Nga Dimitar Bechev
“Carnegie Europe”
Presidenti serb Aleksandar Vucic i kishte që të gjitha. Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Partia e tij Progresiste Serbe (SNS), siguroi mbi 60 për qind të votave. Aleatët dhe klientët e tij morën pjesën tjetër të votave, pasi opozita i bojkotoi zgjedhjet.
Gjatë gjithë këtij viti, Vucic korri jo pak suksese politike, si brenda vendit ashtu edhe në rajon, me administrimin e shpejtë të vaksinave anti-Covid të blera nga Perëndimi, por edhe nga Rusia dhe Kina. Kjo është një dëshmi e faktit se presidentit serb pritet me tapet të kuq në Bruksel, Moskë dhe Pekin, duke qenë lloj ‘Josip Broz Tito’ i kohëve e tona.
Në shtatorin e këtij viti, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel zgjodhi Beogradin si ndalesën e parë në turneun e saj lamtumirës në Ballkan. Një kor mediash besnike në Beograd, i thurën lavde Vucic, duke i cilësuar kritikët e tij si një “kolonë e pestë”, që është nën kontrollin e fuqive të huaja armiqësore.
Por këto ditë Vucic po pajtohet me faktin, se edhe pushteti absolut mbart rreziqet e veta. Sado që e kontrollon median, ai nuk mund të shmangë përgjegjësinë e tij për vendimet jopopullore. Për të tretën fundjavë radhazi, dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke protestuar, bllokuar rrugë, autostrada dhe ura në të gjithë vendin.
Ky është një reagim ndaj ndryshimeve të diskutueshme të Aktit të Shpronësimit dhe Aktit të Referendumeve, të miratuara së fundmi nga parlamenti serb. Për shumë serbë në të gjithë spektrin politik, nga liberalët urbanë tek nacionalistët e vijës së ashpër, këto ligje u japin autoriteteve mundësi të sekuestrojnë pronën private, dhe e bëjnë gati të pamundur organizimin e referendumeve popullore.
Kundërshtarët e këtyre ligjeve, pretendojnë se ato i shërbejnë kompanisë minerare shumëkombëshe “Rio Tinto”. Aktiviteti i kësaj të fundit në një minierë litiumi, dhe në një fabrikë përpunimi, kërcënon sipas tyre luginën e lumit Jadar në Serbinë Perëndimore.
Dhe ata janë shumë të acaruar nga shpërfillja e dukshme e qeverisë ndaj opinionit publik.
Në fakt, kryeministrja Ana Brnabic dhe Ministrja e Energjitikës, Zorana Mihajlovic, e kanë mbështetur shumë projektin e “Rio Tinto”, që mund të përbëjë mbi 1 për qind të PBB-së së Serbisë.
Vendi ballkanik ka depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë, një metal thelbësor për prodhimin e baterive, dhe për rrjedhojë me një rëndësi jetike për të ashtuquajturin tranzicion të gjelbër të ekonomive. Vucic duket se e ka kuptuar se rëndësinë e projektit.
Por ndërkohë protestat janë përhapur në të gjithë Serbinë. Ato po ndodhin vetëm disa muaj përpara presidenciale dhe parlamentare të zgjedhjeve të planifikuara për në prillin e vitit 2022. Sulmi i disa banditëve pro-qeveritarë ndaj protestuesve fundjavën e parë, vetëm sa i ka përkeqësuar më tej gjërat.
Përballë zemërimit popullor në rritje, Vucic ndryshoi qëndrim. Më 8 dhjetor, presidenti i riktheu ligjet e reja në parlament për rishqyrtim. Parlamenti i hoqi projektligjet nga rendi i ditës, pa dyshim me urdhër të Vucic. Sipas të gjitha gjasave, ato do të mbeten pezull të paktën deri pas zgjedhjeve të prillit.
Në një periudhë afatshkurtër, kjo lëvizje e ka reduktuar presionin ndaj Vucic. Protestat e 11-12 dhjetorit, nxorën në rrugë dhe sheshe turma shumë më të vogla se sa ato në fundjavat e mëparshme. Edhe pse kjo kthesë e qeverisë mund të sjellë vetëm një fitore taktike për protestuesit, ajo tregon gjithsesi se funksionon ende fuqia e njerëzve të zakonshëm. Ambientalistët dhe organizatat lokale mobilizuan në popull ndjenjën anti-Vucic, duke detyruar tërheqjen e presidentit të plotfuqishëm të Serbisë. Por ajo që bie në sy është mungesa e opozitës serbe në këto protesta. Është e paqartë nëse ajo do të jetë në gjendje të përfitojë nga rasti, duke paraqitur një kandidat presidencial të përbashkët, që të jetë i aftë të sfidojë Vucic.
Qoftë edhe arritja në balotazh, dhe mohimi i fitores së drejtpërdrejtë të presidentit aktual në raundin e parë, do të përbënte një sukses në një garë në kushte shumë të pabarabarta. Dominimi i Vucic mbi median, administratën dhe sektorin publik, e vendos atë shumë përpara çdo konkurrenti, edhe nëse ai ose ajo qëllon të jetë një figurë popullore në të gjithë spektrin ideologjik në shoqërinë serbe.
Cilido qoftë rezultati, ajo që ndodh në Serbi ndikon patjetër mbi stabilitetin dhe kursin e ardhshëm që do të ndjekë Ballkani Perëndimor në tërësi. Madhësia, politika e saj nacionaliste, dhe lidhjet e elitave me Rusinë dhe Kinën, i japin Serbisë një ndikim që shkon shumë përtej saj.
Ajo që spikat është mungesa e ndikimit të BE-së në këtë histori. Kur serbët protestonin dikur kundër ish-presidentit Slobodan Miloshevic, nuk kishte asnjë dyshim se anën e kujt mbante Brukseli. Sot kjo nuk është dhe aq e qartë. Duket sikur liderët e BE-së, nuk janë në dijeni të qeverisjes autoritare të Vucic.
Po ashtu ai merr nga BE edhe leksionin e çuditshëm mbi sundimin e ligjit, megjithëse me një zë të mekur. Por ajo që shohin qytetarët serbë është dashamirësia ndaj tij nga ana e Brukselit. “Unë pres se Serbia ta vërë theksin tek reformat themelore. Ju përgëzoj për hapat që keni marrë deri tani. Është bërë një punë e madhe!”- deklaroi më 30 shtator në Beograd presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
BE-ja zgjedh një qasje pragmatike duke u fokusuar tek ekonomia, infrastruktura dhe ndërlidhja, dhe sigurisht tek dialogu Beograd-Prishtinë. Sa i përket krizës me “Rio Tinto”, Angela Merkel tha se Gjermania është e interesuar për litiumin e Serbisë.
Dhe kjo nuk është e habitshme, po të kihen parasysh sfidat strategjike që lidhen me de-karbonizimin e ekonomive. Por e vërteta e testuar me kohë, është se fati i demokracisë serbe ndodhet në duart e vetë qytetarëve. BE-ja mund të jetë e mirë në vendosjen e standardeve normative, por imperativat politike të ditës, kanë shpesh përparësi ndaj parimeve të saj më të larta.
Nëse Serbia do të bëjë përparim drejt llogaridhënies demokratike, kjo do të arrihet përmes veprimeve nga poshtë-lart, dhe jo me kushtëzimin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Le të shpresojmë të mos zbehet presioni publik ndaj autoriteteve, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.