“Apokalipsi bërthamor” / Nga Stalingradi te Kuba, 17 vite që ndryshuan botën

apokalipsi bërthamor

Në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik ishte aleat i Perëndimit në luftën kundër Gjermanisë naziste. Por vetëm 17 vjet më vonë ndodhi apokalipsi bërthamor, të dyja palët qëndronin përballë njëra-tjetrës, të gatshme të zhduknin botën në një apokalips bërthamor.

Kjo është historia se si një aleancë e lindur nga nevoja u shndërrua në rivalitetin më të rrezikshëm të historisë moderne.

NGA DAVID REYNOLDS

Ne e quajmë Lufta e Ftohtë, por në tetor 1962 bota dukej sikur ishte gati të digjej. Vendimi sovjetik për të vendosur raketa bërthamore në Kubë shkaktoi një krizë me Shtetet e Bashkuara që kërcënoi të përfundonte në një holokaust global.

Si ishte arritur deri këtu?

Dy dekada më parë, SHBA dhe BRSS kishin qenë aleate në luftën kundër Gjermanisë naziste. Në mars 1943, revista “Life” i përshkruante rusët si “një popull i mrekullueshëm” që “duken si amerikanë, vishen si amerikanë dhe mendojnë si amerikanë”. Sa për NKVD-në (policinë sekrete famëkeqe të Josif Stalinit), “Life” deklaronte se ajo ishte “e ngjashme me FBI-në”.

Në realitet, aleanca e kohës së luftës kishte qenë një martesë interesi. “Lidhja kryesore e fitimtarëve”, pranonte Winston Churchill, kishte qenë “urrejtja e tyre e përbashkët” ndaj Rajhut të Tretë të Hitlerit, por kjo nuk mjaftonte më për t’i mbajtur bashkë pas vitit 1945.

Tre çështje themelore qëndronin në zemër të Luftës së Ftohtë: ideologjia, gjeopolitika dhe armët bërthamore.

Ideologjikisht, mantra amerikane ishte “liria”: sipërmarrja e lirë, qeveria e kufizuar dhe demokracia lokale. Socializmi dhe komunizmi mbeteshin lëvizje të vogla në SHBA dhe stigmatizoheshin lehtësisht si “jo-amerikane”.

Në BRSS, ideologjia marksiste-leniniste parashikonte krizën e afërt të kapitalizmit imperialist dhe ardhjen e diktaturës së proletariatit, ku Partia Komuniste Sovjetike do të ishte pararojë. Edhe pse deri në vitet 1940 Stalini kishte zbutur retorikën e revolucionit botëror, ai mbetej i etur për të përshpejtuar procesin e ndryshimit historik. Kaosi i shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore i ofronte shumë mundësi.

Konflikti ndryshoi gjithashtu pozicionin gjeopolitik të të dy vendeve, duke i tërhequr në boshllëqet e pushtetit të krijuara nga shkatërrimi i fuqive të Boshtit. Këto zona u shndërruan në pikat e nxehta të Luftës së Ftohtë, mbi të gjitha në Gjermani, Kinë dhe Kore.

SHBA dhe BRSS pushtuan Gjermaninë për të mposhtur Hitlerin dhe më pas qëndruan për të formësuar paqen. Sovjetikët kishin humbur rreth 27 milionë njerëz gjatë viteve 1941–1945 dhe ishin të vendosur të pengonin rikthimin e fuqisë ushtarake gjermane. Por Amerika dhe Britania kishin po aq interes që Gjermania të ringrihej ekonomikisht.

Lexo edhe:

Lufta e Ftohtë: Konflikti që mbajti botën me frymën pezull

Në vitin 1948, SHBA, Britania dhe Franca thyen bllokimin diplomatik dhe nisën krijimin e një shteti të Gjermanisë Perëndimore nga zonat e tyre të pushtimit. Ato prezantuan gjithashtu një monedhë të re, Deutsche Mark, e cila pothuajse brenda natës riktheu mallrat në dyqane.

Stalini reagoi duke bllokuar Berlinin Perëndimor, të cilin aleatët mund ta furnizonin vetëm përmes Gjermanisë Lindore të kontrolluar nga sovjetikët.

Presidenti Harry Truman nuk kishte asnjë dyshim se qëndrimi në Berlin ishte bërë “simbol i objektivave amerikane” në Europë. Kështu, në bashkëpunim me RAF-in britanik, Forcat Ajrore Amerikane organizuan një urë ajrore të pandërprerë me ushqime dhe karburant për qytetin e rrethuar gjatë dimrit 1948–1949. Në kulmin e saj, Berlini përpunonte më shumë trafik ajror sesa Nju Jorku.

Kjo urë ajrore jo vetëm që theu bllokadën e Stalinit, por ndryshoi edhe qëndrimin e gjermano-perëndimorëve ndaj amerikanëve dhe britanikëve. Ish-armiqtë po bëheshin aleatë, ndërsa aleatët e kohës së luftës po shndërroheshin në kundërshtarë.

Në prill 1949, SHBA firmosi Traktatin e Atlantikut të Veriut (NATO) me Kanadanë dhe dhjetë shtete europiane, të udhëhequra nga Britania dhe Franca. Bastit të Stalinit në Berlin iu kthye efekti mbrapsht, duke e shtyrë Perëndimin drejt një aleance transatlantike të paprecedentë.

Megjithatë, “korrelacioni global i forcave”, siç e quanin sovjetikët, ndryshoi sërish vitin pasues. Në tetor 1949, pas tre dekadash lufte civile, Mao Ce Duni dhe komunistët fituan plotësisht në Kinë. Vendi më i populluar në botë ishte bërë “i kuq”, duke shkaktuar alarm dhe akuza të ndërsjella në Amerikë.

“Apokalipsi bërthamor”, sulme dhe kundërsulme

Një tronditje edhe më e madhe erdhi në Kore. Në vitin 1945, forcat japoneze u dorëzuan para sovjetikëve në veri dhe amerikanëve në jug. Ashtu si në Gjermani, asnjëra superfuqi nuk dëshironte ndarjen e përhershme të vendit. Por klientët e tyre ishin të vendosur ta bashkonin atë me forcë.

Në qershor 1950, Stalini i dha dritën jeshile udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, për të sulmuar jugun, duke menduar se Perëndimi nuk do të reagonte. Ky ishte gabimi i dytë i madh strategjik i Stalinit brenda vetëm dy vitesh.

Ashtu si Berlini, Koreja ishte për Trumanin një simbol jetik i vullnetit dhe fuqisë amerikane. Ai besonte se “komunizmi po vepronte në Kore ashtu siç kishin vepruar Hitleri, Musolini dhe japonezët 10, 15 apo 20 vjet më parë”.

Mësimet e politikës së qetësimit dukeshin të qarta: “Nëse kjo lejohej të kalonte pa kundërpërgjigje, do të nënkuptonte një Luftë të Tretë Botërore.”

Truman angazhoi forcat amerikane në Kore, duke siguruar edhe mbështetjen e aleatëve kryesorë, përfshirë Britaninë.

Lufta Koreane u kthye në një konflikt me luhatje të mëdha. Fillimisht koreano-veriorët depërtuan thellë në jug, por kundërsulmet amerikane i shtynë pothuajse deri në kufirin kinez. Kjo provokoi ndërhyrjen e Kinës në luftë.

Luftimet u stabilizuan përfundimisht rreth paralelit të 38-të, i cili u bë baza e armëpushimit të vitit 1953. Ky armëpushim mbetet në fuqi edhe sot, në një vend që vazhdon të jetë i ndarë.

Stalini përfitoi nga shumë mundësi që u krijuan nga kaosi i Luftës së Dytë Botërore, por po aq shpesh bëri edhe gabime të mëdha strategjike.

Koreja ishte vendi ku Lufta e Ftohtë u bë e nxehtë: amerikanët humbën 33,000 ushtarë; kinezët ndoshta gjysmë milioni, përfshirë një nga djemtë e Maos; ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave koreane mund të ketë arritur në 2.5 milionë, rreth një e dhjeta e popullsisë.

Gjatë viteve 1950, boshllëqe të tjera pushteti u hapën ndërsa dekolonizimi u përshpejtua. Megjithëse dorëzimi i Japonisë në vitin 1945 u lejoi europianëve të rimerrnin shumicën e zotërimeve të tyre aziatike, ditët e perandorive tashmë ishin të numëruara. Britanikët i dhanë pavarësinë Indisë dhe Birmanisë dy vjet më vonë; holandezët hoqën dorë nga Inditë Lindore (Indonezia); ndërsa Franca dështoi në përpjekjen e saj të viteve 1946–1954 për të mbajtur Indokinën.

Të pavullnetshëm për të parë të gjithë rajonin të bëhej komunist, presidentë të njëpasnjëshëm amerikanë u zhytën në luftën e Vietnamit, një konflikt që përfundimisht u shndërrua në poshtërimin më të madh të Amerikës gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.

Deri atëherë, SHBA kishte qenë kampione e lirisë kundër fuqive perandorake. Por në vitet 1950, Uashingtoni u përball me një dilemë: cili ishte më i papranueshëm dhe më i rrezikshëm:  kolonializmi apo komunizmi?

Nga frika e zgjerimit të së majtës, Uashingtoni arriti në përfundimin se ishte më mirë të mbështeste regjimet koloniale dhe klientët e rinj postkolonialë. Kjo çoi në ndërhyrje amerikane në vende si Irani në vitin 1953 dhe Guatemala në vitin 1954.

Përshkallëzimi atomik

Ishte gjithashtu gjatë viteve 1950 që gara e armëve bërthamore – shenja e tretë dalluese e Luftës së Ftohtë – u bë vërtet ekzistenciale, me veprimin dhe kundërveprimin në një dinamikë të përhershme. Në vitin 1945, shpërthimi i dy bombave atomike amerikane mbi Japoninë kishte ndihmuar në përfundimin e luftës në Azi, por Stalini e bëri menjëherë bombën atomike prioritetin e tij kryesor; në gusht 1949, BRSS testoi me sukses pajisjen e vet të parë atomike. Monopoli i tyre atomik mori fund dhe amerikanët nisën zhvillimin e bombës me hidrogjen në vitin 1952 – sovjetikët i barazuan një vit më vonë, në 1953.

Gara më pas u zhvendos te përmirësimi i “sistemeve të shpërndarjes”, nga epoka e fuqisë ajrore në epokën e raketave. Këtë herë sovjetikët i paraprinë amerikanëve. Lëshimi i satelitit artificial Sputnik në nëntor 1957 ishte njëkohësisht një poshtërim teknologjik për SHBA-në dhe një shenjë se BRSS zotëronte një teknologji mjaftueshëm të fuqishme për të lëshuar një raketë bërthamore deri në Amerikë. Administrata e Eisenhower-it përshpejtoi me nxitim programin e vet të raketave dhe zbatoi një plan të madh të mbrojtjes civile.

Ideologjia, gjeopolitika dhe bomba u shkrinë së bashku në krizën mbi Kubën. Fidel Castro kishte marrë pushtetin në ishull në vitin 1959, duke rrëzuar një regjim të korruptuar që ishte, në emër, një koloni ekonomike amerikane. Megjithëse Castro nuk ishte fillimisht marksist, reagimi i Uashingtonit ndaj reformave të tij e shtyu atë në krahët e Moskës. John F. Kennedy trashëgoi një plan gjysmak, të përgatitur të CIA-s për të rrëzuar Castron, duke përdorur emigrantë kubanë në SHBA për të shmangur implikimin e drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Por operacioni i Gjirit të Derrave në prill 1961 rezultoi një fiasko – duke lënë vëllain energjik të presidentit, Bobby-n, të zemëruar se JFK tani do të konsiderohej nga rusët si “një tigër prej letre”.

Përballja u thellua kur Nikita Hrushovi, udhëheqësi i zjarrtë sovjetik, fitoi epërsi ndaj Kennedyt në një samit të ashpër në Vjenë, në qershor 1961. I inkurajuar nga suksesi, ai vendosi raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Kubë, vetëm 90 milje larg brigjeve të Floridës.

Ndryshe nga Stalini në Berlin në vitin 1948, Kennedy ishte në gjendje të vendoste një bllokadë ndaj Kubës, duke kontrolluar hapësirën ajrore dhe ujërat përreth dhe, mbi të gjitha, duke gëzuar epërsi të madhe në arsenalet bërthamore në rast të një lufte të përgjithshme. Kështu, Hrushovi vendosi t’i tërhiqte raketat e tij nga Kuba. Por ishte një çështje që kishte kaluar shumë afër katastrofës. Siç tha sekretari i Shtetit Dean Rusk, të dy superfuqitë kishin qenë “sy më sy” dhe në fund ishin sovjetikët ata që “u tërhoqën”.

Më 26 qershor 1963, Kennedy, tashmë i sigurt në presidencën e tij, foli në Berlinin Perëndimor. Dy vera më parë, sovjetikët dhe aleatët e tyre të Gjermanisë Lindore kishin ngritur një mur për të ndalur rrjedhën e gjermanolindorëve – kryesisht të rinj, të aftë dhe të arsimuar – që largoheshin në kërkim të lirisë dhe prosperitetit. Muri ndaloi rrjedhjen e trurit, por u shndërrua në një autogol propagandistik.

Duke qëndruar para një turme entuziaste jashtë bashkisë së Berlinit Perëndimor, Kennedy pranoi se “liria ka shumë vështirësi dhe demokracia nuk është e përsosur”. Por ai shtoi: “Ne nuk kemi pasur kurrë nevojë të ndërtojmë një mur për t’i mbajtur njerëzit tanë brenda.”

Për ata që pretendonin se nuk e kuptonin se çfarë ishte në lojë mes botës së lirë dhe asaj komuniste, presidenti dha këtë sfidë të thjeshtë: “Le të vijnë në Berlin.”

Siç e dimë sot, Lufta e Ftohtë kishte ende një çerek shekulli për të vazhduar, me shumë kthesa dhe peripeci. Por ajo ditë vere në Berlin do të përcaktonte pjesën tjetër të kësaj përballjeje. / bota.al

Back to top button