AnalizaEkonomi

A do të çojnë luftërat e sotme tregtare, drejt Luftës së Tretë Botërore?

Nga Daniel Drezner

Rritja aktuale e proteksionizmit, mund të jetë pararendësja e Luftës së Tretë Botërore. Në vitin 2008, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia. Qeveria serbe refuzoi të njohë provincën e shkëputur, dhe më së fundmi u ka bërë presion anëtarëve të Interpolit, të mos e pranonin si anëtare.

Në kundërpërgjigje, Kosova vendosi të imponojë një tarifë prej 10 përqind mbi importet e Serbisë, dhe ndërsa mosmarrëveshja u përshkallëzua, ajo e rriti tarifën në 100 përqind, edhe pse Serbia është partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit. SHBA dhe BE, e kanë nxitur Kosovën të anulojë këtë tarifë, dhe të negociojë për një ulje të tensioneve.

Por, në vend të kësaj qeveria e Prishtinës përfshiu në këtë rritje tarifash edhe Bosnje Herzegovinën, një vend që gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në dekadën e parë të viteve 1900, ishte Serbia e sapo-pavarësur që ndërmerrte veprime për të zvogëluar varësinë e saj ekonomike nga perandoria Austro-Hungareze.

Ajo rriti importet e saj nga Franca, dhe nënshkroi një bashkim doganor me Bullgarinë. Në vitin 1906, Austro-Hungaria u kundërpërgjigj duke vënë tarifa të larta ndaj eksportit kryesor të Serbisë: mishit të derrit. E ashtuquajtura “Lufta e Derrit”, zgjati edhe 5 vite të tjera, gjatë të cilave Serbia u zhvendos me vështirësi nga varësia ekonomike që kishte ndaj perandorisë së Habsburgëve. Por, ajo luftë tregtare e nxiti Austro-Hungarinë të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën, një lëvizje që shkaktoi tensione me Rusinë, dhe në fund solli vrasjen e arkidukës Franc Ferdinand, në qershorin e 1914-ës nga një serbo-boshnjak.

Proteksionizmi ekonomik në Ballkan, nuk ishte shkaktari kryesor i Luftës së Parë Botërore. Sidoqoftë, ai e bëri më të lehtë shpërthimin e saj. A është kjo më shumë se sa thjeshte një paralele historike rastësore? Unë po filloj të shqetësohem se është kështu.

Para fillimit të Luftës së Parë Botërore, fuqitë e mëdha dhe të vogla, morën një seri hapash për të penguar globalizimin e shekullit XIX-të. Ne po fillojmë të shohim një qasje të ngjashme me globalizimin e shekullit XXI-të. Një parim qendror i qasjes liberale ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, është se ndërvarësia ekonomike redukton gjasat e një lufte.

Për disa studiues, zhvillimi i tregjeve të lira, zvogëlon motivin e ekspansionit territorial për fitime. Për të tjerët, ekspozimi ndaj tregjeve globale të kapitalit, i detyron shtetet të veprojnë në një mënyrë më pak luftarake, pasi ato shqetësohen për një eksod ndërkufitar të parave dhe investitorëve.

Por, një kamp i tretë, thotë se shkalla e lartë e ndërvarësisë ekonomike, forcon nxitjen për të zvogëluar konfliktet përmes mjeteve jo të dhunshme. Ndërkohë, skeptikët e paqes kapitaliste, citojnë gjithmonë nisjen e Luftës së Parë Botërore, si sfidën më të madhe empirike ndaj këtij argumenti.

Por, e vërteta është pak më komplekse. Në shumë aspekte, globalizimi i shekullit XIX-të ishte viktimë e suksesit të tij. Tarifat e reduktuara dhe kostot e transportit, e “përmbytën” Evropën me mallra të lira nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Të ardhurat e pronarëve të tokave në këto vende pësuan një goditje serioze, dhe Depresioni i Gjatë që ndodhi midis viteve 1873-1896, ç`ka i vuri nën presion qeveritë evropiane, për t`u mbrojtur kundër importeve të lira.

Në 1879, kancelari gjerman Oto von Bismark, nisi të rriste tarifat. Franca u përgjigj po njëlloj në vitet 1880. Shembullin e ndoqën edhe shumë fuqi të mesme në Evropë, si Italia, Spanja dhe Suedia. Në disa raste, këto mosmarrëveshje tarifore u zgjidhën, dhe tregtia u rikthye në normalitet. Në raste të tjera, pati të qëndrueshme dhe dobësuese.

A po “shpërthen” sërish globalizimi? Kriza financiare e vitit 2008, nxiti në Perëndim thirrjet për më shumë proteksionizëm tregtar. Shumica e qeverive të fuqive të mëdha i kundërshtuan ato thirrje menjëherë pas krizës, por nacionalizmi populist ngjiti në skenë një valë të re liderësh, të cilët ishin të etur t`i bënin të huajt “koka turku”.

E gjithë kjo, ndodhi para se Donald Trumpi të deklaronte në marsinn e vitit 2018, se “luftërat tregtare janë të mira, dhe të lehta për t’u fituar”, dhe pastaj nisi të veprojë në atë drejtim. Ai rriti tarifat e përgjithshme, mbi importin e çelikut dhe aluminit. Reagimi ishte i shpejtë: BE vendosi masa ndëshkuese ndaj eksporteve të SHBA.

Edhe partnerët e tjerë tregtarë, nga Japonia në Indi, dhe Meksikë, kanë marrë kundërmasat e tyre. Administrata Trump, iu kthye pastaj Kinës, duke imponuar tarifa në vlerë 250 miliardë dollarë ndaj importeve kineze, me kërcënimin për t’i imponuar një seri të re tarifash, me një efekt prej 267 miliardë dollarësh, nëse nuk arrihet shpejt.

Në një lëvizje reciproke, Kina imponoi tarifat mbi eksportet amerikane, me një efekt prej më shumë se 60 miliardë dollarësh. Fatmirësisht, efekti i kombinuar i proteksionizmit nuk ka ndikuar shumë në nivelin e përgjithshëm të ndërlidhjes ekonomike, edhe pse efekti mbi ekonominë globale ëshët i ndjeshëm.

Ekonomistët amerikanë, vlerësojnë se luftërat tregtare, shkaktuan humbjen e rreth 7 miliardë dollarëve në Shtetet e Bashkuara, gjatë 11 muajve të parë të vitit 2018, dhe kostot mujore po rriten me kalimin e kohës. Më e rëndësishmja, lufta tregtare mund të prishë zinxhirin furnizues global, që ka integruar gjithnjë e më shumë dy ekonomitë gjatë dy dekadave të fundit.

Analogjitë, janë mjete të papërsosura për të kuptuar botën. Në disa mënyrë, fillim-shekulli XXI-të, nuk i ngjan shekullit XX-të. Sot ekzistojnë mekanizma të tjerë kontrolli, për një luftë të madhe mes fuqive, sikurse është parandalimi bërthamor. Ndaj një tjetër luftë e madhe, nuk është e pashmangshme.

Megjithatë, reagimi ndaj globalizimit, që i parapriu Luftës së Madhe, duket se përsëritet sot. Në fakt, ka disa aspekte në të cilat momenti aktual është më i frikshëm se epoka e para 1914-ës. Në atë kohë, hegjemonia e botës, Mbretëria e Bashkuar, veproi si një pengesë kundër proteksionizmit ekonomik.

Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara janë në krye të valës së proteksionizmit. Udhëheqësit përfitojnë nga leksionet e historisë, vetëm nëse janë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur vërtet. Do të ishte mirë, nëse liderët e sotëm botërorë do të dinin më shumë mbi paralelet e frikshme midis kohës së sotme, dhe epokës para vitit 1914. Përndryshe, ngadalësimi i ndërvarësisë do të vazhdojë – dhe paqja kapitaliste me të cilën ne jemi mësuar të gjithë, mund të mos mbijetojë.

Shënim: Daniel Drezner, është profesor i politikës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik dhe të Diplomacisë në Universitetin Tafts. Libri i tij i fundit, titullohet “Industria e ideve”

Marrë me shkurtime nga “Reason” – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button