nivel “shoqërisht optimal” i ngrohjes do të ishte midis 3.5 dhe 4 gradë Celsius. Shumica e shkencëtarëve të klimës e konsiderojnë një rritje të tillë temperaturash katastrofike. Edhe një ngrohje prej 6 gradësh, sugjeron Nordhaus, do të sillte vetëm një humbje prej 8.5 për qind të PBB-së. Për shkencën e klimës, një skenar i tillë do të ishte shumë më tepër fundi i qytetërimit.
Siç kanë argumentuar ekonomistët Nicholas Stern, Joseph Stiglitz dhe Charlotte Taylor, efektet relativisht të lehta që parashikon Nordhaus janë thjesht produkt i modelit që ai përdori. Për shembull, modeli i tij supozon se rreziqet katastrofike nuk ekzistojnë dhe se ndikimi i ndryshimeve klimatike rritet në mënyrë lineare me rritjen e temperaturës. Por asnjë model klimatik nuk sugjeron një sjellje të tillë.
Shkenca e klimës parashikon dinamika jo-lineare dhe një rrezik që bëhet gjithnjë e më intensiv.
Ndër pasojat e mundshme të niveleve të larta të ngrohjes janë: përmbytja e qyteteve të mëdha, zhdukja e kushteve që mbështesin jetën njerëzore, në zona të gjera të planetit, kolapsi i sistemit global ushqimor dhe ndryshime zinxhir në ekosisteme, që mund të çlirojnë rezerva natyrore të dioksidit të karbonit dhe të çojnë drejt një “Toke-serrë”, ku shumë pak do të mbijetonin.
Në atë pikë, nuk do të kishte më kuptim të flitej për disa pikë përqindjeje më pak të PBB-së, sepse nuk do të kishim më as instrumente matjeje, dhe mezi do të ekzistonte një ekonomi për t’u matur.
Gjëja më e çuditshme është se modeli aplikon edhe “zbritje” për popullsitë e ardhshme: supozon se jetët e tyre vlejnë më pak se tonat. Me fjalë të tjera, ai mori një metodë të përdorur për të llogaritur kthimin e kapitalit dhe e aplikoi mbi qeniet njerëzore.
Siç vërejnë tre ekonomistët, “është shumë e vështirë të gjendet një justifikim për këtë në filozofinë morale.” Për më tepër, kriza klimatike godet në mënyrë disproporcionale të varfrit, por sipas këtyre modeleve, edhe jetëve të tyre u atribuohet më pak vlerë. Nuk është çudi që modele të tilla, vërejnë Stern, Stiglitz dhe Taylor, janë përdorur nga industria e karburanteve fosile për të justifikuar reagime minimale ndaj krizës klimatike.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kompanitë e naftës.
Bill Gates, i cili pretendon se dëshiron të mbrojë planetin, ka dhuruar 3.5 milionë dollarë për një think tank të drejtuar nga Bjørn Lomborg, i cili e ka ndërtuar karrierën e tij duke promovuar modelin e Nordhaus, duke ndihmuar kështu në minimizimin e nevojës për veprim klimatik.
Nordhaus mori edhe Çmimin Nobel për Ekonomi për këto absurditete të rrezikshme, të cilat janë thellësisht të rrënjosura në proceset vendimmarrëse të qeverive.
Një sekt miliarderësh, i përkushtuar ndaj vdekjes, i ka gishtat të shtrënguar rreth fytit të njerëzimit. Ai e shkakton dhe njëkohësisht e minimizon krizën tonë ekzistenciale. Oligarkët nuk janë vetëm një armik i klasës, por siç kanë qenë gjithmonë, një armik i shoqërisë.
Pak mijëra njerëz janë në gjendje të shkatërrojnë qytetërime të tëra. Miliarda njerëz kundër miliarderëve. Dhe vështirë se mund të ketë një bast më të madh se ky.
George Monbiot është gazetar, ekspert për çështjet mjedisore. Libri i tij i fundit është “E ardhmja është nën tokë” (bota.al)