Nga Pasquale Saviano
Stresi ka një ndikim të fortë mbi trupin dhe psikikën tonë. Megjithatë, ekziston një lloj stresi “i mirë” që është i dobishëm për jetën, pasi shkakton atë shpërthim energjie që ju ndihmon të përballoni sfidat e përditshme. Stresi ndikon fuqishëm në funksionet tona psikike dhe jetësore.
Stresi “i dëmshëm”, është ai që ndikon në mënyrë kronike tek ne, ndërsa stresi që e përjetojmë për një kohë të shkurtër, sjell përfitime të mundshme shëndetësore. Stresi që mund ta përkufizojmë si “i mirë” kthehet në një stres “të keq” kur bëhet kronik ose ekstrem.
Që të dyja ndikojnë në jetën e një njeriut, por ndryshimin e bën mënyra se si menaxhohen ato. Stresi akut, ai që ka një kohëzgjatje të kufizuar (nga disa minuta në disa orë), e rrit energjinë dhe mprehtësinë mendore. Ai është një “zile zgjimi” thelbësor në rastet e situatave të rrezikshme.
Pasi na lejon të reagojmë shpejt në praninë e një rreziku. Por mund të jetë gjithashtu i dobishëm në situata jo të rrezikshme. Në këtë rast, mund të shërbejë si një motivues duke na nxitur të japim më të mirën tonë, për shembull në një intervistë pune, apo gjatë një aktiviteti sportiv.
Ky lloj stresi është i lidhur me mekanizmin “lufto ose vrapo”, që i ka lejuar speciet njerëzore të qëndrojnë gjallë dhe të evoluojnë përgjatë shekujve. Të rrahurat e zemrës rriten, frymëmarrja bëhet më e shpejtë, muskujt tkurren dhe truri fillon të zhvillojë strategji.
Është një lloj stresi funksional i mbijetesës, që e pushon ndikimin e tij tek ne, pasi të ketë kaluar rreziku apo situata ndaj së cilës duhet të reagojmë. Por nëse kjo gjendje tensioni vazhdon (siç ndodh tek shumë njerëz), ajo bëhet e dëmshme dhe shpesh e dobëson gjendjen tonë fizike dhe mendore. Meqë stresi është pjesë e jetës, pasi lidhet me ngjarjet e përditshme, është e rëndësishme të mësoni se si ta menaxhoni atë.
Janë 3 llojet më të njohura të stresit:
Stresi akut
Këtu përfshihet lloji më i zakonshëm të stresit, atë me të cilin duhet të përballemi çdo ditë. Ai shfaqet si pasojë e një ngjarjeje destabilizuese apo e një sfide të afërt. Në teori, sapo ngjarja të përfundojë apo të jetë tejkaluar sfida, funksionimi i trupit tonë dhe nivelet fiziologjike duhet të kthehen në normalitet.
Ky lloj stresi nuk është i dëmshëm sepse e përshpejton kohën e reagimit, përmirëson aftësitë për zgjidhjen e problemeve, stimulon kujtesën dhe e forcon sistemin imunitar. Nga ana tjetër stresi akut, ndahet në ‘eustress’ dhe ‘distress’. I pari lidhet me ngjarje pozitive që ndodhin në jetë (martesa, diplomimi, ardhja në jetë e fëmijëve, promovimi në detyrë etj), ndërsa i dytilidhet kryesisht me ngjarje shqetësuese (debate, humbje, situata traumatike).
Që të dyja ndikojnë në trupin e njeriut, por e bëjnë këtë në mënyra të ndryshme. Edhe pse stresi akut nuk është i dëmshëm në një periudhë afatshkurtër, dhe nëse ndodh vetëm një herë, episodet e përsëritura të stresit akut mund të kenë efekte të dëmshme.
I tillë është rasti i punonjësve në sistemin shëndetësor apo i ushtarakëve të përfshirë në situata kërcënuese për jetën. Episodet e përsëritura të stresit akut, mund të nxisin fillimin e çrregullimit të stresit post-traumatik ose gjendjeve të tjera të rënda ankthi dhe depresioni.
Stresi akut episodik
Është rezultat i episodeve të vazhdueshme të stresit akut, që karakterizon disa njerëz të cilët kryejnë punë të caktuara apo që i duhet të menaxhojnë dinamika komplekse (menaxherë, mjekë, ushtarë, prindër me familje të mëdha). Situatat e jetës kanë një fillim dhe një fund, por skenari stresues është gjithmonë i njëjti.
Situatat e vazhdueshme që janë të vështira për t’u menaxhuar, çojnë në shqetësime të vazhdueshme mbi atë që do të ndodhë duke ushqyer mendime negative, që e nxisin trupin të përjetojë stres edhe nëse nuk realizohen skenarët negativë. Këto janë rastet në të cilat me kalimin e kohës, stresi akut episodik mund të ndikojë në mirëqenien tonë.
Stresi kronik
Grumbullohet me kalimin e viteve dhe ndikon shumë tek ne, prandaj ky lloj stresi është më edhe më i dëmshmi. Një perceptim i vazhdueshëm i të qenit sëmurë, një perceptim i fortë se gjërat janë jashtë kontrollit:ndihma ndaj një personi të dashur, papunësia, mungesa e një partneri, një patologji kronike apo e lindur, janë të gjitha situata që mund të çojnë tek stresikronik.
Nëse nuk trajtohet siç duhet, stresi kronik mund të dëmtojë zona të ndryshme të trupit tonë,duke na bërë më të dobët dhe për këtë arsye të prirur ndaj sëmundjeve fizike. Ai e dobëson sistemin imunitar, duke na bërë më të prirur ndaj sëmundjeve virale.
Po ashtu, ai ka një ndikim të fortë në të gjitha sistemet që janë të rëndësishme për mirëqenien tonë, nga ato të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, tek muskuloskeletore, endokrine apo gastrointestinale. Edhe pse është pjesë e jetës sonë, nuk duhet domosdoshmërisht që të kthehet në diçka që krijon çdo herë siklet.
Gjëja kryesore është ta parandaloni që ajo të bëhet kronike. Veprimi mbi shkakun që gjeneron stresin, është mënyra më e mirë për ta kapërcyer atë. Por nëse kjo nuk është e mundur, është e dobishme të zhvillohen strategji për ta menaxhuar atë.
Për shembull, krijimi dhe ruajtja e një rrjeti të mirë mbështetësish, miqsh dhe familjarësh, duke provuar teknikat e relaksimit, duke e reduktuar ngarkesën në punë apo aktivitetet e përditshme, dhe duke pasur një mënyrë jetese të shëndetshme me ushqim të mirë dhe aktivitet fizik të vazhdueshëm. / Psiche – Bota.al