Nga Peter Rough & Luke Coffey
“Wall Street Journal”
Çfarë do të ndodhë brenda Rusisë nëse lufta në Ukrainë vazhdon të shkojë keq për Moskën? Mundësitë variojnë nga revolucioni dhe kryengritja, deri tek lufta civile dhe shpërbërja e Federatës Ruse. Dhe shanset për secilin prej skenarëve rriten nga dita në ditë.
Ndaj SHBA-ja duhet të jetë gati për situata të tilla të paparashikuara. Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet të përgatiten për të frenuar çdo trazirë brenda Rusisë, dhe të punojnë me partnerët për të refuzuar çdo lloj thirrjeve për vetëvendosje – madje edhe pavarësi – përveç rivendosjes së integritetit territorial të vendeve që aktualisht janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia.
Ndërkohë, SHBA-ja duhet të forcojë orientimin perëndimor të rajoneve, si Azia Qendrore, ku ndikimi rus është gjithashtu në rënie. Nëse Moska e humb plotësisht kontrollin e saj atje, Shtëpia e Bardhë duhet të udhëheqë një përpjekje ndërkombëtare për të monitoruar armët bërthamore të Rusisë dhe armët e tjera me viktima masive.
Rusia përbëhet nga 83 entitete federale, shumë prej të cilave ndajnë një kulturë, histori dhe gjuhë të ndryshme nga Moska dhe fqinjët e saj. Në disa entitete, si Cirkasia dhe Bashkortostani, po shfaqen tashmë lëvizjet e para për pavarësi.
Hendeku midis Kremlinit dhe ushtarëve të tij është i madh. Deri më tani Vladimir Putin është mbështetur në mënyrë disproporcionale tek myslimanët rusë turq për të realizuar fantazitë e tij perandorake në Ukrainë. Në një moment, këta veteranë të kalitur nga betejat, do të kthehen në shtëpi në rajonet të trazuara, që po vlojnë nga revolta për vdekjen e njerëzve të tyre.
Nëse këta popuj do të përpiqen të shkëputen, është e vështirë të imagjinohet se mund ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore, si për shembull siç ndodhi me Estoninë në vitin 1991. Ka shumë më tepër gjasa të kemi një përsëritje të konflikteve të përgjakshme, të ngjashme me Luftën e Parë çeçene në vitin 1994.
Në rast se Rusia mposhtet në Ukrainë, por nuk shkatërrohet si shtet, ajo ka të ngjarë të përfshihet nga konspiracione dhe pakënaqësi të ngjashme me ato që e mbërthyen Gjermaninë e Vajmarit pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë proces, balanca e pushtetit në shoqërinë ruse ka të ngjarë të anojë më tej drejt militantëve të vijës së ashpër dhe larg atyre pak të moderuarve që ekzistojnë ende.
Përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt, Putin kishte eksperimentuar me të ashtuquajturat ushtri private, si për shembull Grupi Vagner, që i kishte dhënë mundësi të testonte reagimin e Perëndimit në vende si Siria, pa rrezikuar ta angazhonte ushtrinë zyrtare ruse në ndonjë luftë.
Këtë gjë ai e ka bërë edhe këtë herë. Kremlini ka krijuar një hapësirë për grupet e armatosura nën/kombëtare si Regjimenti i 141-të Special dhe i Motorizuar, i quajtur zakonisht Kadirovitët sipas emrit të tyre çeçen, Ramzan Kadirov. Është e sigurt se udhëheqësit e
këtyre grupeve do të bëhen ndërmjetës të rëndësishëm të pushtetit, dhe ndoshta edhe kryekomandantët e luftës, në një luftë për pushtet pas largimit të Putini.
Ndikimi i Rusisë në periferinë e saj po dobësohet. Javët e fundit, SHBA ka organizuar bisedimet e reja për paqe midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke u mbështetur tek negociatat e nisura nga Uashingtoni në Kombet e Bashkuara disa muaj më parë.
Po ashtu bëri përshtypje lajmi nga Kazakistani se gazsjellësi azer BTC – që lidh kryeqytetin e tij Baku me Gjeorgjinë dhe Turqinë – do të nisë vitin e ardhshëm transportimin e naftës së papërpunuar kazake, duke i dhënë fund monopolit dhjetëra vjeçar të Rusisë mbi eksportet kazake të naftës. Të dyja këto zhvillime, do të kishin qenë të paimagjinueshme 10 muaj më parë.
Po ashtu mund të degradojnë në luftë një seri mosmarrëveshjesh të vjetra territoriale dhe në dukje të pazgjidhshme. Këtu përfshihen kontestet mbi ishujt Ukatni, Zhestki dhe MaliZhemçuzhni në Detin Kaspik; kufirin estonezo-rus; Territoret Veriore; dhe territorin finlandez të Karelias, të cilin Rusia e aneksoi që në Luftën e Dimrit të Nëntorit 1939. Nuk ka asnjë dyshim se dobësia e Moskës do t’i joshë vendet e pushtuara nga Rusia që të kërkojnë largimin e ushtarëve rusë nga territoret e tyre, nga Transnistria në Moldavi, nga Karabaku në Azerbajxhan deri në Abkhazi dhe Tskhinvali në Gjeorgji.
Turbullira mund të ndodhin edhe gjetkë. Ndërsa shtetet–kliente të Rusisë dhe forcat e mbështetura prej saj në Lindjen e Mesme dhe Afrikë do të shohin zbehjen e ndikimit të tyre, Kina dhe Turqia do të angazhohen për të mbushur me shpejtësi boshllëkun e krijuar në Azinë Qendrore dhe Kaukaz.
Perëndimi duhet të zgjerojë dhe thellojë lidhjet e tij duke shfrytëzuar vakumin që ka krijuar katastrofa ruse në Ukrainë. Kur të jetë e përshtatshme, NATO dhe Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzojnë momentin për të nxitur një zgjerim të ri “Big Bang” (të gjerë) me vendet që janë aktualisht kandidate dhe me ato aspirante.
Aty ku zgjerimi i NATO-s dhe BE-së është i papërshtatshëm, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të forcojnë lidhjet ekonomike dhe diplomatike, si dhe të inkurajojnë integrimin rajonal. Në një moment, Rusia do të rikthehet në skenën globale.
Perëndimi nuk do të jetë kurrë në gjendje të shohë braktisjen nga Moska të planeve të saj perandorake shekullore, edhe nëse duhen shumë vite për të rindërtuar forcat e nevojshme për të kërcënuar fqinjët e saj. Por ajo që bëjnë tani SHBA-ja dhe Evropa, mund të forcojë në mënyrë vendimtare sigurinë evropiane për dekadat e ardhshme.
Shënim: Peter Rough, drejtor i Qendrës së Institutit Hadson për Evropën dhe Euroazinë. LukeCoffey, anëtar në këtë think-tank.